26.3 C
Tirana
10 / 06 / 2026

Antoni Gaudi, “Dante i arkitekturës”, mishërimi i një prej stuhive më të pangjasshme të shpirtit estetik

Më 10 qershor 1926, rrugët e Barcelonës dëshmuan një skenë që mbartte përmasat e një parabole biblike. Një i moshuar, i veshur me rroba të rreckosura, pa dokumente identifikimi në xhep dhe i goditur për vdekje nga një tramvaj, u mor fillimisht për një lypës i rëndomtë. Askush nuk po nxitonte të shpëtonte atë trup të brishtë, derisa dikush njohu nën ato rrecka Antoni Gaudín. Ky kontrast pothuajse mistik mes varfërisë ekstreme njerëzore dhe gjenisë absolute krijuese vulosi ikjen e njeriut që guxoi të përkthente të mbinatyrshmen në gjuhën e arkitekturës.

Sot, saktësisht një shekull pas asaj nate ku drita e tij u shuajti në tokë për t’u ndezur në amshim, udhëtimi i tij nuk ngjan me një histori thjesht biografike, por me një shtegtim shekullor të shpirtit që kërkon të mbërrijë qiellin përmes gurit. Sagrada Família nuk është një monument; ajo është një liturgji e gjallë e shkruar mbi lëkurën e tokës, një testament ku besimi dhe arti shkrihen në një akt të vetëm bashkë-krijimi me Hyjnoren.

Për Gaudín, arti nuk ishte kurrë një qëllim në vetvete, as një kapriço estetike e borgjezisë apo një manifestim i egos njerëzore. Filozofia e tij e famshme, “Origjinaliteti konsiston në kthimin te origjina”, mbart një peshë më tepër ontologjike sesa gjuhësore. Të kthehesh te origjina do të thotë të kthehesh te Krijuesi. Prandaj, ai e shihte natyrën si “Librin e Madh” të hapur nga Zoti, një tempull suprem ku çdo formë mbart një funksion dhe çdo funksion dëshmon një të vërtetë absolute.

Në këtë qasje, Gaudí bën një kapërcim radikal nga tradita arkitekturore njerëzore:

Refuzimi i vijës së drejtë

Për të, vija e drejtë ishte një shpikje e ngurtë njerëzore, një imponim artificial mbi botën. Natyra nuk njeh vija të drejta; ajo pulson përmes lakoreve, hiperboloidave dhe strukturave organike.

Biologjia si strukturë

Kolonat e tij nuk janë thjesht shtylla mbajtëse; ato janë trungje pemësh që degëzohen për të pritur peshën e qiellit (harqeve). Bukuria e veprës së tij lind nga e vërteta strukturore. Estetika nuk është e qëndisur sipërfaqësisht mbi gur, por buron organikisht nga efikasiteti i natyrës.

Duke ndjekur këto ligje, Gaudí nuk ndihej thjesht një arkitekt që projektonte një hapësirë, por një bashkëpunëtor i Zotit në “Krijimin e Vazhdueshëm”. Puna në kantierin e katedrales ishte për të një formë asketizmi, një lutje aktive ku çdo goditje e daltës mbi gur kishte peshën e një rrufeje mistike.

Nëse struktura e Sagrada Família-s është trupi, drita është padyshim shpirti i saj. Teologjikisht, Gaudí e trajton dritën si urën e ndërmjetme mes shpirtit (të paprekshëm) dhe materies (së prekshme). Ai nuk e përdor dritën për të ndriçuar një dhomë, por për të ndryshuar gjendjen ekzistenciale të njeriut që hyn në të.

Ky udhëtim i diellit brenda katedrales ripërtërin çdo ditë ciklin e lindjes, vdekjes dhe ringjalljes.

Për më tepër, çdo numër dhe formë gjeometrike mbart një kod teologjik. Përdorimi i pandalshëm i strukturave trekëndore dhe triadave nuk është thjesht stabilitet matematikor, por një evokim i vazhdueshëm i Shën Trinisë. Hapësira arkitekturore pushon së qeni pasive; ajo shndërrohet në një rrymë ngjitëse që e tërheq vështrimin dhe shpirtin e vizitorit lart, drejt pafundësisë.

Kur një njeri hyn sot në Sagrada Família, përshtypja e parë thonë se nuk është ajo e të qenit brenda një kështjelle mesjetare apo një katedraleje klasike gotike, ku guri shpesh të shtyp me peshën e tij historike dhe autoritetin institucional. Ndjesia është ajo e humbjes brenda një pylli misticizmi.

Përmes vitrazheve të panumërta, drita filtrohet sikur të kalonte midis gjetheve të një pylli monumental. Ky transformim i gurit të rëndë në një atmosferë qiellore dhe pothuajse të pashpirtë, mbart një mesazh të thellë: ai na kthen te Zanafilla dhe na projekton te Apokalipsi. Tempulli bëhet Jeruzalemi Qiellor, parajsa e humbur dhe e rifituar ku njerëzimi mund të ecë sërish krah për krah me Krijuesin në kopshtin e parë të qenies.

Në një shekull ku njerëzimi u dashurua pas rrokaqiejve të ftohtë prej xhami e çeliku, pas shpejtësisë korrozive dhe pas harresës së shpirtit, rrugëtimi i Gaudí-t mbetet një ishull i palëkundur shprese. Ai, djali i një kazanxhiu provincial, i cili mësoi të kuptonte vëllimin dhe hapësirën duke parë të atin të kthente fletët e rrafshëta të metalit në enë treditensionale, ruajti deri në fund një thjeshtësi të frikshme për botën moderne.

Kur e pyesnin se pse kjo vepër po zgjaste aq shumë dhe kur do të përfundonte, ai përgjigjej me një qetësi monumentale: “Klienti im nuk nxiton”. Dhe “Klienti” i tij ishte Ai që mat kohën me shekuj dhe epoka.

Një shekull pas vdekjes së tij, teksa Sagrada Família i afrohet me hapa të sigurt përfundimit të saj madhështor me Kullën e Jezu Krishtit që synon të prekë kupën e qiellit, ne kuptojmë se Gaudí nuk ndërtoi thjesht një kishë. Ai dëshmoi se kur besimi dhe gjenia njerëzore bëhen një trup i vetëm, guri mund të flasë, drita mund të lutet dhe arkitektura mund të shndërrohet në një urë të artë që lidh pluhurin e tokës me amshimin e qiejve.

Në kriptën e thjeshtë të kishëzës së Virgjëreshës Carmen, ku eshtrat e tij pushuan pas asaj nate tragjike të vitit 1926, nuk fle thjesht një arkitekt spanjoll. Aty pushon dëshmia e gjallë se njeriu, kur pranon të jetë vegël në duart e Krijuesit, mund të lërë pas një gjurmë që as koha, as vdekja dhe as harresa nuk mund ta fshijnë dot. Ajo që ai la pas nuk është një ndërtesë, është një Bibël prej guri që do të vazhdojë t’i flasë njerëzimit për sa kohë drita e agimit të prekë Fasadën e Lindjes.

Albert Vataj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x