10.5 C
Tirana
21 / 11 / 2024

Ilir Meta sot ka humbur, edhe “burrërinë”, edhe lirinë

Nga Mero Baze

Gjykata e Apelit nuk ia ndryshoi masën e arrestit Ilir Metës, por ky i fundit ndryshoi qëndrimet që kishte më parë lidhur me përgjegjësitë e tij në gjithë historitë e hetuara. Në mbrojtjen ligjore që bëri para gjykatës, ai ia faturoi gjithë problemet me ligjin ish-gruas së tij, Monika Kryemadhi, dhe vjehrrës së tij.

Personalisht jam kundër burgosjes paraprake të politikanëve që nuk ushtrojnë detyra konkrete në pushtet, të cilat lidhen me veprën e tyre penale, dhe në këtë kuadër nuk do të ishte ndonjë mëkat ndryshimi i masës së arrestit për Ilir Metën. Por vendimi i gjykatës nuk diskutohet. Ajo që mund të diskutojmë tani është qëndrimi i Ilir Metës ndaj akuzave që i janë bërë.

E gjithë beteja politike e Ilir Metës ishte se atë po e fuste në burg “DumDumani”, Edi Rama, SHBA, McGonigal etj. Pra, ai ka ngritur gjithë fabulën politike mbi idenë se ndaj tij ka një komplot për ta burgosur si udhëheqës opozite. Deklarata e sotme është një pranim i pastër juridik i fajësisë, duke ia faturuar ish-gruas dhe ish-vjehrrës së tij përgjegjësinë penale për shkeljet e ligjit.

Kjo natyrisht nuk është në dorën e tij, por në dorën e gjykatës. Është ajo që përcakton përgjegjësitë për shkeljen e ligjit në gjithë këtë proces.

Por fakti që ai e humbet “burrërinë” dhe fajëson ish-gruan për gjithë shkeljet ligjore që lidhen me abuzime financiare, as e shfajëson dhe, për më tepër, as e nderon.

Monika Kryemadhi është treguar më dinjitoze se ai në gjithë këtë proces. Edhe pse është e njohur për gjuhën e saj ekstreme ndaj kundërshtarëve, ajo ka treguar më shumë “burrëri” se Ilir Meta dhe më shumë integritet publik, duke pranuar që është përgjegjëse për shumë transaksione financiare në familje.

Madje, në gjithë këtë dramë të familjes së tyre, ajo mbajti të bashkuar fëmijët dhe u tërhoq nga politika, përballë një burri që, sa ishte jashtë, merrte malet dhe kodrat me radhë, duke u kthyer në një figurë tragjikomike që kombinon paranojën, delirin dhe frikën me njëra-tjetrën.

Në këtë aspekt, deklaratat e sotme të Ilir Metës para gjykatës, ku shfajësohet duke fajësuar gruan dhe vjehrrën, janë dy herë të dëmshme për të.

E para, politikisht, pasi i ka rënë kauza që e ka futur në burg Dumani, Rama, SHBA etj., duke pranuar që është në burg sepse ka shkelur ligjin.

E dyta, i ka rënë burrëria, pasi në vend që të pranojë përgjegjësitë e tij si bashkëshort dhe si ish-zyrtari më i lartë i këtij vendi, përpiqet të shfajësohet dhe kërkon lirinë duke fajësuar ish-gruan e tij.

Sot, para gjykatës, Ilir Meta ka humbur jo vetëm lirinë, duke mbetur në masën e arrestit, por edhe “burrërinë”, pasi strategjia e tij për të fajësuar ish-gruan dhe vjehrrën në përpjekje për të shmangur përgjegjësinë personale, e ka bërë situatën e tij edhe më të pafavorshme, si politikisht, ashtu edhe moralisht. Ai ka humbur edhe “burrërinë”, edhe lirinë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x