Nga Eduard Zaloshnja
Qysh nga 2017-ta, PS-ja ka garuar e vetme në zgjedhje, përballë shumë partive të tjera. Dhe në secilën nga zgjedhjet parlamentare, ajo ka marrë rreth 7/14 e votave të këtushme. Por falë fragmentarizimit të opozitës, PS-ja iu afrua 8/14 të mandateve parlamentare më 2017 e 2021, dhe mori mbi 8/14 e mandateve më 2025. (Votat nga emigracioni i dhanë asaj vetëm një mandat ekstra më 2025 – në Vlorë – qysh para fillimit të numërimit të votave nga Greqia.)
Tabloja e mësipërme numerike krijon përshtypjen se po të grumbullohen të gjitha partitë opozitare në një çadër të madhe gjithëpërfshirëse, PS-ja mund t’i ketë ditët të numëruara…
Por llogaritë elektorale nuk mund të jenë një aritmetikë e thjeshtë numrash. Kimia politike e pjesëmarrësve të mundshëm në një koalicion sundon mbi aritmetikën e numrave.
Kështu, në garën e pafilluar zyrtarisht për Bashkinë Tiranë, Lëvizja Bashkë ka nxjerrë tashmë si kandidat kryetarin e saj Qori. Dhe 11 mijë tiranasit që votuan për të në maj (e mos më shumë) pritet të votojnë për Qorin kur të zhvillohen zgjedhjet e Tiranës.
Partia Mundësia propozoi si kandidat Ermal Hasimen. Por pasi ai nuk u pranua nga Berisha, me dhëmbë të shtrënguar, drejtuesi i saj Shehaj përkrahu publikisht Florjan Binajn. Po a do të votojnë për Binajn të 19 mijë votuesit tiranas të Partisë Mundësia? Vetëm disa prej tyre, sipas sondazhit më të fundit ‘Zëri i Shqiptarëve’.
Lapaj dhe Shabani të Nismës Shqipëria Bëhet e kanë përkrahur hapur kandidaturën e Florjan Binajt. Po a do të votojnë për Binajn të 12 mijë votuesit tiranas të Nismës Shqipëria Bëhet? Vetëm disa prej tyre, sipas sondazhit më të fundit ‘Zëri i Shqiptarëve’.
Kurse për socialdemokratët e Doshit dhe euroatlantikët e Bashës (18.5 mijë gjithsej në Bashkinë Tiranë) as që mund të bëhet fjalë për përkrahje masive ndaj një kandidati të sugjeruar nga Berisha…