Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin të Gjermanisë, ku ka marrë pjesë në një konferencë në kuadër të Berlin Global Dialogue (BGD).
Gjatë dialogut me moderatorin Ali Asllan, Rama foli për arritjet e Shqipërisë, ku ndër të tjera tha se janë hapur 5 nga 6 grupkapitujt.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se për Europën Ballkani Perëndimor ka qenë i rëndësishëm vetëm me fjalë, por tani edhe me vepra.
Pjesë nga dialogu:
Moderatori: Duhet thënë që keni pasur një vit të mbarë, keni ecur mirë, jeni rizgjedhur — së pari, urime për rizgjedhjen.
Rama: Faleminderit shumë! Kemi pasur një vit të mbarë, po ta vendosim në kontekstin e Europës.
Moderatori: Shifrat flasin: vendi është kandidat zyrtar dhe ka çelur negociatat për në BE. Von der Leyen ka thënë që Shqipëria është në drejtimin e duhur, po ashtu Marta Kos ka theksuar që BE mendon se Shqipëria po përparon.
Rama: Gjatë 11 muajve të fundit kemi çelur 5 nga 6 grupkapituj. Kjo na inkurajon shumë. Në këtë moment, Europa është plotësisht e zgjuar, çka nuk ishte kështu vite më parë. Për këtë “zgjim” duhej agresioni brutal ndaj Ukrainës. Mund të shohim një dallim të madh: më parë BE thoshte që Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm, por vetëm me fjalë, tani është e kundërta. Shqipëria ka çelur dhe mbyllur kapituj edhe më parë.