27.8 C
Tirana
01 / 10 / 2026

Mazniku mbron Territorialen me 46 bashki: Propozimi i PD, si në kohën e komunave, me vulë në çorape! Reforma bëhet për hallin e qytetarit dhe jo ofiqarit (VIDEO)

Partia Socialiste do ta mbrojë deri në fund propozimin e saj për ta ndarë territorin në 46 bashki nga 61 që janë aktualisht.

Edhe pse vendimet e këshillave vendorë që preken nga shkrirja kanë qenë kundër draftit, nismëtari i mazhorancës Arbjan Mazniku, në një intervistë për A2CNN, u shpreh se projekti i së majtës është më i miri i mundshëm në këto momente.

“Zgjidhja më e mirë që ka Shqipëria”, tha ai.

Mazniku nuk e fsheh merakun për të shpjeguar konceptin e qytetit, që mbetet pa këshill dhe kryetar të zgjedhur. Propozimin e demokratëve me 100 bashki, sipas tij, e kthen vendin pas në kohë, në periudhën e komunave.

“Propozimi i PD është si në kohën e komunave, rrinin të gjithë me vulë në çorape, bënin nga tre punë e prisnin ndonjë qytetar për të vulosur e firmosur ndonjë letër”, tha ai.

Socialistët jo vetëm që e përjashtojnë mundësinë për shtimin e bashkive, por janë të hapur që në të ardhmen harta të preket sërish në të ardhmen, për ta ulur edhe më tej numrin.

Mazniku thotë se “Reforma bëhet për t’i shërbyer dhe zgjidhur hallin e shqiptarëve dhe qytetarit, e jo ofiqarit”.

Të premten socialistët në komisionin e ligjeve duhet të mbrojnë tezën e tyre ndaj argumenteve të bashkive që janë kundër shkrirjes, ndërsa të hënën është parashikuar të miratohet nen për nen në të njëjtin komision, që më pas të miratohet në seancën e së enjtes.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x