19.5 C
Tirana
06 / 05 / 2026

Rama në ceremoninë e lamtumirës të Pëllumbit: Do të mbetet pikë referimi në historinë e ndryshimit të epokave

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën gjatë homazheve në nder të Servet Pëllumbi, duke e cilësuar atë si një figurë që do të mbetet pikë referimi në historinë e ndryshimeve në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama ndau edhe raportin personal me Pëllumbin, duke treguar se marrëdhënia e tyre kishte kaluar nga një antipati në distancë në një vlerësim të thellë në afërsi.

Marrëdhënia ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj një simpatie reciproke në afërsi. Për vite, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja… por për surprizën time kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës dhe solidar në momente të vështira”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se ish-kryeparlamentari ishte një mbështetës i heshtur, që shpesh i dërgonte mesazhe inkurajuese në momente të vështira, duke e ndihmuar të shihte përtej paragjykimeve dhe etiketimeve publike.

Ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimit tim, përballja me realitetin e njeriut, përtej etiketimeve dhe kornizimit të tij në sferën publike dhe për surprizën time kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira, i cili befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur, duke më çuar  fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh që përtej atyre që dukeshin, ishte një kategori njerëzish të cilët e ndiqnin dhe vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi dhe vërtetësi”, theksoi kryeminmistri.

Duke reflektuar mbi humbjen, Rama u shpreh se ndarja nga jeta e Pëllumbit erdhi si e papritur për të, ndërsa e kujtoi si një njeri aktiv dhe të përkushtuar deri në fund.

Kur një njeri largohet, shumëçka që lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrimi i gjërave si rezultati i momentit të tretet në kohë, profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të ndryshimit të epokave dhe padyshim një pikë referimi edhe për të gjithë ata që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat dhe historinë e vetë të PS”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Rama vlerësoi figurën njerëzore të Pëllumbit, duke theksuar se ai do të kujtohet si “një burrë i mirë, i ndershëm, i mençur dhe mbi të gjitha babaxhan”, ndërsa i shprehu ngushëllimet familjes dhe të afërmve.

Servet Pëllumbi u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një kontribut të spikatur në jetën politike dhe akademike të vendit, si një nga figurat më të rëndësishme të parlamentarizmit shqiptar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x