Të hënën e datës 20 tetor, në varrezat e fshatit Hajvali të Prishtinës, janë gjetur eshtra njerëzore, që dyshohet se i përkasin tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Klan Kosova raporton se gërmimet janë bërë nga njësitet policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, të cilët kanë realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Më 20.10.2025 njësitet policore të Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim me IML-në dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë realizuar urdhëresën e Gj. Th. Prishtinë për gërmim në varrezat e fshatit Hajvali, me ç’rast kanë gjetur mbetje eshtërore të njeriut, që dyshohet të jenë të paktën tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë 1998-1999. Mbetjet eshtërore janë tërhequr nga IML-ja për ekzaminime mjeko-ligjore. Punimet pritet të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Rasti në proces hetimi”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Gjatë konfliktit të viteve 1998–1999 në Kosovë, humbën jetën rreth 13 mijë persona, kryesisht civilë shqiptarë, ndërsa mbi 1 mijë e 500 të tjerë ende figurojnë të zhdukur.
Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një Deklaratë të përbashkët mbi personat e zhdukur, si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Deklarata përfshinte angazhime për transparencë të plotë, qasje në dokumente të klasifikuara dhe bashkëpunim përmes një komisioni të përbashkët nën drejtimin e BE-së.
Megjithatë, pavarësisht marrëveshjes, siç shkruan REL asnjë nga pikat e dakorduara nuk ka gjetur zbatim konkret deri më tani.
- Një foto për histori - 21/10/2025
- Zbulohen eshtra në pranë Prishtinës, dyshohet se iu përkasin të zhdukurve nga lufta - 21/10/2025
- Ish-presidenti francez nis dënimin me burg - 21/10/2025