29.5 C
Tirana
25 / 08 / 2026

Miliarderi mirëbërës: çfarë do të bëhet me 38 miliardë euro të një biznesmeni gjerman?

Nga Enver Robelli

Të hënën, lart mbi Liqenin e Zürichut, vdiq në moshën 89-vjeçare Klaus-Michael Kühne. Ai ishte pronar i kompanisë së logjistikës «Kühne + Nagel», një ndërmarrje botërore dhe prijëse në transportin detar e ajror, me 88 mijë punëtorë në 100 vende dhe 1300 baza operative. Selinë kryesore «Kühne + Nagel» e ka në Zvicër.

Klaus-Michael Kühne lindi më 1937 në Hamburg. Biznesin nuk e nisi nga zero: kompaninë e kishte themeluar gjyshi i tij, August Kühne, më 1890, së bashku me Friedrich Nagel. Pasuria e Klaus-Michael Kühne vlerësohej nga revista «Forbes» në mbi 38 miliardë euro.

Me bashkëshorten e tij nuk patën fëmijë. Kühne u kujdes me kohë që pasuria e tij të shfrytëzohej për të mirën e shoqërisë. Në vitin 1976 themeloi në Zvicër fondacionin «Kühne-Stiftung», i cili përkrah financiarisht kërkimet shkencore në fushën e logjistikës dhe të mjekësisë, mbështet kulturën dhe investon në mbrojtjen e klimës.

«Kur unë të mos jem më», kishte thënë Kühne vite më parë, «pasuria le t’i kalojë fondacionit.»

Për ndërtimin e një opere të re në Hamburg dha 300 milionë euro. Edhe klubin e futbollit HSV të Hamburgut e mbështeti me jo pak para. Po ashtu përkrahu festivalet në Luzern dhe Salzburg. Në Hamburg ndërtoi hotelin «The Fontenay» – suita më e shtrenjtë aty kushton 9000 euro. Për një natë!

Nganjëherë ia plotësonte vetes edhe ndonjë dëshirë. Në verën e vitit 2024, miliarderin Klaus-Michael Kühne e pengonte një zhurmë që dëgjohej afër vilës së tij në Palma de Mallorca. U interesua të mësonte se ç’po ndodhte dhe kuptoi se aty pranë ishte hapur një kantier, ndërsa punimet do të zgjasnin disa muaj.

Kühne nuk u pajtua me këtë situatë. Nxori kuletën dhe e bleu për disa milionë pronën në fqinjësi – «po aq natyrshëm sa ç’blejnë të tjerët një këmishë të re», siç shkruan revista «Der Spiegel».

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x