23.5 C
Tirana
18 / 06 / 2025

Macron kundër Trump-it dhe Netanyahu-t: Ndryshimi i regjimit në Iran do të sillte kaos

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka folur sot në samitin e G7-ës që po zhvillohet në Kanada, ku ka paralajmëruar kundër çdo përpjekjeje për të ndryshuar regjimin në Iran përmes mjeteve ushtarake.

Sipas agjencive ndërkombëtare të lajmeve Reuters dhe AFP, Macron u shpreh se një ndryshim i tillë do të sillte “kaos” në rajon dhe do të përkeqësonte më tej situatën gjeopolitike në Lindjen e Mesme.

“Do të ishte një gabim i madh që një ndryshim regjimi në Iran të arrihej përmes forcës ushtarake”, tha Macron gjatë deklaratës së tij, duke theksuar se alternativa më e mençur është rikthimi në tryezën e bisedimeve për programin bërthamor të Iranit.

Presidenti francez gjithashtu theksoi rolin thelbësor të Shteteve të Bashkuara në këtë proces. “Besoj se kemi nevojë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rolin udhëheqës për të rikthyer të gjitha palët në tryezën e bisedimeve”, deklaroi ai.

Qëndrimi i Macron vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar dhe përpjekjesh për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës në rajon, veçanërisht pas përplasjeve mes Izraelit dhe Iranit dhe rritjes së pasigurisë në lidhje me armët bërthamore.

Çfarë po ndodh mes Izraelit dhe Iranit?

• Izraeli dhe Irani po shkëmbejnë sulme prej pesë ditësh, ndërsa civilët në zonat e tensionuara po përballen me valë bombardimesh. Në Iran janë vrarë të paktën 224 persona që nga fillimi i përplasjes. Në Izrael, numri i të vrarëve ka arritur në 24.

• Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po kërkon një “përfundim të vërtetë” të konfliktit, jo thjesht një armëpushim, pasi u largua para kohe nga samiti i G7. Trump mohoi se u largua për të punuar për një marrëveshje paqeje dhe tha se “diçka shumë më e madhe” është në zhvillim. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje iranianëve të evakuojnë Teheranin.

• Ndërkohë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se beson se sulmet e Izraelit e kanë dëmtuar ndjeshëm programin bërthamor të Iranit. Izraeli ka goditur tre objekte kryesore bërthamore iraniane, megjithëse shkalla e dëmeve mbetet e paqartë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x