Presidenti i Republikës Bajram Begaj, përcolli sot më 5 tetor një mesazh për fillimin i vitit të ri akademik.
Kreu i Shtetit u uroi studentëve dhe pedagogëve një vit akademik sa më të suksesshëm.
Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit inkurajoi të rinjtë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi me përkushtim për formimin e tyre profesional, duke nënvizuar se investimi në arsim dhe dije përbën investimin më të sigurt për zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit.
Presidenti i Republikës theksoi, gjithashtu, rolin e pazëvendësueshëm të universiteteve në formimin e brezave të rinj.
Mesazhi i plotë i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj:
“Sot nis një vit i ri akademik, një udhëtim i ri përkushtimi dhe sfidash për studentët dhe pedagogët.
Universitetet janë vatrat ku formohen jo vetëm profesionistët e aftë të së nesërmes, por, mbi të gjitha, qytetarët e angazhuar që do të ndërtojnë të ardhmen e vendit.
Uroj që studentët të kenë kurajë për të ëndërruar, disiplinë për të punuar fort dhe besim për të arritur suksesin!
Një vit të mbarë dhe plot mundësi të reja të gjithëve! Suksese!”