21.5 C
Tirana
22 / 10 / 2025

Komenti i ditës: SA SHUMË THOTË KJO FLETË VOTIMI PËR NAUREDA LLAGAMIN…

Nga Luan Rama

Në një peizazh të çoroditur fjalësh të derdhura kuturu faqeve të gazetave, ekraneve të televizioneve e portaleve të shumtë, ku gazetari nuk është më sepse të gjithë janë bërë edhe gazetarë, njësoj siç janë bërë gjyqtarë, prokurorë e avokatë njëherësh, na shërbehet si një skandal i madh votimi i bërë në Gjykatën e Lartë të Republikës, gjatë të cilit, gjyqtarët e lartë kanë votuar që të zgjedhin njërin ndër tri emrat mes kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese.

E gjithë kjo histori do të ishte përcjellë me indiferencë nëse njëra prej kandidateve, zonja Naureda Llagami, e renditur e para pas votimit, nuk do të këmbëngulte që të verifikohej një fletë votimi pro emrit të saj, por e shpallur e pavlefshme nga komisioni i votimit, prej se votuesi, (në këtë rast jo ndonjë analfabet prej periferisë se vendit, por një anëtar i Gjykatës së Lartë të Republikës!), bashkë me shenjën e votimit si shprehje të vullnetit të tij pro zonjës Llagami, ka bërë në fletën e votimit edhe një shënim tjetër.
Krejt pa asnjë shkak e pa asnjë nevojë sipas një arsyetimi normal, por siç duket jo për arsyetimin jonormal të votuesit gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Republikës, (ai ose ajo) ka bërë edhe një shënim tjetër, duke vënë në rreth numrin 2, që është numri rendor para emrit të së votuarës në fletën e votimit, zonjës Naureda Llagami.

Zonja Llagami ka të drejtë kur pretendon se vota është pro saj. Mirëpo, si një juriste që pretendon të jetë në të drejtën e vet, anëtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës, ajo duhet të na thotë nëse është apo jo shenja tjetër përveç votës në fletën e votimit një shenjë identifikuese e votuesit?

Druaj se po.
Por, le të mos paragjykojmë, sepse paragjykimi na e errëson qartësinë e analizës së faktit.

Në shpjegimin që ka bërë vetë Gjykata e Lartë, ka saktësuar se sipas rregullores së votimit, çdo shënim tjetër përveç shenjës që shpreh vullnetin e votuesit në kutinë përkatëse të fletës së votimit, e ben votën të pavlefshme, sepse, citoj: “Në rastin konkret, në fletën e shpallur të pavlefshme janë bërë dy shenja të ndryshme: një kryq votimi dhe një rrethim i numrit në krah të kandidatit gjë që, pavarësisht se mund të japë përshtypjen e një “qartësie të vullnetit”, cenon hapur fshehtësinë e votës dhe hap mundësinë që ajo të identifikohet. Nëse lejohet që çdo votë “e qartë” të pranohet edhe kur nuk është “e fshehtë”, atëherë parimi i fshehtësisë humbet kuptimin dhe procesi bëhet i identifikueshëm”.

Çështja do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. Nëse jemi apo jo para një skandali, siç kanë nxituar të shprehen ca të tjerë, kjo mbetet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por fleta e votimit na thotë më shumë se sa kaq.
Ajo është dëshmi e integritetit të anëtarit të Gjykatës së Lartë të Republikës.
Është shenjë alarmi e mungesës së respektit të anëtarit të Gjykatës së Lartë të Republikës për besimin që i është dhënë.
Është provë e karakterit të anëtarit të Gjykatës së Lartë të Republikës, shpërfaqur në një rast si ky i votimit që nuk ndryshon në asgjë nga votimi i kontrolluar, nga votimi i detyruar apo nga votimi i blerë që e ndeshim rëndom sa herë na duhet të shkojmë për të zgjedhur përfaqësuesit tanë.

Një njeri i tillë, afërmendsh që nuk e meriton të jetë jo në Gjykatën e Lartë të Republikës, por askund në sistemin e organeve të drejtësisë.

Mund të ndodhë që prej votës lehtësisht të identifikueshme, zonja Llagami të bëhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese, siç mund të ndodhë edhe e kundërta.
Por, sido që të ndodhë, jo thjeshtë ajo, por sistemi na jep edhe një argument tjetër se përse qytetarët nuk kanë besim tek drejtësia, për të mos thënë më tepër.

Ja, këtë na thotë ajo fletë votimi e një anëtari të Gjykatës së Lartë të Republikës, në të cilën aq sa zbulohet vota për zonjën Llagami, fshihet edhe dikush tjetër, (ai ose ajo) që bën pazar me votën dhe shkel besimin e dhënë.

Nëse Gjykata Kushtetuese e Republikës do që t’i bëjë një shërbim të madh vendit, më parë se të vendosë se kush do të jetë anëtari i saj i rradhës, zonja Llagami apo zoti Vokshi, le të hetojë e të gjejë përmes ekspertimit kriminalistik të fletës së votimit se kush prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë të Republikës është “injoranti” që nuk di të votojë në rastin më të mirë, apo matrapazi i votës në rastin më të drejtë.
Gjurmët janë në fletën e votimit. Le ta mësojmë të gjithë kush fshihet pas asaj flete votimi dhe fytyra e tij të jetë shembulli real i ndëshkueshmërisë prej një sistemi që e ka humbur besimin dhe kredibilitetin, sepse ka brenda tij njerëz matrapazë dhe të korruptuar.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x