Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar një takim me banorët e kryeqytetit këtë të hënë, 13 tetor, konkretisht në Njësinë 5, ku u diskutua mbi sfidat dhe prioritetet e kësaj zone të madhe urbane. Ajo ishte e shoqëruar nga drejtuesit politikë të PS-së në Njësinë 5, Taulant Balla, Niko Peleshi dhe Erion Braçe.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu vuri theksin te ndërtimi i një Tirane që u përket qytetarëve, ku hapësirat, shërbimet dhe zhvillimi urban të jenë në funksion të komunitetit.
“Ka rëndësi që ne të ndërtojmë një qytet që i përket komunitetit, ku secili të ndjejë pronësinë mbi “katin zero” të lagjes, mbi territorin ku ndajmë jetën e përditshme, ndaj një nga prioritetet tona do të jetë pikërisht ajo që tashmë kemi nisur: çlirimi i hapësirave të përbashkëta dhe kthimi i tyre komunitetit. Çdo lagje duhet të ketë hapësira ku fëmijët të luajnë, të moshuarit të çlodhen dhe biznesit t’i shtohet vlera. Shumë e rëndësishme është që çdo projekt, çdo punë publike, çdo program që nisim të ketë dimensionin social, si i shërben ky projekt fëmijëve, të moshuarve dhe familjeve. Kemi nisur Rilindje 2.0, një program që i heq barrierat këtij qyteti. Kjo nuk është një betejë kundër dikujt, por për Tiranën europiane me punët e vogla dhe të mëdha të qytetit.”, tha Manastirliu.
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Njësinë 5, Taulant Balla u ndal te vlerat që Ogerta Manastirliu do të sjellë në drejtimin e Tiranës:
“Është një mundësi e madhe për Tiranën që më në fund pas 105 vitesh kryeqyteti i shqiptarëve i besohet një zonje të vërtetë 24 karat tironse puro. Eksperienca e Ogertës në krye të sektorëve jetikë me të cilët përballen qytetarët, siç është shëndeti publik, siç është arsimi, e bëjnë Ogertën jo vetëm kandidaten më të mirë, por kandidaten e vetme në këto zgjedhje për të investuar votën.”, tha Balla.
Niko Peleshi tha se Manastirliu është personi i duhur për Tiranën: “Ne kemi personin e duhur, politikisht dhe me aftësi menaxheriale, që i ka treguar kudo.”
Ndërsa deputeti Erion Braçe tha se ka ardhur koha për një grua në drejtimin e Tiranës: “Ka ardhur dita që në krye të Tiranës të sjellim një grua. Gratë dhe vajzat duhet të mbështesin një grua nga fillimi deri ne fund.”
Duke folur për përgjegjësinë e kandidimit dhe rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët, Manastirliu theksoi se administrimi i Tiranës kërkon vizion afatgjatë dhe angazhim të përbashkët për çdo lagje dhe familje.
“Tirana duhet të pulsojë me ritmin e komunitetit”, tha Manastirliu, duke kërkuar besimin e qytetarëve për të ndërtuar një qytet ku çdo lagje, çdo rrugë dhe çdo familje ndihet pjesë e së njëjtës shtëpi të madhe.
- Gjenerata e re e Policisë, ministrja Koçiu: Ju mbani një uniformë të rëndë… - 13/10/2025
- Manastirliu me banorët e Tiranës: Më shumë hapësira publike për fëmijët e të moshuarit! - 13/10/2025
- Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, Macron konfirmon mbështetjen për një shtet të pavarur palestinez - 13/10/2025