Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama po shtron udhën vetes për t’u bërë President, duke i veshur vetes imunitet absolut.
“Rama kontrollon qeverinë, Parlamentin, Presidencën… dhe këtë dominim politik kërkon ta shndërrojë edhe në dominim kushtetues. Rama kërkon të ndryshojë edhe formën e regjimit. Berisha tha se është i gatshëm për ndryshimet kushtetuese, pasi kuptoi se pas 11 majit PD-ja po “tretet”. Ka pakënaqësi brenda grupit parlamentar të PD dhe ka kaluar nga konfrontimi te bashkëpërfshirja me Edi Ramën. Është bërë tashmë një opozitë e futur në xhepin e Edi Ramës. Edi Rama po shkon tashmë nga një shumicë ilegjitime për të fituar legjitimitet përmes përfshirjes së Berishës, dhe kjo do të çojë drejt ndryshimit të regjimit kushtetues”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, skenari përfshin zvogëlimin e numrit të deputetëve, për të pamundësuar hyrjen e partive të reja në Parlament, si dhe mundësinë e krijimit të një dhome të dytë legjislative.
Por paralajmërimi më i fortë i Alibeajt lidhet me postin e Presidentit: “Në kushtetutë, i vetmi institucion me imunitet penal është Presidenti. Nëse Rama e synon atë post, do ta kthejë në një pozitë me kompetenca ekzekutive, në një sistem gjysmë-presidencial, ndoshta me mandat 7-vjeçar dhe të rinovueshëm. Pra, po shtron udhën për të sunduar vet”, tha ai.
Alibeaj e cilësoi këtë skenar si “gjëmën më të madhe që mund t’i ndodhë Shqipërisë”, duke theksuar se Parlamenti dhe pushtetet e tjera tashmë janë kthyer në “ornamente të një arkitekture kushtetuese të kontrolluar nga një njeri i vetëm”.