31.5 C
Tirana
22 / 06 / 2025

Nesho, si laci i lagjes me tezen

Nga Frrok Çupi

Nuk po them për tezen e vërtetë të Gimit, nga e cila merr frymë edhe sot e kësaj dite. 

Por për një teze ku mbështetet nipi sa herë bën punë laçi. Kësaj here Agim Nesho gjeti dikë në ‘ Fox News’, në SHBA dhe i rregulloi punët të thoshte ato që ‘ lagjja jonë’ i kishte përtypur në gojët e pista prej shuma kohësh dhe përditë.

-Hë, të lutem thuaje ti, teze, se ma kërkojnë Saliu e Iliri. 

Kështu e ndërtoi përrallën me Foxin, Nesho, me qëllim që të shante vendin dhe popullin e tij në Shqipëri.

Po pse more Agim, deri në Amerikë për të sharë siç shajnë lacat politikë përditë nëpër lagjet e Tiranës.?

Pse përdorët ‘tezen’ ose ‘Uncle Civita’ për të sharë vendin, siç shajnë lacat që përkëdhelen nga tezet? 

Nuk po them për tezen e vërtetë të Neshos, edhe pse edhe me atë lidhet ‘tërë helmi’. ‘Nesho i Vitos’ e quanin Agimin sa herë binte fjala që të merrte bursë, diplomat apo një privilegj tjetër si ‘djalë i bllokut’. Siç ka ndodhur me ata që marrin mbiemër emrin e nënës: Miri i Xhikës, çunat e Balit…

Puna që bëri Nesho me një sharje në ‘ Foxin e SHBA, në fakt nuk është asgjë më serioze. E vetmja gjë serioze është se ky është një pisllëk që këta tipa që nga Haxhi Qamili i kanë hedhur vendit të tyre. 

Ka edhe një gjë tjetër që shkon deri në kufirin e seriozitetit:

Kur do të jetë ora që SPAK të thërrasë nën hetim Agim Neshon? Ky, duke sharë vendin e tij, Shqipërinë, ka shkelur disa ligje të rëndësishme të vendit. 

E para ka shkelur Kushtetutën e Republikës ku përcaktohet se ‘ne populli shqiptar, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor…’ vendosim këtë Kushtetutë. 

Nesho , diplomat, jo vetëm nuk ka mbrojtur, por ka shpifur dhe ka fyer popullin shqiptar duke e krahasuar me një komb tjetër në Amerikë Latine që rron jo në demokraci. E ka fyer popullin votues që zgjodhi në shumicë rrugën drejt Bashkimit Europian, përkundër rrugës s fatkeqësive që ka lënë pas Saliu i Neshos. Ka fyer kryeministrin e zgjedhur të vendit duke i ngatërruar nëpër këmbë emrin e një lideri në Amerikën Latine, pa të drejtën më të vogël që të përdhosë emrin që ka votuar populli…

Nesho ka shkelur edhe kodet morale, por për këto nuk do me dijë, se në fund të fundit bën si i do qejfi sepse është nipi i Hysniut- sipas logjikës së hershme. Por ky ka qenë diplomat dhe ka shkelur edhe nenin 18 të Ligjit mbi Misionin Diplomatik në Republikën e Shqipërisë, që thotë se misioni diplomatik ‘ mbron të drejtat dhe interesat e ligjshëm të Republikës s Shqipërisë, shtetasve dhe subjekteve…”. Nesho i ka shkelur dhe poshtëruar. Nesho duhet të zhvishet menjëherë nga titulli ‘diplomat i karrierës”, siç përcakton ligji. Kjo duhet të ndodhë nëse nuk arsyetohet si në kohën e Hysniut, kur ‘ ligjin e bëj unë bariu i ardhur në bllok”. 

Ky Hysniu i Byrosë politike, nga bari në Vranisht, erdhi e ndoti vendin me metastazat e tij në krye të shtetit. La pas Agimë, la pas Mehditë, Besnikët, Andët, shqipet e Andeve dhe një litar që e lidh me një tradhti ndaj vendit me gjyqin e Kanalit të Korfuzit ku ia kaloi të drejtën dhe floririn e shtetit shqiptar Britanisë së Madhe.

Por kjo është një barrë që kombi shqiptar e mban për këtu brenda vendit. Sharjen, fyerjen dhe poshtërimin ndaj vendit jashtë vendit, në media e mes njerëzve që nuk e kanë për detyrë të mbrojnë dinjitetin e kombit, kjo është serioze.

Aq sa c’është Nesho një lajmëtar i ‘tezes’ që ajo të shajë me fjalët e tij.

Punët e tjera janë krejt jo serioze. Madje edhe pamja pse Foxi publikon një sharje nga përtej oqeanit pa gajle se çfarë ka brenda ajo ‘letër bakalli’. Janë ca gjëra aq banale saqë edhe media serioze i bluan si ‘bulshit’. 

Aq më qesharake mbetet marrëdhënia e Neshos me ‘tezen’ që i thotë të thotë atë që e përtyp vetë përditë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x