16.5 C
Tirana
22 / 04 / 2026

“Grua e keqe, tradhtare dhe fashiste”, gazetari rus fyen publikisht Melonin. Reagon ashpër Italia

Gazetari dhe prezantuesi rus Vladimir Solovyov ka shkaktuar polemika të forta në Itali, pasi ka fyer publikisht kryeministren italiane Giorgia Meloni gjatë emisionit të tij “Polnyj Kontakt”. Duke folur në rusisht dhe italisht, Solovyov e cilësoi Melonin si “fashiste” dhe “grua të keqe”, duke shtuar se “tradhtia është emri i saj i mesëm”, bazuar në qëndrimet e saj ndaj Donald Trump.

“Tradhti është emri i saj i mesëm. Ajo tradhtoi Trumpin, të cilit i ishte betuar më parë për besnikëri”, shtoi Solovyov gjatë programit të tij.

Këto deklarata kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të kryeministres italiane, e cila në një në rrjetin X u shpreh se një propagandist i regjimit nuk mund të japë mësime për lirinë. Ajo theksoi se qeveria italiane nuk merr urdhra nga askush dhe mbetet e përqendruar vetëm te interesat kombëtare.

“Nga natyra e tij, një propagandist i zellshëm i regjimit nuk mund të japë mësime as për koherencën dhe as për lirinë. Ne, ndryshe nga të tjerët, nuk kemi detyrime, as  padronë dhe nuk pranojmë urdhra. Busulla jonë mbetet një: interesat e Italisë. Dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim atë me krenari, me gjithë respektin e duhur për propagandistët kudo”, u shpreh Meloni.

Deklaratat provokuese kanë sjellë reagimin edhe të institucioneve italiane. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani njoftoi se ka thirrur ambasadorin rus për të paraqitur një protestë zyrtare, duke i cilësuar komentet si “jashtëzakonisht serioze dhe ofenduese”.

Ndërkohë, Presidenti Sergio Mattarella i ka dërguar një mesazh solidariteti Melonit, duke dënuar gjuhën vulgare të përdorur.

Edhe Presidenti i Senatit Ignazio La Russa i quajti fyerjet “të turpshme dhe të papranueshme”, ndërsa kreu i Dhomës së Deputetëve Lorenzo Fontana theksoi se ato cenojnë dinjitetin e institucioneve dhe shkaktojnë indinjatë të thellë.

Solidaritet me kryeministren Meloni kanë shprehur edhe liderët e partive të tjera italiane, nga Matteo Salvini te Giuseppe Conte dhe Matteo Renzi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x