26.5 C
Tirana
01 / 06 / 2026

Replika opozitare

Nga Ledio Alite

“Nëse nuk duam të konkurrojmë dhe të rrijmë të turizmi i masës që prodhon vetëm mbetje, mund ta bëni, por jo me mua. Tani ne na duhet turizmi i klasit që të na sjelli shumë para, jo për mua, për ju…” – tha sot Kryeministri i vendit. 

Në fakt, ky qendrim i tij ka qenë qysh prej se ka marrë i vetëm mazhorancën në 2017, 2021 dhe 2025, kur sa herë vinin zgjedhjet, një në dy shqiptarë as dilnin të votonin fare. 

Fraza e mësipërme është kryefjala e këndvështrimit të tij për Shqipërinë, për të cilin në vlerësimin e tij, ju e keni votuar. Dhe këtë frazë ne e dëgjojmë shpesh edhe në çdo mejhane, ku të parët që nuk ngurrojnë të hedhin betonin janë pronarët e tokave të cilët i luten Zotit t’i vijë ndonjë ndërtues e t’i realizojë ëndrrat. 

Që të jemi të sinqertë, ky diskutim do pak integritet. Të arrish të dallosh zhvillimin sipërfaqësor nga ai thelbësor është një dhunti e shteteve, në sfidën e të cilës ne deri tash kemi dështuar. 

E gjithë fraza kryefjalë e këndvështrimit të mësipërm, e përkthyer dhe e zbërthyer është kjo: “Ne (shqiptarët) jemi hallexhinjtë që na duhen paratë…”.

Në emër të kësaj kauze që ka lindur qysh në vitin 1991 nga traumat e rradhës së bukës e të qumështit, janë shtruar e po shtrohen pra vizione të tilla të cilat për sa kohë do të mbështeten kanë të drejtën të mbrojnë tezën e tyre deri në fund. 

Ashtu sikurse ka të drejtën të mbrojë tezën e vet, pala që ka një këndvështrim tjetër për zhvillimin. Zhvillimin jo me kryefjalë materien, investimet të cilat i trajtojnë shqiptarët si hallexhi që marrin 5 lekë e të cilat nuk i dalin as për të shkuar te dera e investitorit. 

Një zhvillim që fillon nga arsimi, që fillon nga një ekonomi e mirëstudiuar dhe gjithëpërfshirëse, një ekonomi e dekriminalizuar. Sepse vendi ndërtohet nga themelet dhe themelet janë njerëzit, investimet tek njerëzit dhe zhvillimi i tyre intelektual. Ky është dallimi kryesor midis zhvillimit sipërfaqësor dhe atij thelbësor. Sepse ky zhvillim sipërfaqësor, po udhëheq depresionin ekonomik dhe psikologjik të brumit social, të burimit më të madh të të ardhurave të shtetit, që është vetë individi, shtetasi! Për të mos folur më pas për pasurimin e shpërpjestuar të një pakice e cila në emër të zhvillimit, me këtë pasurim galopant në kurriz të injorancës po prish balancat ekonomike të vendit. 

Çdo qeveri është e lirë të ndërtojë narrativën e saj për sa kohë merr pushtetin. I mbetet qytetarëve të vlerësojnë a është kjo narrativë e drejtë apo jo. I mbetet qytetarëve ta votojnë apo ta kundërshtojnë. I mbetet qytetarëve të vlerësojnë nëse përpara se të flasim për zhvillime klasi, a jemi ne në rradhë ta parë, qytetarë klasi? Kjo është pikëpyetja më e madhe që ndan diskutimin, sepse i gjithë shteti shqiptar prej vitesh është orientuar mbi këtë teori, mbi këtë “doktrinë” zhvillimi algoritmik, e jo njerëzor.

E ndërsa reflektoja mbi këtë temë mu kujtua një citim i Perandorit Japonez në filmin Samurai i Fundit: “Kam ëndërruar një Japoni të unifikuar. Një vend i fortë, i pavarur dhe modern. Tani ne kemi hekurudha (investime) dhe veshje klasi perëndimore. Por ne nuk mund të harrojmë se kush jemi, apo se nga vijmë”.

Këtë fjalinë fundit, serioze, ende deri sot nuk e kam dëgjuar në shqipen shtetërore.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x