35.5 C
Tirana
29 / 07 / 2026

“Rusia humb rreth 30 mijë ushtarë në muaj”, Zelensky: Pavarësisht dështimit, Putin refuzon t’i japë fund luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Rusia po pëson humbje të mëdha në luftë, por presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të refuzojë përfundimin e konfliktit.

Në një intervistë për Fox News, pas pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të senatorit amerikan Lindsey Graham, të cilin e cilësoi si një “mik të madh të popullit ukrainas”, Zelensky tha se Rusia humb rreth 30 mijë ushtarë çdo muaj.

“Putini humb 30 mijë ushtarë në muaj. Janë humbje të mëdha, megjithatë ai nuk dëshiron ta ndalë këtë luftë. Prandaj, iniciativa nuk është më në duart e tij”, u shpreh presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi se Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë të njëjtin objektiv: përfundimin e luftës.

“Ne duam t’i japim fund kësaj lufte. Presidenti Trump e dëshiron këtë, evropianët gjithashtu e duan. Vetëm Putini nuk e dëshiron. Ne kërkojmë çdo ditë që lufta të ndalet. Prandaj duhet të reagojmë, të jemi të vendosur dhe të fortë. Ne mbështetemi te sanksionet. Projektligji i Lindsey Graham ishte shumë i rëndësishëm”, deklaroi ai.

Një ditë më parë, më 28 korrik, Zelensky u prit në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump. Takimi u cilësua nga presidenti ukrainas si “pozitiv dhe produktiv”.

“Patëm një takim të mirë me presidentin Trump në Zyrën Ovale. Faleminderit për gjithçka që bëjmë së bashku për të mbrojtur jetët e ukrainasve dhe për të avancuar paqen”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale pas takimit.

Ai bëri të ditur se fillimisht i shprehu ngushëllimet presidentit amerikan për ndarjen nga jeta të senatorit Lindsey Graham, ndërsa më pas diskutuan për bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

Sipas Zelenskyt, bisedimet u fokusuan në licencat për prodhimin e raketave interceptuese Patriot, si dhe në iniciativa të tjera që mund të ndihmojnë Ukrainën. Gjithashtu, të dy liderët diskutuan edhe për rilançimin e procesit diplomatik, ndërsa ekipet e tyre do të vazhdojnë punën për detajet e komunikimeve të ardhshme.

Presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x