Nga Skënder Minxhozi
Amatorët e teorive të konspiracionit janë duke jetuar kohë të arta. Pas ngjitjes së fortë të Le Pen në zgjedhjet parlamentare franceze në qershor dhe pas rënies së Boris Xhonsonit në Britani, ata janë gati të fusin të dyja duart në zjarr se edhe pas fitores së orëve të fundit të të djathtës italiane qëndron Vladimir Putin.
Përtej këtij detaji, Italia fqinje është zgjuar sot në një botë krej të ndryshme nga ajo e fundjavës së shkuar. Frenat e pushtetit i mori në dorë e djathta populiste, ku figura e kryeministres së ardhshme Xhorxhia Meloni dhe pas saj ajo e Matteo Salvinit të Lega Nord, bëjnë që të duket si një gjysh babaxhan e i padëmshëm Silvio Berluskonin e “shpluhurosur” në krye të Forza Italia.
E djathta largoi nga pushteti një qeveri kaotike me dominim të majtë, të drejtuar nga ndoshta financieri më i aftë i kontinentit. Rrënjët e disfatës elektorale të qeverisë aktuale italiane dhe partive që e mbështetën qëndrojnë padyshim tek sherret mes aleatëve, por edhe më thellë akoma, ato qëndrojnë tek efektet shkatërrimtare që po provokon konflikti ukrainas mbi ekonomitë e mëdha evropiane dhe përgjithësisht mbi shoqëritë e shteteve kryesore.
Shtrenjtimi i lëndëve të para, më së pari hidrokarbureve, drithërave e më tej në formë kaskade i të gjitha çmimeve të produkteve e shërbimeve, i ka vënë qeveritë evropiane përballë një trysnie të fortë, ndërkohë që SHBA po ja del ta mbajë krizën më shumë në kufinjtë e kontinentit të vjetër.
Kriza ishte kali i betejës së Melonit dhe partive të saj aleate gjatë fushatës elektorale. E djathta bëri atë që s’e bëri dot e majta e përgjumur dhe teknokrati Dragi: ju tha italianëve atë që donin të dëgjonin. Pra, që do të kishte shërim për krizën, që do të kishte më shumë para në xhepat e tyre, që do të bëhej diçka për benzinën, ushqimet, ngrohjen dhe mallrat e konsumit. Meloni fitoi sepse premtoi. Ky është një ndër mësimet e mëdha të momentit, kur xhepat e qytetarëve janë vënë në stres të skajshëm nga kostoja e lartë e jetesës nën efektin e luftës në Ukrainë.
Meloni është një ekstremiste e një llojit të veçantë, më atipike se Marine Le Pen. Nuk është po aq euroskeptike sa politikania franceze, përkrah dërgimin e armëve Ukrainës dhe nuk ka ndonjë marrëdhënie miqësie me Vladimir Putinin si Le Pen.
Në anën tjetër, ajo ka mohuar të jetë pasardhëse e Musolinit megjithëse në moshë te re ka qenë anëtare e lëvizjeve fashiste. Kemi të bëjmë me një figurë nga ato më klasiket e Europës së sotme kryesisht Lindore, siç kemi parë në Hungari apo Poloni. është udhëheqësja më e djathtë që ulet në poltronin e kryeministrit të Italisë, pas Musolinit, siç shkruante sot shtypi amerikan.
Nuk është e frikshme ngjitja e Xhorxhia Melonit, pasi një demokraci e madhe si ajo italiane di të filtrojë më mirë se demokracitë e reja lindore shtysat populiste. Italia ka bërë shkollë më vete me aftësinë e saj për të shkuar në zgjedhje në më të parin destabilizim politik. E frikshme në ngjitjen e Melonit është shkaku pse ajo e pa veten në krye të preferencave të popullit italian.
Triumfi i Xhorxhia Melonit është suksesi i asaj elite populiste evropiane që nuk është dakord me mënyrën sesi po menaxhohen krizat në kontinentin e vjetër. Nga punësimi tek emigracioni, ekonomia dhe siguria, populistët kanë kohë që ofrojnë formula ndjellëse për veshët e lodhur të evropianëve.
Meloni kërkon të bllokojë çmimin e hidrokarbureve, ajo premton t’i thotë ‘jo’ masave shtrënguese të Brukselit dhe të heqë nga kurrizi i ekonomisë italiane dhe qytetarëve të thjeshtë barrën e rëndë të taksave. Të gjitha premtime për t’u parë dhe që sot tingëllojnë më shumë si oferta elektorale sesa si angazhime serioze.
E parë në këtë prizëm, fitorja e Melonit hedh hije frike edhe në një breg të qetë e që duket sikur i përket një bote tjetër, si Shqipëria. Prej muajsh shqiptarët e varfër ndodhen të kapur në ganxhën e një krize çmimesh që ka shtrenjtuar gjithçka, deri edhe berberin e lagjes. Që nga qershori nuk jepet më as 30 mijë lekëshi ekstra për pensionistët e shtresat në nevojë, ndërkohë që politika e ndjekur ndaj hidrokarbureve që janë gjeneza e rritjes së çmimeve, nuk ka arritur të na e heqë nga qafa “medaljen” e vendit me çmimin mjaft të lartë të litrit të naftës.
Në anën tjetër, vendosja e kuotës prej 800 kilovatësh për familjarët që nga 1 tetori, heq de facto edhe bllokimin e çmimin e energjisë elektrike që Rama e ka përmendur dhjetra herë në daljet e tij gjatë verës. Ndodhemi përballë ‘gjeneralit dimër’ me një mbulesë shumë të hollë dhe krejt të pamjaftueshme financiare e sociale.
Në rrethana të tilla shfaqen populistët. Ata që ngrenë zërin lart dhe shkaktojnë zhurmë e potere kudo në Evropë. Për fatin e qeverisë, këtu tek ne nuk ka Xhorxhia Meloni. Ka 30 vjet që individë të ndryshëm reklamojnë ta marrin atë rol po s’munden. Fati i Ramës është që ka përballë dy figura të rrënuara që kopjojnë gjithë ditën Orbanin e Trumpin por nuk kanë asnjë gen të ngjashëm në trupin dhe karrierën e tyre.
Megjithatë mesazhi i Melonit për të gjithë kontinentin, përfshirë skutën e mbrojtur shqiptare, është se kohët ekstreme pjellin figura ekstreme. Evropa nuk ka nevojë të shohë larg, shembujt në histori i ka të shumtë dhe disa prej tyre shumë të dhimbshëm. Edhe Shqipëria gjithashtu! Dimri që po vjen do të vendosë në provë zjarri sistemet ekonomike, qeveritë dhe shtetet e Evropës. Imagjinoni sa i fortë do të jetë impakti në një vend të varfër e të dobët si Shqipëria, kur nga kriza po ankohen tashmë francezët, britanikët e gjithë të tjerët me radhë!
- Gruas së Bashar al-Assad i japin shanset 50/50 për t’i mbijetuar leuçemisë! Ajo kërkon me ngulm të largohet… - 26/12/2024
- VIDEO / Si mund ta arrijë Berisha, qeverinë teknike?! Flet Spartak Ngjela - 26/12/2024
- “Në Borje, aty jeton një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjitha kohërave…” - 26/12/2024