Seanca paraprake për dosjen “Meta”, e parashikuar të zhvillohej mëngjesin e sotëm, 28 tetor, në Gjykatën e Posaçme për Krimet e Rënda, është shtyrë.
Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit mbrojtës të Monika Kryemadhit, raporton për Klan News, gazetarja Glidona Daci.
Gjyqtarja Irena Gjoka, e cila drejton procesin, vendosi që seanca të mos vijojë pa praninë e mbrojtjes ligjore, duke përcaktuar një datë të re që do të njoftohet nga gjykata.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti në seancë prova shtesë që lidhen me hetimet mbi veprimtarinë financiare të të pandehurve. Bëhet fjalë për një letër-porosi, të ardhur nga Shtetet e Bashkuara.
Dosja “Meta” përfshin hetime për ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Të pandehurit akuzohen për vepra të ndryshme penale, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurive.
SPAK ka përfunduar hetimet në fund të korrikut, ndërsa në gusht dosja u dërgua për gjykim. Vendimi i ardhshëm i gjykatës do të përcaktojë nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të kthehet për hetime të mëtejshme.
Burime pranë procesit bëjnë me dije se përfshirja e provave të reja mund të ndikojë në dinamikën e mëtejshme të çështjes, e cila po tërheq vëmendjen e gjerë publike për shkak të profilit të lartë të të akuzuarve.