22.4 C
Tirana
22 / 06 / 2026

Unë jam një protestues. – Logjika ime mbi Protestën

Nga Loer Kume *

Këto ditë kam lexuar komente pafund, të një turme njerëzish që nuk e dinë realisht pse janë në protestë, si gjithashtu kam lexuar komente të njerëzve me logjikë, integritet, qytetari, që e dinë shumë mirë pse po protestojnë. Dhe këtyre njerëzve, qytetarëve, miqve, u dedikohet ky shkrim.

Ndërsa turmave të ekzaltuara të “hunëve”, me hunj mendorë në kokë (fatmirësisht jo në dorë), çfarëdo t’u thuash, prapë do thonë të tyren, ndaj uroj të kursejnë kohën e tyre e mos merren me këtë shkrim.

Unë, të dashur miq, jam një protestues.

Kam dalë në shesh e protestuar kundër armëve kimike. Kam dalë në shesh e kam protestuar, kam organizuar protestën e profesioneve të lira. Gjithçka e organizuar në rrjete sociale.

Kam mbështetur si kam mundur protestën e studentëve pa kërkuar protagonizëm, por sepse mendoja që shumë gjëra të tyre qëndronin.

Vendosa të jem në krah të Edi Ramës si deputet i Partisë Socialiste pikërisht për të mos mbetur në fjalë e në protesta, por për të bërë atë që mundem më mirë për Shqipërinë. Me forcën e vetme qê është progresiste për ta realizuar këtë qëllim.

Këtë, duke lënë mënjanë punët e ambiciet e mia personale. Sepse kam bindjen që, edhe pse stili i tij eksentrik sot acaron shumë njerëz protestues,

Edi Rama ka dëshirën dhe vullnetin të dalë kundër çdokujt për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar e fantastik, të denjë për të parë në sy e për të ecur paralel me çdo vend tjetër.

Jam një njeri që e njoh mirë protestën. Jam një dishepull i njëfarë plaku gjerman, Kantit, që mbi të gjitha predikonte: “Mendo me kokën tënde”.

Dhe gjithmonë kam menduar me kokën time.

Dhe kam kriter në jetën time, qoftë politike, artistike, të kërkoj të vërtetën.

Mbi këto bindje e lexime, kam krijuar doktrinën filozofike esencialiste. T’i shkosh gjërave në esencë për të gjetur atë të vërtetën e fshehur e të pastër, në epokën e “gjithçka është e vërtetë”. Për ta bërë jetën më të thjeshtë në një ritëm e botë të mbushur e konsumiste.

Tani vijmë te situata jonë. Analiza ime ka kaluar pikërisht në filtrin e esencializmit për të arritur në këto konkluzione.

Kemi tri protesta brenda një proteste.

E para, është protesta kundër projekteve investuese.

Ose, ta shohim në sy, protesta antikapitaliste, antipronë, neokomuniste e shtyrë dhe fryrë nga e majta ekstreme në mbarë botën. Nisi si protestë ambientaliste, por e tregoi shpejt qëllimin e saj.

Jam esencialisht kundër.

Shqipëria është vendi i denjë për të pasur kulla spektakolare, resorte madhështore dhe gjithçka të mrekullueshme që njeriu mund të krijojë. Mjaft më me karagjozllëkun dhe pretendimin injorant, të “ronë, djathë, shalqi e xhiro me komardare”.

Nuk mund të jemi krenarë që ecim ende me karroca me kuaj, ndërsa bota shkon përpara me raketa.

Dhe pikë.

Kush ne, kush ju, kush do, të vijë e të investojë në Shqipëri e të bëjë mrekullira, qoftë i mirëseardhur.

Ne duam ta shohim Shqipërinë si Barcelona, Valencia, Dubai, Ibiza e çdo vend i mrekullueshëm në botë.

Protesta numër dy.

Kjo është ajo që ka nxjerrë në rrugë millennials, dhe një pjesë të Gen Z.

