Një edicion i çmendur i “Abissnet Superiore” ku u nevojit fryma e fundit e çdo skuadre për të dhënë verdiktet finale.
Festa më e madhe u zhvillua në “Arenën e Demave” aty ku Partizani u shpall kampion për herë të 17-të në historinë e elitës së futbollit shqiptar, pasi fitoi në javën e fundit përballë Teutës me rezultatin 2-0.
Por kush janë verdiktet për disa nga lojtarët në këtë sezon të “Abissnet Superiore”? Golashënuesi është bomberi i Tiranës, Florent Hasani që e çoi topin në rrjetë në këtë sezon plot 16 herë duke fituar edhe Këpucën e Artë.
Ndërkohë që në vend të dytë u rendit Victor Da Silva i Partizanit i cili shkëlqeu sidomos në sprintin final të sezonit.
Asistuesi më i mirë i këtij edicioni është fantazisti i Egnatias, Fernando që ka asistuar 10 herë për shokët e tij të skuadrës në golat e realizuar. Ndërkohë që podiumi plotësohet nga Florent Hasani dhe mesfushori i Partizanit, Arinaldo Rrapaj.
Një sezon fantastik ka zhvilluar edhe portieri i Teutës, Pano Qirko i cili ka arritur ta mbajë portën e paprekur më shumë se çdo gardian tjetër në këtë edicion të “Abissnet Superiore”. 16 herë nuk ka pësuar gol në ndeshje Pano Qirko, i ndjekur nga Alen Sherri i Egnatias me 14.
“Maratonomaku” i këtij edicioni (nuk përfshihen portierët) është lojtari i Kukësit, Gjelbrim Taipi i cili ka luajtur plot 3175 minuta përgjatë këtij sezoni.