16.5 C
Tirana
12 / 11 / 2025

Shkëlqim Hajdari, në promovimin e librit “Jam mysliman”: Ben Blushi është atipik dhe guximtar si shkrimtar!

Mbrëmë, gjatë promovimit të romanit “Jam Mysliman”, të Ben Blushit, ishin të ftuar miq, bashkëpunëtorë, që erdhën për të ndarë emocionet e këtij momenti të veçantë.

Mes tyre ishte Shkëlqim Hajdari, i cili solli në pah karakterin atipik dhe guximin e Blushit si shkrimtar.

Hajdari e vlerësoi jo vetëm mjeshtërinë e tij letrare, por edhe rolin e librit si pasqyrë e realitetit shqiptar dhe e ndryshimeve shoqërore, duke evidentuar se mes provokimeve dhe reflektimeve të thella, Blushi i shërben një shoqërie që ka nevojë të reflektojë.

Fjala e plotë e Shkëlqim Hajdarit, në promovimin e librit “Jam mysliman”:

Unë po guxoj të them që nuk je provokator, Blush, por je atipik, dhe për t’i ikur konsideratave personale, po kthehem tek romani.

E kam lexuar menjëherë, sepse proza jote është ashtu siç e shkruan ti: shpejt edhe lexuesi e lexon shpejt. Këtu besoj ka njerëz që e njohin letërsinë më mirë se unë.

Është e vërtetë: me të “jetosh në ishull” dhe tek “Komploti”, i ke shërbyer shumë shoqërisë shqiptare, sepse, për fat të keq, ka nuanca të qarta që Shqipëria mund të marrë drejtim të dëshpëruar; ato që parashikon, të jetë ajo që parashikon ti për uljen e numrit të popullsisë dhe ndryshimin e përbërjes së saj, etj., etj.

Ndërsa për t’u kthyer tek romani (se ne të dy kur fillojmë bisedat i mbarojmë pas 7 orësh), do ta mbyll shpejt që mos t’i lodh miqtë.

E ke nisur me provokim në kapitullin e dytë, ose e ke nisur si atipik, kur thua që:

“Islami (Myslimanët) i kanë bërë dëm Rrugës Kavajës më shumë se ç’i kanë bërë komunistët, le më fashistët që e donin më fort”.

Por duhet ta ndash, sepse në fund fare i ke ndarë myslimanët: ke thënë “unë jam mysliman, je me myslimanët dhe je kundër islamikëve”. Shpresoj të jetë lapsus, por kështu është e shkruajtur. Duhet të thoje: “Unë jam me myslimanët dhe islamikët i kanë bërë dëm Rrugës së Kavajës” – atëherë jam me ty. Por po ta shikoni fillimi i kapitullit 2, ky thotë që Myslimanët i kanë bërë dëm Rrugës së Kavajës më shumë se komunistët që ishin ateistë. Kështu që mendoj se duhet të reflektosh për këtë pjesë, sepse më vonë në libër ke reflektuar, ke ndarë myslimanët, me të cilët je dakord, po dhe islamikët, me të cilët përgjithësisht edhe unë jam dakord për ato që i kritikon.

Tani, meqënëse e njohe botën e myslimanëve shqiptarë praktikantë, pjesë e të cilës jam edhe unë, ti, Blush, të rri qetë dhe gjithë miqtë që janë këtu: në Shqipëri nuk ka struktura islamike.

Kemi pasë ca probleme unë, Ulsiu (Manja), miku i Ulsiut (Manjani, ish-prokuror dhe ish-ministër drejtësie, etj.), që dimë shumë mirë, sepse kemi pasur detyra të larta shtetërore, kemi pasur probleme të tmerrshme në vitet ’98, ’99, 2000. Rruga e Kavajës ishte simbol, po edhe rrugë të tjera s’kanë qenë keq… Por falë vetë myslimanëve shqiptarë, organeve ligjzbatuese, bashkëpunimit ndërkombëtar, kjo situatë është tejkaluar.