Është protesta që u incentivua nga zvarritja e një protestuesi nga, për më tepër, një kompani private, ndërsa policia bënte sehir. Kjo është protesta ndaj arbitrares. Protesta ndaj zaptimit, mosrespektimit, përvetësimit të publikes. Protesta e prerjes së pemëve, e gardheve të mbira pa pikë përgjegjësie ndër vite e vite, që janë futur tashmë në gjenetikën tonë si frikë triviale.

Ky është makthi më i madh i shqiptarëve.

Makth sepse e pengojnë të shfrytëzojë publiken, atë të gjithë shqiptarëve.

E kjo ka ardhur përgjatë dhjetëra viteve.

Makth kur në Palasë ndërtohen mijëra vila, me të drejtë të pronarit e investitorit, por përvetësohet dhe bregdeti si të jetë privat.

Makth kur në Durrës, ndërsa ecën në breg të detit, të dalë përpara muri i resortit Prestige e të pengon detin, bashkë me dy torra vrojtimi si të jetë ndonjë tokë bajraku.

Makth kur në Parkun e Liqenit të Tiranës filluan të mbijnë pallate e vila.

E sa e sa raste të tjera.

Ndër vite, humbëm principin e sociales, atë që është e përbashkëta, publikja dhe respekti ndaj saj. Çdokush i fuqishëm ekonomikisht, që me të drejtë investon, merr arbitrarisht edhe të drejtën të pushtojë. Dhe për këtë mendoj se shteti duhet të bëjë shumë më shumë.

Dhe mbi këto fakte neve na duhet një reflektim dhe revizionim i thellë.

Shqipëria në tërë këto vite, u kthye nga një vend në zhvillim, shumë shpejt në një vend të Bashkimit Europian, e tëra nën drejtimin e socialistëve, por gjithashtu, pushteti ka kaustikën e vet, grryen pa dashur, ndaj protesta e tipit të dytë, është shërimi ynë.

Respekt ndaj publikes.

Respekt ndaj të përbashkëtës.

Dëbim për këdo që dhunon publiken.

Dhe jam gati të përfaqësoj këtu çdo rast të zaptimit dhe dhunimit të publikes.

Dhe Kryeministri Rama ka bërë të njëjtën gjë kur ka krijuar portalin e hapësirës publike.

E përbashkëta, është zanafilla e socializmit.

E përbashkëta është esencialja që na bën njerëz.

Por, kemi dhe një protestë të nivelit të tretë.

Të dashur miq, protesta e kësaj përmase, ku mediat e agjencitë botërore flisnin për shitje ishujsh, blerje toke, shitje vendi, dhunë kapitaliste, duhet të jetë vërtet shumë naiv kushdo që mendon se kjo është rastësore.

Kërkon një dozë të madhe naiviteti të mendosh se aktivizimi i botës së madhe në Shqipërinë e vogël, është çështje flamingosh apo çështje mjedisi.

Loja që po luhet është shumë e madhe. Ne kurrsesi s’duhet të biem pre e karremave të forcave të mëdha globale, e të kthehemi në karrem të lirë e të mirë për lojëra të tjera të mëdha.

Bëhuni esencialë. Informohuni mirë përpara. Dhe kini guximin të mendoni me kokën tuaj.

Turma në protestë është romantike, nxit shpirtin e të përbashkëtës, ështê emocion, por kjo nuk është garanci as për drejtësi, as për mbarëvajtje. Sidomos kur po flasim për një epokë të Post Truth, kur çdo gjë që thuhet është e vërtetë, çdo gjë që shkruhet është e vërtetë. Është e vështirë të gjesh të vërtetën mes tërë këtyre të vërtetave të marra të mirëqena.

Vjen një moment shumë i rrezikshëm e intim, kur duhet të vendosësh me vete, a je me shqiponjën e egër apo me flamingon rozë?

Vendimi është i juaji.

Faleminderit.

*Deputet

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x