12.5 C
Tirana
21 / 11 / 2024

Për Shën Terezën e bardhë

Dy histori të shkurtëra në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës

Nga Martin Leka

Për Nënë Terezen kam filluar të di e të kuptoj në fillim të vitit 1989 kur në Shqipëri erdhi një grup kosovarësh nga Deçani. Më shumë akoma fillova të mësoj po në Kosovë, kësaj here në Prishtinë. Një piktor me emrin Eroll (për fat të keq nuk ja kujtoj mbiemrin) më bëri një dhuratë të çmuar, një album të rëndësishëm, unik, me foto dhe poezi të Nënë Terezes, botim i rrallë dhe që vetë Erolli e kishte të vetmin.

Nje ditë, para shume vitesh, kërkoja këtë libër që e quaja të shenjtë dhe nuk e gjeja në bibliotekën time, as në shtëpi, as në zyrat ku punoja, askund. Isha i sigurtë që ja kisha dhënë dikujt, por nuk më shkonte kurrë ndërmend një emër i veçantë. Për më shumë se 7 vite nuk e gjeta. Vazhdoja të mbaja një peng dhe një ankth të madh edhe për faktin se kur albumin ja tregova dhe ja shpjegoja Nënës sime, ajo me tha: “Ruje bir pash Zotin, mos e hup”…

Humba çdo shpresë për ta gjetur. Koha ecte bashkë me harresën. Aq sa kjo e fundit filloi të dominonte. Njerëzore dhe harresa! Kaluan dhe vite të tjera e përveç një lloj inati me veten time për moskujdesin për diçka kaq të rëndësishme e të shtrenjtë për mua, nuk kisha asnjë shpresë për të gjetur atë që tashmë e quaja gjë të humbur.

Një mëngjes, teksa bëhesha gati për në punë, në një nga televizionet më kapi veshi një speciale që i kushtohej Nënë Tërezës dhe ajo që më intrigoi ti afrohesha ekranit ishin disa poezi të botuara. Kur kamera dha faqen e gazetës, pashe tre foto të botuara që ilustronin fotot e Nënë Terezës. Instikti apo fati, nuk e di cila, më bëri të sigurtë në faktin se fotot ishin të njëjta me të Albumit që kisha humbur. Ika me vrap në kioskën poshtë pallatit të shihja gazetat. Nga hutimi, nuk e dija cila gazetë ishte. I bleva të gjitha. U futa në kafenë më të afërt dhe fillova ti shfletoj me radhe. Gjeta gazetën dhe nga gjithçka shkruhej, kuptova se ishin të marra nga botimi luksoz për të cilin po flas. Autorin e njihja dhe kisha punuar dikur me të. Gjeta adresën e punës së tij. Ishte zyrtar në Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë, siç quhej asokohe. U nisa për atje.

-Dua të takoj filamin, i thashë recepsionistes.

-A keni lënë takim?, më tha.

-Po, e kam shok, i thashë.

-Ngjitu.

Dikush në koridor më tregoi zyrën.

I rashë derës dhe e hapa.

-Ooo, po ku je mor burrë, sa kohë kemi pa takuar. Kështu më priti zyrtari u Ministrisë dhe më ftoi të ulesha në një karrige ngjitur me tavolinën e tij.

Ai fliste e unë shikoja tavolinën të cilën e kishte plot me libra e shkresa. Në cep, më kapi syri pikërisht albumin që aq shumë e kisha kërkuar. Nuk më zinte vendi dhe pa u kujdesur për etikën, u ngrita menjëherë e kapa albumin. Ashtu në këmbë, e hapa mënjëherë për të parë nëse ishtë dedikimi i Erollit. Ishte, por ishte fshirë me stilolaps vetëm emri im.

Isha në një gjëndje emocionale të çuditëshme: kisha emocion, gëzim, inat, urrejtje, pak nga të gjitha, në një konglomerat situate të pakuptueshme.

-Pse e ke fshirë emrin? Pse nuk ma ke dhënë librin?

-Po ulu njëherë mo burrë…

Ika. Nuk e di nëse i thashë “mirë u pafshim apo ditën e mirë” por kur dola, ndërsa shtrëngoja librin që aq shumë e kisha kërkuar, më erdhi keq për fytyrën e skuqyr e të mpirë të zyrtarit dhe mikut tim.

Fundja më interesonte vetëm gjëja ime. Atë tashmë e kisha…  

E dyta është më e thjeshtë dhe e shkurtër. Ka lidhje me foton ilustruese që është një pikturë me bojëra akrilik. Është e imja.

Kur fillova për herë të parë të provoj “ti hip kalit mbrapsht”, dmth të pikturoj, ishte koha kur u mbyllëm nëpër banesa nga pandemia Covid-19. Aty provova një relaks e kënaqësi prej fëmije. Tani i kuptoj piktorët çfarë zanati të bukur kanë. I kam zili. Deri tani, kam bërë disa piktura, por vetëm pak prej tyre më pëlqejnë. Mua, sepse ndoshta juve nuk ju pëlqen asnjë… Provova të bëj një portret. Nuk e di, por më duket gjinia më e vështirë e piktorëve. Sepse mendoj se të bësh një portret, duhet ta duash shumë atë. Thashë të bëj nënë Terezën. E fillova. Bëra siluetën si vizatim e mu duk bukur, shaminë karakteristike të kokës. Hapa ngjyrat. Me orë të tëra nuk pata guximin të ngjyeja penelin e të kombinoja ngjyrat për portretin. Pas shumë kohësh, të “shfajësoja” paaftësinë time, mendova ta lë të bardhë, siç e bardhë ishte vetëm ajo, Nënë Tereza! Mora bojën e bardhë dhe konturet e portretit, i bëra po me bojën e bardhë. Siç i bardhë ishte shpirti i Shën Terezës, gruas më të famshme të shqiptarëve e më tej, Nënës sonë!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x