Nga Avni Selmani
Kohët e fundit kemi humbur disa nga figurat më të mëdha të kinemasë sonë. Margarita Xhepa, Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani, Enver Petrovci, Naum Shundi e të tjerë që dhanë gjithë jetën për artin dhe kulturën shqiptare, nuk janë më. Me ikjen e tyre mbetet një mungesë që nuk mbushet lehtë, sepse me ta ikën jo vetëm një artist, por edhe një pasuri kulturore e kombit tonë.
Por e vërteta është se ne kujtohemi vonë. Sa janë gjallë, i lëmë pas dore. Heshtim. Shpesh edhe i gjykojmë, i përbuzim apo i margjinalizojmë. Pastaj, sapo largohen, fillojmë me lavdërime, fjalë të mëdha dhe nderime që nuk vlejnë më për ta. Kjo është hipokrizi dhe e kemi kthyer në zakon.
Ky brez artistësh nuk solli vetëm filma e role, por krijoi themelet e një identiteti kulturor që na bashkoi si shoqëri. Ata edukuan breza, frymëzuan të rinj dhe lanë pas një trashëgimi që nuk matet me çmime apo duartrokitje. Me ta u rritën breza të tërë, dhe kjo është arsyeja pse ikja e tyre lë një mungesë që nuk e mbush dot askush tjetër. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më qartë shihet se sa të vlefshëm ishin, sepse gjeneratat e sotme, me gjithë mundësitë që kanë, ende nuk e kanë arritur as për së afërmi nivelin e tyre.
Ky realitet nuk është vetëm faj i shoqërisë, por edhe i institucioneve që duhej të ishin të parat që ta ruanin dhe ta nderonin këtë trashëgimi. Ata duhej t’i siguronin edhe materialisht, sepse edhe pse ikin fizikisht, veprimtaria e tyre vazhdon. Veprat dhe kontributi i tyre do të mbeten edhe pas tyre, dhe me to do të shkruhet historia e kinematografisë sonë.
Kështu humbim dyfish, humbim ikonat dhe humbim edhe urën që lidh brezat. Dhe kjo sjellje është e turpshme. Dëmton jo vetëm të kaluarën tonë kulturore, por edhe vullnetin e brezit të ri për të krijuar. Shumë prej artistëve vetë e kanë thënë se janë ndjerë të harruar e të lënë mënjanë, edhe pse kishin ende shumë për të dhënë. Nëse vazhdojmë kështu, do të përsëritim të njëjtin fat edhe me ata që sot janë në skenë e ekran.
Këto figura nuk i përkasin vetëm një qyteti apo një vendi. Ato i përkasin gjithë shqiptarëve, kudo që janë. Arti i tyre kaloi kufijtë, na prezantoi edhe jashtë vendit në konkurse e festivale, dhe i dha dinjitet kombit. Është trashëgimi që duhet të na bashkojë të gjithëve, sepse nuk njeh kufi as në gjuhë, as në ndjenjë, as në mesazh.
Respekti dhe kujdesi ka vlerë vetëm sa janë gjallë, jo në lavdërimet pas vdekjes.
- NE 97-VJETORIN E LINDJES SE KARDINALIT/ Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh, duke na kujtuar se Zoti nuk është larg, por aty ku njeriu guxon të falë - 19/10/2025
- Një tribunal që ka humbur rrugën - 19/10/2025
- Bashkia e Vlorës i jep Mira Muratit titullin “Qytetar Nderi”, nëna: Mira ndjek me interes çfarë ndodh në Shqipëri dhe në Vlorë - 18/10/2025