5.5 C
Tirana
03 / 02 / 2026

PD propozoi 94 bashki, eksperti i PS: S’kemi studime të thelluara për të bërë ndërhyrje, 61 bashkitë ecuri pozitive

Në mbledhjen e Komisionit për Reformën Territoriale, eksperti i PS, Artan Shkëmbi bëri një rezume të ndryshimeve territoriale në vend duke thënë se në fokus të ndryshimeve duhet të jetë, ekonomia, energjia, turizmi, bujqësia e blegtoria, për të ndërtuar një zonë funksionale.

Eksperti Shkëmbi u shpreh se çdo vit janë rritur të ardhurat e bashkive nga taksat duke i cilësuar si ecuri pozitive dhe thotë se nuk ka studime të thelluara për të bërë ndërhyrje që të shtohet numri i bashkive.

“Buxhetet janë rritur vit pas viti në njësitë vendore dhe të ardhurat e bashkive nga taksat dhe vendore janë rritur, si dhe kontributi nga pushteti qendror është rritur. Po ashtu dhe çështjet e pronësisë janë të rritura. Sot kemi plane vendore thuajse për të gjitha bashkitë. Më herët asnjëherë nuk kemi patur kësisoj planesh, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare për njësitë vendore. Kësaj radhe ndodhi ndryshe, pasi planet vendore dhe mbështetja buxhetore u garantua për të 61 bashkitë.

Sistemet e zjarrfikësve u vendosën në të gjitha bashkitë, duke  u investuar në qendra të reja për zjarrëfikësit. Nga 38 qendra që ishin në 2014, sot kemi 70 stacione zjarrëfikës. Sot kemi 1 250 punonjës, nga më pak se gjysma që ishin në 2014… Sot të 61 bashkitë kanë faqet zyrtare të internetit me informacion të përditësuar dhe të bollshëm. Sot në të 61 këshillat bashkitë transmetojnë live mbledhjet e komisionit dhe këshillave. Po ashtu në zyrat e bashkive është dhe zyra e BE-së, që kontribuon në komunitet për çështjen e integrimit në BE.

Në 7 vite, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Financave ka rritje të buxhetit në tërësi nga 2.1% në 3.2% të pbb, plus shpenzimet e tjera  shkon deri te 5.8% të PPB. Shpenzimet totale nga 34 mld lekë në 2015, në 57 mld në 2021, pra janë 70% më e lart.  Ministria e Financave deklaron 35% më pak punonjës në administratën e bashkive se në 2014. Ka një rritje të numrit të punonjësve të sektorit të shërbimit që ofrojnë shërbime publike direkte. 76% më pak këshilltarë, 6500 ishin në 2014, sot 1600”, tha Shkëmbi.

Shkëmbi tha se procesi aktual është i ngjashëm me atë të vitit 2014, por mungojnë 2 hapat e parë, ndaj është e vështirë të gjykohet ecuria. Sa i përket pretendimeve të opozitës se miratimi i reformës është i njëanshëm për arsye politike, Shkëmbi u shpreh se debati i mbetet politikës jo ekspertëve. Ai thotë se nuk ka ende një studim që vlerëson reformën territoriale.

“Nëse miratimi i reformës territoriale u votua në 2014, zbatimi i saj u bë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015. Në qeveri jo rastësisht ekzistonte dhe pozicioni Ministri i Shtetit për pushtetin lokal. Ky institucion u angazhua në ndjekjen e të gjitha zhvillimeve të pushtetit lokal, duke koordinuar të gjitha autoritetet vendase dhe partnere ndërkombëtare në realizimin e një pune konkrete në funksion të reformës territoriale të vitit 2014. Asokohe u krijuan projektet STAR 1 dhe STAR 2.

U vendos buxhet në vitin 2015 për reformën territoriale, e cila u alokua përmes agjencisë për reformën territoriale, duke u angazhuar në mos ndërprerjen e shërbimeve në asnjë prej 61 bashkive të reja që u miratuan nga Kuvendi, duke përgatitur të gjithë proccesin e transferimit dhe zbatimit të ndryshimit të hartës territoriale.

Po ta shohësh procesin e zhvilluar tanimë është i ngjashëm si ai në vitin 2014. Sot jemi në kushtet kur hedhim hapin e tretë, por ne na mungon hapi i parë dhe i dytë. Kjo pamundëson rishikimin e hartës territorial dhe e kemi të vështirë të gjykojmë se si të ecet më tej. Ne jemi këtu në më shumë se tre muaj. Kemi dëgjuar shqetësimet që ka patur opozita. Janë shqetësimet të natyrshme.

Opozita pretendon se miratimi i reformës është i njëanshëm për arsye politike, që reforma është e dështuar, apo që shpenzimet administrative janë rritur, apo që shërbimet janë përkeqësuar, autonomia financiare e cënuar, kompentencat e bashkive të vogla, banorët janë larguar nga bashkitë për mungesë përfaqësie…etj. Sigurisht ne si ekspertë nuk na intereson të shikojmë me këtë sy se sa këto deklarime i afrohen realitetit dhe sa një pjesë e tyre është deklarim politik. Ne duhet të japim opinionin tonë për këto vlerësime.

Debati politik ju takon juve në këtë drejtim. Ajo që vlen për t’u përmendur është se edhe pas 7 vitesh, s’ka asnjë studim të plotë që të vlerësoj reofrmën territoriale, nëse do kishim do i ishim referuar atij dhe s’do kishte hapësira për debate”, tha Shkëmbi.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x