Gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të zgjasë me vite. Ditë më parë, një nga të akuzuarit, Kadri Veseli, kërkoi që gjykimi ndaj tyre të bëhet në një kohë të arsyeshme. Mirëpo, nga monitoruesit e këtij procesi thonë se me ritmin aktual dhe me numrin e dëshmitarëve, procesi mund të zgjasë edhe pesë vite të tjera.
“Në rast se vazhdohet me këtë ritëm dëgjimi i dëshmitarëve ku brenda një viti janë dëgjuar dikur 60 dëshmitarë sigurisht ky gjykim do të jetë mjaft i gjatë, do të konsumohen disa vite dhe mund të jetë një prej gjykimeve më të gjata sa i përket gjykimeve për krime lufte në Kosovë duke krahasuar edhe me gjykimet të cilat më herët janë mbajtur në Tribunal të Hagës”, tha Amer Alija avokat, monitorues i DHS.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë në paraburgim që prej nëntorit të vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre për krime të pretenduara të luftës nisi vetëm një vit më parë.
“Po shihni sa mbahen në paraburgim të akuzuarit, është përtej masës së arsyeshme dhe po të ishte Kosova anëtare e KiE kjo çështje do të adresohej menjëherë dhe Gjykata për të Drejta të Njeriut do të ndërmerrte ndonjë veprim”, u shpreh Bexhet Shala Këshilli për të Drejtat e Njeriut.
Përpos rastit “Thaçi dhe të tjerët”, pranë Dhomave të Specializuara është duke u gjykuar edhe rasti tjetër, ai ndaj Pjetër Shalës me të njëjta akuza. Përveç zgjatjes së procesit, në Prishtinë shohin me shqetësim edhe redaktimet e seancave gjyqësore, diçka që nuk i jep mediave dhe publikut qasje në dëshmitë e plota.
“Në çka po shohim po vërehet që kemi një redaktim të tepërt të seancave që sigurisht që ky redaktim vjen për shkak të kërkesës qoftë të dëshmitarëve të mbrojtur apo të prokurorisë që të mbrohet identiteti i dëshmitarëve”, tha Alija.
Nga Kuvendi i Kosovës, i cili më 2015 përmes një ligji të veçantë i hapi rrugë themelimit të Speciales, kërkohet që të ngreh zërin për këto shqetësime.
“Jo për të kërkuar lirimin e të akuzuarve sepse atë e bën gjykata por për të kërkuar respektimin e procedurave dhe thjesht për të pasur më shumë qasje që ata të monitorohen nga dikush i pavarur”, u shpreh Shala.
Deri më tani, Specialja ka shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht. Së fundmi, me kusht është liruar edhe ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, që gjithashtu dyshohet për pengim të drejtësisë.
- Gruas së Bashar al-Assad i japin shanset 50/50 për t’i mbijetuar leuçemisë! Ajo kërkon me ngulm të largohet… - 26/12/2024
- VIDEO / Si mund ta arrijë Berisha, qeverinë teknike?! Flet Spartak Ngjela - 26/12/2024
- “Në Borje, aty jeton një plakë treqind vjeçare që rrëfen kronikën dhe kujtesën e të gjitha kohërave…” - 26/12/2024