Nga Dritan Hila
Ka një gaz dhe hare për kapjen e Maduros, më shumë në Shqup se në Karakas. Prezencë në rrjetet sociale, statuse, deklarata, konferenca shtypi, ku numërohen minutat mbrapsht të Ramës dhe ora e nxjerrjes së lugës nga brezi që ka 13 vjet që ndryshket ne brez nga mospërdorimi.
Në fakt, të paktën Berisha është i qartë që sa ndodhi në Karakas nuk ka lidhje me Tiranën. Më shumë se kushdo e shprehu Marco Rubio menjëherë pas deklaratës së Trump. Rubio, i cili kishte pasur telefonata me zëvendësen e Maduros, kishte rënë dakord që qeverisja të vazhdonte. Amerikanët nuk mund të përsërisin gabimet që bënë në Irak apo Libi duke zhdukur komplet administratën dhe gjendur përballë kaosit. Sikurse një eksperiencë e pati edhe Shqipëria me nenin e famshëm 24/1, i cili e katandisi shtetin në ditën më të zezë të ekzistencës së tij.
Natyrisht që do ketë retushime si p.sh me Ministrin e Brendshëm apo atë të mbrojtjes, por asnjë në Uashington nuk është më fans i të drejtave të njeriut dhe demokracisë, aq më shumë në një vend të pamatë dhe me kufij të filtruar nga narkosit e vendeve fqinjë. Ju duhet sa më shpejt një vend mik dhe eficent ekonomikisht. Se kush e bën këtë, nuk ka rëndësi ngjyra.
Aq më tepër që impenjimi amerikan jashtë kufijve nuk hyn as në premtimet e Trump e as në agjendën e MAGA. Votuesit e tij janë komplet indiferent përsa i takon sukseseve në politikën e jashtme dhe kjo nuk ka vlerë për Trump në zgjedhjet e ardhshme. Venezuela ishte një qokë për skifterët republikanë dhe për aparatet.
A ka kohë të merret me Tiranën, e cila qeveriset nga një tip që Trump i ka qejf pasi është autoritar, kontrollon vendin dhe është mirëkuptues ndaj kërkesave amerikane? Mundësitë janë zero. Vetë Departamenti i Shtetit i Rubio nuk ka shfaqur ndonjë dashuri për Ramën por as armiqësi. Thjesht është një raport i ftohtë interesash. Raporte që tashmë i kanë edhe me aleatë historikë si Franca apo Gjermania.
Po atëherë çfarë është gjithë kjo festë në oborrin e Shqup? Asgjë më shumë se doza e radhës e narkozës. Përpara janë edhe tre vjet e gjysmë opozitë. Elektorati është aq i dëshpëruar saqë është gati t’i besojë çdo deliranti që rrëmben flamurin. E në këto kushte Berishës i duhet një karikim për njerëzit e tij dhe krahasimi i Ramës me Maduron i ekzalton turmat në oborr. Nuk do jetë çudi që të dëgjojmë edhe përralla sesi do arrestohet Rama dhe amerikanët vendosin raporte me Belindën. Është i njëjti që dikur thoshte se avionë supersonikë me drogë shkarkohen në Gjadër nga Kolumbia dhe ndjekësit e gëlltisnin. Vetëm se tani i kanë mbetur pak, aq pak sa kanë filluar dhe iu duket më normal Tiku, Salianji dhe Shehaj.