Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në 9 gusht për zjarrin e madh që përfshiu malin e Krujës, duke vlerësuar punën e forcave që u angazhuan për shuarjen e flakëve.
Rama bëri të ditur se beteja me zjarrin përfundoi me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe pa persona të dëmtuar. Ai theksoi se situata ishte veçanërisht e vështirë për shkak të erës së fortë dhe pamundësisë për të përdorur gjatë natës mjetet zjarrfikëse nga ajri.
Sipas kryeministrit, forcat zjarrfikëse, ushtarake dhe policore u përballën me flakët me heroizëm dhe profesionalizëm. Rama vlerësoi se ndërhyrja e tyre shmangu një bilanc tragjik për banorët e zonës.
Në reagimin e tij, kryeministri shpreh respekt dhe mirënjohje për të gjithë efektivët që janë në vijën e zjarreve gjatë këtij gushti të vështirë. Ai tha se banorët e Krujës nuk ishin vetëm gjatë orëve të vështira të natës. Për të ilustruar situatën e krijuar, Rama publikoi edhe një mesazh të marrë nga një prej banorëve që kërkonte përforcime për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit.
Në mesazh, qytetari vlerësonte punën e forcave në terren dhe theksonte se “shteti është në këmbë i tëri”.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese.
Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës: “Zoti Kryeministër ! Ju lutem zjarri po merr përmasa të mëdha në Krujë! Po punojnë si heronj, Zoti ia shperbleftë …por era po e përhap me shumë shpejtësi. Në është e mundur për përforcime të tjera. Shteti është në këmbë i tëri”, shkruan kryeministri.