Senatori amerikan Bernie Sanders u ka bërë thirrje drejtuesve të kompanive kryesore të inteligjencës artificiale, OpenAI, Anthropic dhe Meta, që të pezullojnë zhvillimin e sistemeve të reja të AI.
Në një letër drejtuar Sam Altman, Dario Amodei dhe Mark Zuckerberg, Sanders paralajmëroi se Kongresi mund të ndërhyjë nëse kompanitë nuk marrin vetë masa për të frenuar zhvillimin e teknologjive që ai i konsideron potencialisht të rrezikshme.
“Për të mirën e njerëzimit, mbajeni fjalën tuaj. Ngrini zhvillimin e inteligjencës artificiale”, shkroi Sanders, duke kërkuar që kompanitë të ndalojnë ndërtimin e sistemeve që mund të dalin jashtë kontrollit njerëzor.
Senatori amerikan theksoi se kompanitë dhe drejtuesit e tyre kanë bërë më herët deklarata se do të ngadalësonin zhvillimin nëse sistemet e AI do të bëheshin shumë të rrezikshme.
“Le të jem absolutisht i qartë: Nëse nuk ndërmerrni veprimet e duhura tani, unë dhe kolegët e mi në Senatin e SHBA-së do ta bëjmë”, paralajmëroi Sanders.
Shqetësimet për sigurinë e inteligjencës artificiale janë intensifikuar muajt e fundit, veçanërisht lidhur me përdorimin e AI për zhvillimin e patogjenëve dhe me raste kur modelet kanë shfaqur sjellje të paparashikueshme.
Sanders ka qenë prej kohësh një nga zërat në Kongres që kërkon kufizime më të forta ndaj zhvillimit të AI. Në mars, ai dhe kongresmenia Alexandria Ocasio-Cortez propozuan një moratorium federal për ndërtimin e qendrave të të dhënave të AI, duke argumentuar se nevojiten masa mbrojtëse përpara zgjerimit të mëtejshëm të teknologjisë.
Sipas Sanders, zhvillimi i AI duhet të shoqërohet me mbikëqyrje demokratike dhe rregulla që garantojnë se teknologjia nuk do të dëmtojë shoqërinë, ekonominë apo sigurinë njerëzore.