Në 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, shtëpia botuese UET Press promovoi albumin e dytë ”100 Imazhe”, kushtuar ndikimit të krijimtarisë së Ismail Kadaresë në artet pamore shqiptare. Në këtë aktivitet u ekspozuan veprat e tre mjeshtave të mëdhenj të pikturës shqiptare, si: Guri Madhi, Pëllumb Bylykun dhe Arbek Kristani.
Pandi Madhi, djali i piktorit të njohur, themelues i Akademisë së Arteve, rrëfeu marrëdhënien e të atit për shkrimtarin e madh, vepra e të cilit “Kush e solli Doruntinën” frymëzoi pikturën “Kostandini dhe Doruntina”.
”Kjo pikturë është realizuar në vitin 1987. Guri Madhi ka bërë disa variante të kësaj pikture, pastaj në fund konkludoi në këtë variant që është ekspozuar sot në COD. Një moment shumë interesant është fakti që kjo pikturë është botuar, është publikuar në disa libra jashtë Shqipërisë. Të paktën tre i kemi ne në Studion- Muze ”Guri Madhi”. Është botuar në Itali, në Francë dhe vitin e kaluar në Gjermani. Shtëpia botuese gjermane ka botuar një libër për Shqipërinë dhe dy faqe ia dedikon Ismail Kadaresë dhe veprës së tij ”Kush e solli Doruntinën”, e ilustruar pikërisht me këtë pikturë”, theksoi ai.
Pandi Madhi foli më tej edhe për dashurinë që i ati kishte për letërsinë dhe Kadarenë, vepra e të cilit ndodhet e plotë në bibliotekën e studiosë së piktorit.
“Guri Madhi ishte një artist që lexonte jashtëzakonisht shumë. Për fat të mirë, dashurinë për librin na e transmetoi neve, që të rinj. Në bibliotekën e studios së Guri Madhit është një raft që janë të gjitha veprat e Ismail kadaresë. Për kuriozitetin tuaj, në vitin 1981, në periudhën shkurt-mars, Guri Madhi dhe Kujtim Buza hapën disa ekspozita në Kosovë. Kur u kthye nga Kosova ai solli 10 libra të botuar nga shtëpia botuese ”Rilindja”. Ndonjë vepër ndoshta ishte dhe origjinale, pa censurën që kishte në atë kohë në Shqipëri.
Në shumë momente, Guri Madhi ka vlerësuar jashtëzakonisht shumë Ismail Kadarenë. Kjo vërtetohet edhe në intervistën e fundit, dhënë disa ditë para ndarjes së tij nga jeta. Patjetër, që veçonte disa veta, por e cilësonte si një nga përfaqësuesit më të shkëlqyer të letërsisë shqiptare, brenda dhe jashtë atdheut”, rrëfeu Madhi.
- Promovimi i albumit të UET Press, “100 Imazhe”, Pandi Madhi: Babai bëri disa variante të pikturës “Kostandini dhe Doruntina” - 10/02/2026
- PD-së i ka ndalur koha, Ramën e rrëzon vetëm një pushtet i jashtëm - 10/02/2026
- Paralajmërimi i Macron: BE-ja duhet të vendosë nëse do të bëhet një fuqi, apo do të shkatërrohet - 10/02/2026