19.7 C
Tirana
25 / 09 / 2026

“O hajdut, në burg”- Delina Fico zbulon se çfarë ndodhi mbrëmë në incidentin me protestuesit: Bëra gabim, por kishin 5 minuta që shanin, hapën kamerat vetëm…

Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka qenë “viktima” e radhës e protestuesve në Tiranë, të cilët i kanë shkuar në kafe me thirrjet: “Burg!”, “Burg!”, “O hajdut”.

Ish-ministri i Brendshëm ka ruajtur qetësinë duke iu kthyer vetëm me fraza:

“Ik se latë nam”.

Ajo që ka reaguar ka qenë bashkëshortja e tij, Delina Fico që është shfaqur shumë e shqetësuar nga thirrjet. Ajo ka tentuar të qëllojë me shishe uji në drejtim të protestuesve.

Ditën e sotme, Fico ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ku tregoi se çfarë ndodhi mbrëmjen e djeshme. Ajo u shpreh se nuk u përmbajt dot dhe u irritua kur protestuesit nisën të përmendnin edhe atë.

Sipas Ficos, protestuesit kishin 5 minuta që shanin para se ajo të bënte atë reagim. E pikërisht kur ajo mori shishen e ujit për ta hedhur në drejtim të tyre, ata hapen kamerat menjëherë.

Zonja Fico dënon dhunën dhe shprehet se tani jemi në demokraci dhe mund të dalim të protestojmë për të gjitha pakënaqësitë që kemi.

Pjesë nga intervista:

Delina Fico: Ne ishim në një lokal me miqtë. Ishin disa të rinj që nxorën kamerat dhe thonin ‘hajdut’. E më pas shtuan dhe gruan e aty u irritova. Nuk u përmbajta dhe i gjuajta me shishen e ujit. Bledi dhe miqtë më thanë mos i konsidero se ata vëmendje duan. Një ngjarje e trishtuar. Grupi ishte rreth moshës 20 vjeç. Ju drejtova më shumë vajzave që ishin aty dhe do kisha dëshirë ti takoja e të flisja me to, është një qëndrim i gabuar. Më lënduese ishte që grupi i të rinjve rrinte djathtas, ndërsa një burrë më i madh rrinte në të majtë dhe i dirigjonte, vetë fshihej si skuth. Gabim ata dhe gabim ndoshta unë që reagova ashtu. Ata vajza e djem nuk dinë për punën time, as për punën e partnerit tim. Është një tjetër gjë të kritikosh e të protestosh.

Sidorela Gjoni: A është e gjithë ngjarja ajo që pasqyrohet në video?

Delina Fico: Kishin 5 minuta që shanin para se unë të reagoja, kur ata e tepruan, sidomos kur më përfshinë mua. Unë bashkëjetoj me Bledi Çuçin, po nuk merrem me politikë. Ata kanë transmetuar vetëm momentin kur kam hedhur shishen e ujit.

Sidorela Gjoni: Çfarë mendon tani që sheh atë video?

Delina Fico: Më vjen shumë keq, jam e trishtuar. Pse disa të rinj i lejojnë vetes të të ofendojnë. Kanë problemet e tyre, të dalin në protestë. Unë mendoj se bëra gabim që qëllova me shishe por ndihem e fyer thellë. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Kam 40 vjet punë mbi shpatulla e le të më gjykojnë për çfarë kam bërë në jetë. Thonin Bledi Çuçi dhe gruaja hajdut, në burg. Përsëritet disa herë fjala grua dhe aty reagova. Është tepruar shumë. E di ca ishte më fyese? Fakti që hapën kamerat menjëherë, nuk e bëjnë se ju vjen nga zemra, por e bëjnë për të të filmuar sipas skenarit, të dalin në media dhe që menaxhohen nga burri që ishte aty. Manipulim i situatës.

Sidorela Gjoni: Çfarë komunikuat me zotin Çuçi?

Delina Fico: Këto që po të them ty. Pse ka ardhur puna kështu? Pse nuk jemi qytetarë që ta shprehim zemërimin tonë aty ku duhet? Jemi të gjithë qytetarë të këtij vendi. Ke pakënaqësi ndaj shtetit, dil në protestë. Janë metoda fashiste, duan të mbjellin pasiguri në vend. Ata mund të vinin të flisnin me mua dhe të më thonin jemi shumë të pakënaqur. I kemi të gjithë instrumentet të bëjmë grevë, protestë, duhet të marrë fund urrejtja. Kjo urrejtja e madhe për njerëzit e zgjedhur tani është vulgare, nuk të çon askund. Janë të manipuluar nga ai që ishte aty për të nxitur konflikte sociale.

Sidorela Gjoni: Përtej incidentit, cili është mendimi juaj personal për protestën?

Delina Fico: Protestat paqësore kanë mbështetjen time që nga dita e parë. Kam shoqëri dhe kushërinj që dalin në protestë, është e drejta e tyre. Ka patur njerëz që më kanë mbështetur, edhe ata që dalin në protestë sepse duan qytetari. Dhuna sjell dhunë. Konfliktet zgjidhen me institucionet.

Sidorela Gjoni: A mendoni që një person që është i zgjedhur me votë nga njerëzit duhet të kishte një reagim tjetër?

Delina Fico: Bledi është politikan, jo se është partneri im, është një nga figurat politike më me integritet. Nuk është hera e parë që i ndodh, nuk e meriton sulmin në kohën e tij të lirë kur është me familjen. Siç nuk dua që Bledi të flasë në emrin tim, as unë nuk mund të flas në emrin e tij.

Sidorela Gjoni: A ju vjen keq që iu linçojnë?

Delina Fico: Shumë keq më vjen, e kam thënë disa herë, jam një grua, bashkëjetoj me Bledin, kam punën time. Jam kundër dhunës ndaj çdo politikani, gazetari apo aktivisti. Është vijë e kuqe në jetën time dhuna.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x