Nga Enver Robelli
Sot ndodhi në Paris çfarë nuk ka ndodhur kurrë: një ish-president francez shkoi në burg. Nicolas Sarkozy është dënuar për “anëtarësi në një organizatë kriminale”. Bëhet fjalë për një pazar korrupsioni me diktatorin libian Muamar al-Gadafi.
Me paratë e tij Sarkozy do të financonte ngjitjen në pushtet, në olimpin e politikës franceze. Sepse presidenti francez është pak edhe mbret. Si në kohërat e Mesjetës.
Tash bota e madhe e Sarkozy është reduktuar në një qeli të prej nëntë metrash katrorë: një shtrat, një tavolinë, një karrige, një telefon në mur, një mini-shporet për zierje ushqimi, një tualet, një dush.
Nëse dëshiron të ketë edhe një frigorifer në qeli, Sarkozy duhet të paguajë 7,50 euro në muaj. Nëse dëshiron një televizor, atëherë duhet të ndajë 14,50 euro në muaj.
Me vete, krahas gjërave personale, mori dy libra: një biografi të Jezusit dhe romanin “Konti i Monte Kristos” të Alexandre Dumas.
Romani ka mbi 1000 faqe, por thelbi është ky: kryepersonazhi Edmond Dantès është i dashuruar në bukuroshen Mercedes dhe është graduar si kapiten. E pret një jetë e lumtur.
Por si pasojë e një komploti të ziliqarëve, Dantès përfundon për 14 vjet në burg. Edhe në hapsanë ndodhin gjëra të papritura. Një i burgosur tjetër i tregon Dantès vendndodhjen e një thesari në ishullin mesdhetar Monte Kristo.
Dantès arrin të arratiset nga burgu, e gjen thesarin dhe kthehet në Paris me një emër të ri: Konti i Monte Kristos magjeps shoqërinë e Parisit me pasurinë e tij. Kundërshtarët e tij të dikurshëm janë ngjitur në postet më të larta në Francën e pas Napoleonit, por as ata nuk janë të sigurt nga hakmarrja e hidhur e Kontit.
A do të kthehet edhe Sarkozy si hakmarrës? Ai beson se është viktimë e një komploti. Por jeta e tij politike është larg nga letërsia e Alexandre Dumas.
Vetëm miqësia e Sarkozy me Gadafin ka mjaft material për një roman kriminalistik, një triller voluminoz: me përkrahjen e diktatorit libian u bë president i Francës, pastaj ishte ndër të parët liderë perëndimorë që ndërhyri në Libi për ta rrëzuar Gadafin.
Kështu është politika nganjëherë, e sidomos atëherë kur burrështetasi nuk ka asnjë skrupull. Natyrisht Nicolas Sarkozy ka mendim krejt tjetër për veten. Para se të hyjë në burg, ai tha se do të shkruajë një libër.
- Historia e rrallë, fshati i “1500 peshkatarëve” që krijoi skuadrën kampione të futbollit në Suedi - 21/10/2025
- Asgjë nuk udhëton më larg se mirënjohja/ Julia Paiva Hudinik, nusja që mbërriti në dasmë me kamionin e babait, si shenjë mirënjohje për mundin dhe sakrificat e tij - 21/10/2025
- Një foto për histori - 21/10/2025