17.5 C
Tirana
22 / 10 / 2025

Hajdari: Protesta e UÇK në Tiranë goditi kullat, aty ishin bashkë socialistë e demokratë

Koordinatori i protestës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shkëlqim Hajdari, ka deklaruar se ngjarja e zhvilluar më 17 tetor në Sheshin “Skënderbej” u organizua me sukses, duke e mbajtur larg përdorimin politik dhe duke e bërë atë një shprehje të unitetit shqiptar nga të gjitha trojet.

Duke folur në emisionin ‘Trialog’, në RTSH1, Hajdari tha se protesta e zhvilluar nën moton “Liria ka emër, drejtësi për çlirimtarët”, shpjegoi se iniciativa erdhi pas një kërkese nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së për ndihmë nga komuniteti i Tiranës.

“Ne bëmë detyrën tonë si shoqatë duke organizuar një takim 48 orë para protestës me të gjitha shoqatat jo politike në Shqipëri, si shoqata Labëria, Çamëria, Gora, Berati, Dibra dhe gjithë Shqipëria. Dolëm me një deklaratë ku secili i bëri thirrje komunitetit të vet në Tiranë për të marrë pjesë,” tha Hajdari.

Sipas tij, ky bashkëpunim bindi të gjithë se protesta do të ishte mbarëkombëtare, me pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare, dhe Tirana do ta kryente rolin e saj si mikpritëse.

“Mendoj se e kemi bërë mirë. Jemi munduar të mbajmë larg përdorimin politik të protestës. Shumica e njerëzve që e kanë parë dhe kanë marrë pjesë, dhe që nuk duan të bëjnë politikë, kanë thënë se shqiptarët u mblodhën në Sheshin ‘Skënderbej’,” shtoi Hajdari.

Hajdari e cilësoi procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së si “një gjyq të montuar dhe të fabrikuar”, e cila sipas tij u nis me një “përrallë” dhe po përfundon me një tjetër.

“E nisur për shtëpi të verdhë kur nuk ka as shtëpi të verdhë. Kemi çuar prokurorët tanë në Mat dhe atje nuk ka as shtëpi të verdhë me ngjyrë, le të ketë ambiente për të bërë transplant. Filloi me një përrallë dhe po përfundon me një përrallë,” deklaroi Hajdari, duke iu referuar akuzave specifike për krime që, sipas tij, nuk mbështeten në prova të vërteta.

Ai shtoi se kjo “protestë ka goditur kullat”. “Ai shesh do të gjëmojë përherë, plot do jetë përherë. Sot ai shesh dhe ata njerëz do të jenë krenarë për brezat që do të vijnë, me parrullën që ka ndryshuar; Ne jemi UÇK”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x