Nga Majlinda Bregu
Pas vitesh të tëra përpjekjeje e pune për të kuptuar të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor, raportet ekonomike nuk i lexoj më vetëm me sy politik. I lexoj me një shqetësim që rritet.Me shpresë se jam e aftë për t’I gjykuar edhe më objektivisht pa dëmtuar një analizë të thjeshtë.
OECD ose Organizata për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik, ka botuar së fundmi dy raporte atë për Perspektivën Ekonomike në nivel global dhe Tabelën e Konvergjencës Ekonomike për Ballkanin Perëndimor ose ndryshe Tabelën e hendekut zhvillimor që rajoni ka me Europën. Po t’I lexosh të dyja bashkë e kupton lehtësisht se tronditjet globale = dhimbje lokale. Ngadalësim I rritjes ekonomike në nivel global, inflacioni që pritet të rritet, barrierat tregëtare dhe cdo konflikt luftë e re, prek më së shumti vendet më të vogla dhe meë të dobëta ekonomikisht. Varësia që vendet e rajonit tonë kanë nga tregtia me BE, shtojnë dozën e shqetësimit për cmimet e larta sidomos në ushqime dhe energji. Shkurt pasiguria do të jetë dominante për një kohë të gjatë.
Në një botë gjithnjë e më e fragmentuar dhe e pasigurt, aftësia për të bashkëpunuar në tregti, zhvillimin digjital dhe investime nuk është më zgjedhje. Është domosdoshmëri. Për rajone si Ballkani Perëndimor, që synojnë jo vetëm anëtarësim në BE, por standarde të krahasueshme jetese, mesazhi është i qartë: reformat strukturore nuk janë më për të plotësuar një listë kapitujsh, janë ura drejt një ekonomie konkurruese dhe të përgatitur për të ardhmen.
Politikat tregtare duhet të jenë më të besueshme e bashkëpunuese.
Mbështetja e inovacionit dhe shërbimet digjitale, nga shëndetësia te arsimi, mund të jenë motori i rritjes që ngushton më në fund hendekun e konkurrueshmërisë. Por vetëm nëse heqim qafe mendjelehtesinë që na mban peng dhe e marrim seriozisht mbylljen e këtij hendeku.
Në Ballkanin Perëndimor, mungesa e besimit nuk është formulë shkence. Ka emra, ka fytyra. Është i riu që përgatitet të largohet; është sipërmarrësi që heziton të rritet;është biznesi i vogël që paguan fatura gjithnjë e më të larta dhe përballet me më shumë pengesa sesa ndihmë.
Ndërmjet 2015-2024 më shumë se 635 mijë vetë kanë emigruar duke e zvogëluar popullsine në Ballkan me 4,4 milionë, ku Shqipëria ka rritjen më të lartë të emigrimit.
77% e bizneseve në rajon raportojnë kosto të rritura. Vetëm një në tre pret ndonjë përmirësim.(Balkan Barometer, 2023)
Ndërkohë, produktiviteti i punës ‘ngec’ në vetëm 40% të mesatares së BE-së. Papunësia e të rinjve mbetet dramatikisht e lartë. Vetëm 34% e të rriturve zotërojnë aftësi digjitale bazë.
Investimet në Kërkim & Zhvillim janë të pakta, rreth 17% e nivelit të BE-së, dhe mbështeten pothuaj tërësisht në buxhete shtetërore të lodhura.
OECD përdor një term domethënës: “hurdle rate”, ose shkallën minimale të kthimit të investimit. Në Ballkanin Perëndimor, “hurdle rate” nuk është thjesht ekonomike. Është institucionale. Juridike. Psikologjike. Nuk është më norma e interesit që vendos nëse investohet apo jo. Është pasiguria.
Çdo reformë që vonohet, çdo ligj i paqëndrueshëm, çdo procedurë e ndërlikuar e shtyn atë edhe më larg me pikë.
OECD paralajmëron: nëse vijojmë kështu, pa reforma të guximshme dhe të koordinuara, Ballkani Perëndimor mund ta arrijë mesataren e BE-së vetëm në vitin 2074.
Por çfarë Evrope do të jetë ajo e vitit 2074?
Një Evropë më e vjetër. Më digjitale. Më e ekspozuar ndaj krizave klimatike.
Dhe ndoshta më e fragmentuar, nëse politikat e kohezionit nuk përmbushin premtimet.
Një kontinent ku Inteligjenca Artificiale do të udhëheqë politikat industriale, ku ekonomia e gjelbër nuk do të jetë më përjashtim, por rregull.
Dhe ku rajonet që nuk kapin ritmin sot, rrezikojnë të mbeten përgjithmonë prapa.
Ne i dimë problemet tona në rrafshin moral, njërëzor dhe institucional.
Mes nes duken më të koklavitura e nuk mund të zgjidhen me formula raportesh.Papunësia e të rinjve, financim I ulët për inovacionet, mungesa e qëndrueshmërisë së karrierës, paqëndrueshmëria ligjore, treg rajonal ende i copëzuar etj
A ka zgjidhje?
Sigurisht I jam referuar vetëm raporteve këtu që sic është edhe simbolika e botimit, janë si një far mes stuhisë,- ndricojnë, por rruga për të notuar I sigurt nuk varet nga drita e farit.
Në një det të trazuar nuk është mungesa e mjeteve që fundos, por hezitimi për t’I përdorur me përgjegjësi e seriozitet.
- Xi Jinping reagon për konfliktin Izrael-Iran: Kina e gatshme të punojë për paqen - 17/06/2025
- Pas goditjeve ushtarake, Irani pëson sulm kibernetik në bankën shtetërore, Izraeli merr përgjegjësinë - 17/06/2025
- Tragjedia ajrore në Indi, hetuesit: Dy motorët e avionit dolën jashtë funksionit menjëherë pas ngritjes - 17/06/2025