Rri i qetë, Blush, nuk ka struktura islamike në Shqipëri. Ka njerëz që duan të bëjnë islamin tradicional, dhe për disa nuk përbën sens të bëhet në Shqipëri, p.sh., çështja e grave dhe mbulesës së kokës. Është detyrim për t’u mbuluar sipas islamit, por jo me fytyrë – është me kokë dhe aty je i kujdesshëm, e gjuan mbulesën e fytyrës, por kokën nuk e ngacmon.

Por nuk do të harrojmë miqtë e mi. Blushi nuk është hoxhë, Blushi nuk është praktikant i Islamit! Ju garantoj që Blushi nuk është as ateist. Lëre çfarë thotë, se e njoh mirë – më besoni për këtë dhe e dua fort Blushin. Blushi është Blush.

E mbyll romanin e tij duke thënë që unë u bëra nga frika mysliman dhe tani po ndjej frikë. Sigurisht që i jep merita edhe zonjës vetë. Une e kam ditë që Blushi do shkonte në Arabinë me zonjën e tij, më ka marrë mendimin, i kam thënë po, më ka çuar fotografi nga atje. I kam thënë: “A do të futem në lojë?” – jo, mos u fut në lojë, më tha.

Blush po e mbyll: “I ke shërbyer shumë myslimanëve me këtë libër, ta garantoj këtë pjesë, shumë. Sepse myslimanët janë kaq të pjekur në Shqipëri saqë nuk të marrin për hoxhë ty. S’kan luajt mendsh!”

Para njëzet vjetëve, po, mund të kishe probleme dhe ti dhe unë mund të kishim probleme, mund të hidheshin gurë kundër teje, por tani jo. Tani është gjeneratë tjetër e besimtarëve, qofshin myslimanë, katolikë, protestantë. Rri i qetë për atë pjesë. Nuk mund të ndodhë si në 2004, që patëm një bisedë: ti si deputet në Kuvend dhe unë si prokuror, që të kërcënuan atëherë, apo jo, e mban mend? Që të thashë, rri i qetë, se do merrem unë me këtë.

Por unë lus krijuesin e gjithësisë, se unë e besoj krijuesin e gjithësisë, që mund ta besojnë një pjesë e miqve të mi dhe një pjesë e miqve të Blushit, që Blushi ta dëgjojë bashkëshorten e tij të dytë (në libër), jo vetëm natën, po edhe ditën dhe me fuqinë e të Madhit Zot.

Shkrimtar, lus me zemër që të vazhdosh të shkruash dhe të shkoje edhe tek Çmimi Nobel për letërsi. Në të ardhmen, për të pasur sukses, do t’ja bëj një sugjerim: shkruaj si shkrimtar dhe mos jep opinionet e tua. Se ti edhe thu se është bestseller dhe jep opinionet e tua, apo jo, o Prenci (Ahmet), po edhe me opinionet e tua do quhesh provokator ose atipik, siç të quaj unë…!

Tani zgjidhe ti, Blush, këtë punë në të ardhmen, por të garantoj që këtë radhe nuk e ke kaluar vijën e kuqe. Mirë je. Dhe po e mbyll, duke thënë: Blush, ti në veprë je besimtar. Çfarë thua me gojë unë nuk di, unë zemrën tende nuk kam mekanizëm ta hap, atë e ka vetëm Zoti. Për mua je besimtar, ke bërë beteja politike parimore, ke ikur nga politika me dinjitet – as si hajdut, as si batakçi, as si i kulisave për të rrëzu kryetarin. Po me teza të hapura, në diskutime, ke krijuar një forcë politike me dinjitet, as nuk ke blerë vota, as nuk ke shitur vota, as nuk ke bashkëpunuar me grupe kriminale. E ke lënë dhe “Libran” aty.

Dhe tani po merresh me shkrime librash…

Uroj vetëm suksese në librin që ke botuar tani, dhe paqe, vetëdije dhe shëndet familjar.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x