17.5 C
Tirana
05 / 10 / 2026

Spahiu mesazh studentëve të Mjekësisë: Teknologjinë në duar, shkencën në mendje dhe njeriun në qendër

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka përcjellë një mesazh për studentët e Mjekësisë me rastin e nisjes së vitit të ri akademik 2026–2027. Në fjalën e saj drejtuar studentëve, Spahiu theksoi se mjekësia po përballet me ndryshime të shpejta, të nxitura nga zhvillimi i teknologjisë, inteligjencës artificiale, diagnostikimit të avancuar dhe kërkimit shkencor. Spahiu tha se mënyra se si do të ushtrohet profesioni i mjekut në të ardhmen do të jetë ndryshe nga ajo e dekadave të mëparshme, për shkak të zhvillimeve të vazhdueshme në shkencë dhe teknologji.

“Sot, në nisje të vitit të ri akademik 2026–2027, pata kënaqësinë t’u drejtohem studentëve të Mjekësisë, në një ditë të veçantë të rrugëtimit të tyre. Mjekësia që do të ushtrojnë ata nesër nuk do të jetë e njëjtë me atë që kemi ushtruar ne dje. Teknologjia, inteligjenca artificiale, diagnostikimi i avancuar dhe kërkimi shkencor po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën se si kujdesemi për shëndetin”, deklaroi Spahiu.

Megjithatë, ministrja nënvizoi se përtej zhvillimeve teknologjike, humanizmi duhet të mbetet në qendër të profesionit të mjekut. Spahiu u bëri thirrje studentëve që të përfitojnë nga zhvillimet e reja shkencore dhe teknologjike, por njëkohësisht të ruajnë dimensionin njerëzor të profesionit.

“Por, përtej çdo inovacioni, mbetet një e vërtetë themelore: mjekësia është dhe do të mbetet profesion i njerëzve për njerëzit. Përdorni dijen, përqafoni teknologjinë, kërkoni gjithmonë më shumë, por mos e humbni kurrë humanizmin”, u shpreh ministrja.

Spahiu theksoi se mjeku i së ardhmes duhet të ndërthurë njohuritë shkencore dhe teknologjinë me kujdesin dhe përgjegjësinë ndaj pacientit.

“Sepse mjeku i së ardhmes duhet të ketë teknologjinë në duar, shkencën në mendje dhe njeriun në qendër të çdo vendimi”, deklaroi ajo, duke u uruar studentëve suksese në rrugëtimin e tyre profesional.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x