9.5 C
Tirana
11 / 02 / 2026

Jeto një mbrëmje me Zhuliana Jorganxhi/ Mjeshtrja e fjalës së gdhendur në varg shpallet “Qytetare Nderi” e Korçës

Zhuliana Jorganxhi rikthehet në shtëpinë e saj, aty ku nisi gjithçka të krijimtarisë poetike. Pas shumë viteve mungesë, mjeshtrja e fjalës së gdhendur në varg, rikthehet në Korçë, aty ku lindi dhe u rrit për tu bërë padyshim më vonë një prej tekstshkrueseve më të njohura të këngës së muzikës së lehtë shqiptare e jo vetëm. Një mbrëmje dedikuar saj, mes vargjeve, kujtimeve dhe emicioneve është mbajtur këtë të premte në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. 

Emocione kanë përcjellë tek publiku aktorët e teatrit me interpretime të disa prej poezive të Zhulianës. 

Gjatë mbrëmjes janë interpretuar edhe këngë me tekst të mjeshtres së vargut, këngë të muzikës së lehtë shqiptare që kanë lënë gjurmë në memorien e brezave, e që janë kënduar njëzëri nga publiku i pranishëm në sallë.

Një mbrëmje e veçantë me emocione të papërshkrueshme ka qënë kjo për autoren e vargjeve të këngëve në shumë festivale.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme që nuk do ta harroj gjithë jetën time. ka qënë një mrekulli, që më bëri qyteti i lindjes, me këtë pritje, me këto duartrokitje, kanë qënë duartrokitjet për të gjitha vitet e jetës sime. Falenderoj qytetin tim dhe organizatorët për këtë aktivitet,” ka thënë Jorganxhi.

Poetja na tregon se ka qënë muzika që e çoi tek poezia. Ajo është mirënjohëse ndaj publikut shqiptar për suksesin e arritur në karrierën e saj.

“Në fillim ka qënë muzika, ajo më çoi tek poezia. Për mua nuk ka qënë shumë e vështirë për shkak të mësimeve të muzikës që kisha marrë në qytetin tim të lindjes, e genit që kam trashëguar nga familja ime, që poezitë ti kthej në këngë. Por edhe pse njeriu ndihet krenar për atë që ka bërë në jetë, është gjithnjë falenderues ndaj publikut shiptar, sepse pa të të gjithë, krijues, poetë e këngëtarë do të ndiheshin të vetmuar,” ka thënë më tej poetja.

Këshilli i bashkisë Korçë i ka dhënë titullin “Qytetare Nderi” e qytetit të Korçës zonjës Zhuliana Jorganxhi për kontributin e çmuar në kulturën kombëtare.

Ky vlerësim ridimensionon jo vetëm figurën e kësaj artisteje të madhe e të familjes së saj, por të qytetit të Korçës në artin dhe kulturën kombëtare shqiptare, është shprehur ndër të tjera Benila Themeli, nënkryetare e bashkisë Korçë.

Për kolegët që kanë bashkëpunuar prej vitesh me Zhulianën, ajo mbetet mbretëresha e poezisë shqiptare. Kështu është shprehur këngëtari Bashkim Alibali, i cili kishte ardhur enkas në Korçë për mbrëmjen dedikuar poeteshës Jorganxhi. 

Zhuliana Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës në vitin 1946, në një familje me tradita muzikore. Është një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi. Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar, në anketat dhe koncertet e RTSH-së si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Jorganxhi është fituese e gjashtë çmimeve të para dhe shumë të tjera. Ajo gjithashtu mban titullin “Mjeshtër i Madh”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x