Fitorja e kandidatit progresist Abdul El-Sayed në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike për Senatin në Michigan ka rikthyer debatin mbi ndikimin e grupeve pro-izraelite në politikën amerikane.
El-Sayed fitoi pavarësisht një fushate të madhe financiare të mbështetur nga grupe pro-izraelite në favor të rivales së tij Haley Stevens. Rezultati shihet si një kthesë e rëndësishme për demokratët në Michigan dhe si një shenjë e rritjes së zërave më të majtë brenda partisë.
Kandidati 41-vjeçar është mjek me profesion, bir i emigrantëve egjiptianë dhe një figurë jashtë skemave tradicionale politike. Ai ka ndërtuar imazhin e tij mbi një komunikim të drejtpërdrejtë dhe shpesh provokues.
“Unë nuk jam këtu për të qenë i sjellshëm“, është një nga mesazhet që ka shoqëruar fushatën e tij.
El-Sayed ka bërë deklarata të forta gjatë viteve të fundit, veçanërisht për çështjet e Lindjes së Mesme, Izraelin dhe politikën e jashtme amerikane. Ai ka kritikuar ndihmën amerikane për Izraelin dhe kërkon ndryshime të mëdha në politikat sociale.
Edhe pse nuk është zyrtarisht pjesë e Demokratëve Socialistë të Amerikës (DSA), El-Sayed ka marrë pjesë në disa aktivitete të këtij grupimi dhe ndan disa nga prioritetet e tij kryesore, si zgjerimi i kujdesit shëndetësor publik për të gjithë qytetarët, reduktimi i mbështetjes financiare për Izraelin dhe vendosja e një takse mbi pasurinë.
El-Sayed ka studiuar mjekësi, por nuk ka ushtruar profesionin. Prej rreth një dekade ai punon në drejtimin e sektorit publik të shëndetësisë në Michigan.
Fitorja e tij shihet nga analistët si një tregues i zhvendosjes së debatit politik amerikan drejt ideve më progresiste, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në qendër të politikës amerikane.
Gjatë fushatës, El-Sayed është mbështetur edhe nga figura të njohura të së majtës amerikane, ndërsa kundërshtarët e kanë kritikuar për qëndrimet e tij ndaj Izraelit dhe për disa deklarata të diskutueshme.
Pavarësisht sulmeve ndaj tij, ai ka arritur të fitojë mbështetje të konsiderueshme, përfshirë edhe nga shumë votues gra, ndërsa akuzat se është “shumë i majtë” për të fituar në zgjedhjet e përgjithshme nuk duket se e kanë dobësuar fushatën e tij.
Në nëntor, El-Sayed do të përballet me kandidatin republikan Mike Rogers. Ai ka deklaruar se pret një fitore të thellë, duke e cilësuar kundërshtarin e tij një “politikan të vjetër”.
Mbështetësit e tij e krahasojnë ngjitjen e tij politike me raste të tjera të kandidatëve jashtë establishmentit që kanë arritur fitore të papritura në politikën amerikane.
- Mungesa e likuiditetit alarmon bankat ruse, ekonomia e luftës vë nën presion financat e Moskës - 05/08/2026
- Fitorja e kandidatit Abdul El-Sayed në Michigan rihap debatin për ndikimin e lobit pro-izraelit në SHBA - 05/08/2026
- “Pueblo”: Një spanjolle nga Valencia e mbetur gjatë komunizimit në Lushnjë - 05/08/2026