Komuniteti i banorëve që jetojnë në Rrugën e Balshajve do të kenë shumë shpejt një zonë të rikualifikuar që do të plotësojë kërkesat e tyre për urbanizimin dhe zhvillimin e saj. Gjatë inspektimit të investimve në Kodër – Kamëz, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, tha se përmes realizimti të këtij projekti janë krijuar hapësira më të sigurta për banorët, duke i dhënë fund përmbytjeve në këtë zonë.
“Jemi këtu tek zona e qymyrmbajtëses në Kodër-Kamzë, një zonë e cila ka qenë komplet informale, që nga kanalizimet deri tek çdo lloj elementi tjetër i sigurisë në rrugë. Tani, jo vetëm që janë bërë të gjithë sistemimet e përmbytjeve që ndodhnin shpesh, pasi kolektori duhej bërë nga fillimi, por ka të gjithë elementët e sigurisë rrugore. Elementë që për fat të keq, nuk ndodhen në të gjithë lagjet tona, por për çdo investim të ri, jemi kujdesur që të ekzistojnë”, deklaroi Ristani.
Për Kryearen e komanduar të Bashkisë së Tiranës kjo ndërhryje është një investim shumë i madh, pasi janë rreth 2000 metra rrugë, 1500 të tilla janë vetëm sipërfaqe e trotuarëve dhe pjesa tjetër është pjesa e makinave.
“Jemi duke sistemuar edhe qarkullimin e të gjithë segmenteve, sepse bëhet fjalë për disa blloqe ndërtesash, ku kalimi do të bëhet një herë nga njëri krah për njërin dhe nga njëri krah për tjetrin, në mënyrë që të mos pengohen më pas edhe kalimet në trotuar dhe të mos pengojmë edhe rrugën për qarkullim”, tha Ristani.
Më tej, ajo theksoi se ky investim ndikon direkt në përmirësimin e cilësisë së jetesës në periferi të Tiranës.
“Ky është një nga disa investime që ka Njësia Adminsitrative nr. 11, për të rehabilituar jo vetëm atë që është një infrastrukturë shumë e rënduar, – për shkak të gjithë zhvillimit që është bërë pa “shtyllën kurrizore” të rrjetit rrugor dhe sistemimit të ujërave të bardha e të zeza -, por edhe për të rritur cilësinë dhe ndërgjegjësimin e komunitetit, në mënyrën si komunikojmë, në mënyrën si i japim hapësirë njeri-tjetrit dhe në mënyrën si ndajmë hapësirën e përbashkët”, përfundoi Ristani.
Projekti synon transformimin e plotë të infrastrukturës në një nga zonat veri-perëndimore të Tiranës, e kufizuar nga rrugët “Kastriotët”, “Ali Ibra” dhe “Hasan Vathi”.
Ndërhyrja përfshin rikonstruksionin e plotë të rrjetit rrugor, ndërtimin e trotuareve të reja, kanalizimet e ujërave të ndotura dhe të shiut, vendosjen e ndriçuesve LED, sinjalistikën rrugore vertikale dhe horizontale, si dhe gjelbërimin dhe arredimin urban me pemë dekorative, stola, kosha mbeturinash dhe parkime biçikletash. Ky investim synon përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve, rritjen e sigurisë dhe aksesit, si dhe ofrimin e standardeve bashkëkohore të shërbimeve publike në zonë.