9.5 C
Tirana
26 / 12 / 2024

Opozita… opoziçkë!

Nga Ardi Stefa

Kam thënë vazhdimisht se kjo opozitë, ashtu siç është sot nuk ka as shifrat, as dëshirën e as vullnetin që të përmbysë realisht Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nga pushteti.

Sepse nuk mundet! Sepse nuk do! Sepse është rehat në opozitë dhe bën para pa firmosur asnjë gjë!

Sepse është e “bunkerizuar”, pa ide novatore, e konsumuar në retorikë dhe e personalizuar; peng i egoizmit, injorancës dhe paaftësisë për reformim. Sepse dëshiron që të ndryshojë sjellja e shoqërisë ndaj saj dhe jo sjellja e saj ndaj shoqërisë.

Opozita aktuale është “investimi më i madh” i qeverisë dhe dhurata më e çmuar për të.

E fragmentarizuar dhe e paaftë të sjellë ndryshimin opozita thjesht vërteton që do të ngelet përjetësisht në opozitë me mendttë dhe sjelljen që ka.

Opozita “zyrtare”, ajo e “rithemeluara” dhe e “bashkuara në diversitet” bën revolucion e mosbindje partiake me leje nga policia e me orar, një herë në muaj. Përpiqet të bindë demokratët se do të bëjë garderobë të re me kostumet e vjetëruara dhe voton mbylljen e politikës për figurat e reja, duke bashkuar votat në Kuvend me ata, të cilët do të përmbysë shtatorin e një viti të papërcaktuar.
Që kauzë të vetme ka lirimin e liderit dhe qeverinë teknike, të cilën nuk do ta marrë kurrë, por që i duhet ta përdorë si retorikë për të justifikuar humbjen e sigurtë pranverën tjetër.

LSI, sot PL, ashtu shushunjë siç ka qenë gjithmonë, me liderin më të papëlqyer për shqiptarët, pret përsëri t’u pijë gjakun demokratëve dhe të mbijetojë në tregun politik nga votat e tyre.

Disa presin e ëndërrojnë Mundësinë, t’u mundësojë shqiptarëve ndryshimin.

Euroatlantikët e qendrës së djathtë presin gjyqin dhe vërtiten pa busull, duke dëshmuar se si brenda kohe të shkurtër, nga grupi më i fuqishëm i opozitës ngelën më i dobëti, për shkak të atyre deputetëve me “integritet” që përzgjodhëm në 2021 dhe që lëpinë aty ku pështynë në shtatorin e para tre viteve. Por edhe për shkak të ndryshimeve që do të vinin në shtator, pastaj në nëntor, pastaj në shkurt, mars apo maj.

Ca të tjerë shkojnë më Djathtas se e djathta, deri në vitin 1912, por për pronat nuk thonë gjë. Kauzë kanë antiberishizmin, si kundërvënie ndaj “Free Berisha”!

Republikanët dhe një parti që lufton e bashkuar për të drejtat e njerëzve, presin çfarë do të kafshojnë nga demokratët “zyrtarë”!

Çamët duan pjesën e tyre, duke bërë presion si të pavarur.

Agrarët, njëlloj si “të rithemeluarit e të bashkuarit në diversitet” hanë me ujkun, por qajnë me bariun. Ulen në tryezë bisedimesh me të djathtët, por i shkelin syrin të majtës për vende të sigurta në Kuvend.

Thurrësit dhe ata që do të “na bëjnë” janë kundër të gjithëve…

Në fakt, në opozitë të gjithë janë kundër të gjithëve… Dhe në vend që opozita të rritet nga skandalet dhe paaftësia e një qeverie të konsumuar nga tre mandate pushteti, tkurret në opozitçkë dhe i garanton mandatin e katërt Ramës.

Dhe bëjnë politikë me ndonjë tymuese, karrige të djegur në Kuvend, me ndonjë “përleshje” me kangjellat e gardës, me ndonjë denoncim për nxjerrje pistolete nga policia, apo edhe me ndonjë protestë të paralajmëruar në Bruksel…

Dhe nuk e kuptojnë që u ngjajnë atyre aktorëve apo sportistëve, të cilëve u ka kaluar koha, i kanë lënë fuqitë, zëri, bukuria, sharmi, por që jetojnë me lavdinë e dikurshme dhe duan rikthim.

Ndërkohë që koha është e pamëshirshme dhe në skenë e sport dalin aktorë të rinj.

Edhe në politikë. Ndryshimi një ditë do të vijë, por kur të largohet e gjithë kjo klasë politike që na mban peng, kjo klasë politike regresive, e vjetëruar, e konsumuar dhe e zhytur në skandale.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x