Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Bordit të Transparencës për rritjen e çmimit të karburanteve. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Salianji akuzon qeverinë se po abuzon dhe janë të vetmit që po përfitojnë nga rritja e çmimeve sëbashku me oligarkët.
Salianji shkruan se shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të hidrokarbureve krahasuar me vendet e rajonit. Deputeti shton se qeveria po lejon edhe naftën kontrabandë, teksa u bën thirrje qytetarëve që të dalin në protestë.
“Qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë të karburanteve në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në botë, qeveria të vetmin kujdes ka të mbrojë oligarkët nëpërmjet bordit dhe favorizimeve të tjera si kontrabanda! Nga rritja pa limit e çmimit po pasurohet qeveria, po pasurohen oligarkët dhe po varfërohen përditshëm qytetarët! Kontrabanda e naftës ndërkohë rritet proporcionalisht me rritjen e çmimit, së paku tre herë anijet nga një vend nën embargo si Libia kanë zbarkuar në Shqipëri! Protesto!”, shkruan Salianji.
Ndërkohë, edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës, duke thënë se Shqipëria është ndër të parat vende në botë që i ka çmimet e hidrokarbureve kaq të larta. Krahasuar edhe me rajonin, Meta shkruan se shqiptarët paguajnë më shtrenjtë për naftën.
Sipas tij, është e rëndësishme që të hiqet taksa mbi karburantin në mënyrë që të lehtësohen sadopak xhepat e qytetarëve. Meta thotë se qeveria vjedh përmes këtyre taksave të larta.