Kupa e Botës 2026 pritet të bëhet turneu më fitimprurës në historinë e futbollit, me FIFA-n që parashikon të ardhura rekord prej më shumë se 13 miliardë dollarësh gjatë ciklit të këtij Botërori.
Parashikimi fillestar i FIFA-s ishte rreth 11 miliardë dollarë, por kjo shifër është tejkaluar tashmë, duke e kthyer edicionin e vitit 2026 në një rekord absolut financiar për organizatën më të lartë të futbollit botëror.
Rritja e të ardhurave lidhet kryesisht me zgjerimin e turneut në 48 skuadra, numrin rekord prej 104 ndeshjesh, interesin e jashtëzakonshëm global, si dhe çmimet më të larta të biletave krahasuar me edicionet e mëparshme.
Për krahasim, Botërori i vitit 2022 në Katar gjeneroi rreth 7.5 miliardë dollarë të ardhura, ndërsa edicioni i zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë pritet të sjellë një rritje të ndjeshme financiare për FIFA-n.
Por ambiciet ekonomike të organizatës nuk ndalen këtu. FIFA po shqyrton mundësinë e një zgjerimi të mëtejshëm për Kupën e Botës 2030, nga 48 në 64 skuadra, një ide që do të sillte më shumë ndeshje, më shumë tregje televizive dhe potencialisht edhe më shumë të ardhura. Nëse ky plan do të miratohet, Botërori do të shënonte një tjetër revolucion në format, duke e kthyer turneun më të madh të futbollit në një produkt ekonomik edhe më gjigant.