Hetuesit po përqendrojnë hetimet te dy motorët GEnx të Boeing 787 të Air India, pasi dyshohet se ata ndaluan së funksionuari pothuajse njëkohësisht menjëherë pas ngritjes nga pista, në aksidentin tragjik të 12 qershorit. Sipas dyshimeve, problemet mund të kenë nisur që gjatë përshpejtimit në pistë, në një moment kur avioni kishte arritur shpejtësinë, që nuk lejonte më ndërprerjen e ngritjes.
Avioni Boeing 787, me 242 persona në bord, prej të cilëve 230 pasagjerë, 10 anëtarë të ekuipazhit dhe dy pilotë ishte nisur nga Ahmedabad në Indi drejt Londrës Gatwick. Rreth 30 sekonda pas ngritjes, ai humbi lartësinë dhe u përplas mbi disa ndërtesa, duke goditur mes të tjerash kantinën e një spitali universitar.
Nga kabina u dërgua sinjali i emergjencës “mayday”, por pilotët nuk arritën të japin shpjegime. Një pasagjer shpëtoi duke dalë nga avioni që po digjej. Viktimat aktualisht janë 270 (241 në avion dhe 29 në tokë), ndërsa pritet që numri të rritet.
Analiza e një videoje tregon se pak para përplasjes ishte aktivizuar “Ram air turbine”, një turbinë e vogël emergjente që ndizet automatikisht në rast të humbjes totale të energjisë elektrike ose presionit hidraulik, pra në rast ndalimi të motorëve. Kjo konfirmon dyshimet për defekt në motorë.
Ekspertët testuan në simulator disa skenarë të mundshëm, duke marrë parasysh peshën e avionit, temperaturën në pistë (37 °C) dhe pozicionin e flap-eve. Vetëm skenari ku të dy motorët ndalojnë së funksionuari çoi në aksident.
Hetimi është ende në zhvillim dhe nuk përjashton asnjë shkak, nga defekti mekanik, gabimi njerëzor, sabotaži, deri te defekti i softuerit që kontrollon motorët. Pas aksidentit, kanë zhvilluar takime të pazakonta në selinë e Air India pranë Nju Delhit përfaqësues të Boeing dhe GE Aerospace, kompania prodhuese e motorëve, me autoritetet indiane.
- Përshkallëzohen tensionet në Lindjen e Mesme, Irani godet me raketë qendrën e inteligjencës ushtarake izraelite në Tel Aviv - 17/06/2025
- Samiti i G7-ës në Kanada, Presidenti i KiE i dhuron Trumpit fanellën e Cristiano Ronaldos: Të luajmë për paqen - 17/06/2025
- Trump: Irani duhet të dorëzohet pa kushte, ne e dimë se ku fshihet Khamenei - 17/06/2025