Forcat ukrainase kanë ndërmarrë një nga sulmet më masive me dronë ndaj Moskës në vitet e fundit, ndërsa Rusia iu përgjigj me sulme me raketa ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se mbrojtja ajrore ruse u përball me më shumë se 600 dronë që po fluturonin drejt kryeqytetit. Sipas tij, rreth 200 prej tyre u rrëzuan përpara se të arrinin objektivat.
Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, e përshkroi sulmin si “një nga sulmet më masive me dronë që kanë ndodhur vitet e fundit”. Ai tha se gjashtë persona u plagosën në rajon.
Një prej dronëve shkaktoi gjithashtu një zjarr në një depo të kompanisë së tregtisë elektronike Wildberries. Kompania është goditur disa herë më parë nga sulmet ukrainase. Në mesin e korrikut, Kievi kishte goditur rreth 20 depo dhe ndërtesa të saj.
Ndërkohë, Rusia ndërmori sulme me raketa ndaj Ukrainës. Në rajonin e Zaporizhias, dy persona u vranë, ndërsa një tjetër humbi jetën në Krivyi Rih, qyteti i lindjes së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Më shumë se 20 persona u plagosën në Kiev, Brovary, Krivyi Rih, Odessa dhe në rajonin e Dnipropetrovskut.
Forcat ruse goditën gjithashtu dy objekte industriale në Krivyi Rih, bëri të ditur kreu i këshillit rajonal të mbrojtjes, Oleksandr Vilkul.
Sulmet e ndërsjella vijnë në një moment kur Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar përdorimin e dronëve dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, duke goditur gjithnjë e më shpesh objektiva në thellësi të territorit të njëra-tjetrës.
- Rrezikohet kontrolli i Kongresit, Trump mobilizon miliona dollarë për republikanët. Plani për përmbysjen e situatës - 16/08/2026
- Sulm masiv me dronë ndaj Moskës/ Rusia kundërpërgjigjet me raketa në Kiev, 3 të vrarë dhe 12 të plagosur - 16/08/2026
- “Vejusha e Zezë” e Iranit, akuzohet për 11 vrasje/ Si i helmonte burrat e moshuar pasi martohej me ta - 16/08/2026