21.5 C
Tirana
08 / 09 / 2024

Gra si ti/  Enkelejda Gjinali, inxhinierja që do të na “çojë” në Europë nëpërmjet ujërave

E dini që kur në Shqipëri u ndërtua impianti i parë i trajtimit të ujërave të ndotura, Gjermania festonte 200 vjetorin e tyre? Po që punimin e parë doktoral për impante të tilla e ka bërë një grua, që kur mbaroi studimet për Hidroteknikë në Universitetin e Tiranës, kishte vetëm 1 shoqe dhe 30 shokë në kurs?  Enkelejda Gjinali, gruaja që “ra në dashuri” me shkencën e ujërave, edhe pse nuk ishte zgjedhja e saj, që regjimi nuk e la të bëhej violiniste dhe që ka vënë gur themeli në Departamentin e Inxhinierisë së Mjedisit në UPT, vjen në këtë rrëfim të jashtëzakonshëm me përvojën e një jete të kaluar mes pasionit për shkencën, mjedisit dhe ëndrrës për ta parë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian sa më shpejt. 

Kejda, Shqipëria ka patur një eksperiencë të mirë në fushën e Hidroteknikës. Plejada e inxhinierëve shqiptarë gjatë viteve kanë ndërtuar hidrocentrale, vepra kullimi, të ujitjes apo të kanalizimeve. Ju keni studiuar dhe jeni diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1992. Ju jeni doktorantja e parë, e cila  temën e disertacionit për trajtimin e ujërave të ndotur urban për zonat e vogla të banimit e keni shoqëruar me ndërtimin e një impianti konkret të financuar nga qeveria gjermane. Disertacioni juaj është i pari punim shkencor që në fakt është i aplikuar në Shqipëri dhe përdor një teknologji për trajtimin e ujit të ndotur me filtër dhe me bimësi, e cila mundëson edhe ripërdorimin e ujit pas trajtimit.Natyrshëm lind pyetja, pse kjo lidhja juaj me ujin, pse ky orientim i juaji në fushën e hidroteknikës. 

Asgjë s’është e rastësishme në fakt, pasi të dy prindërit e mi kanë qenë inxhinierë elektrik. Të dy të talentuar, krijues, innovator dhe me shumë devocion në punë, ata kanë mbajtur gjallë jo vetëm punën e tyre, por edhe disa nga veprat që sot gëzojmë në Shqipëri. Me thënë të drejtën, të kesh dy prindër të tillë, natyrisht që të nxit përnjëherë nevoja që të bëhesh inxhiniere në fushën e energjisë. Në ato vite kur ata janë diplomuar dhe filluan të punonin, ne ishim një familje që në atë kohë quhej ‘familje e deklasuar’, për shkak të luftës së klasave që ekzistonte dhe për shkak të burgosjes që kishin patur të dy prindërit e prindërve të mi. Ata ishin burgosur për agjitacion dhe propagandë, kështu që prindërit e mi e kishin shumë të vështirë që të zhvilloheshin ose të paktën të preknin edhe nivele të tjera të fushës së tyre, por iu desh që të punonin në vende që ishin më të vështirat, më sfidueset, por besoj se ka qënë edhe një kënaqësi për ta, sepse i moren zanatit të tyre më të mirën. Të punosh në nivelet më poshtë dhe pastaj të ngjitesh ngadalë në nivelin që në atë kohë të lejonin, ke mundësinë të zhvillohesh, por edhe të prekësh pika, të cilat kanë nevojë t’i kthehesh, t’i studiosh, t’i përkujdesesh dhe në njëfarë mënyre dhe t’i promovosh. 

Unë në vitin ’87 duhet të filloja universitetin dhe kisha shumë pasion që të isha inxhiniere elektrike, por një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse në ato vite kur të caktonin se cilën shkollë do të bëje, mblidhej komiteti i partisë së lagjes. Dhe jo për meritë, por sepse kishe disa kritere, dhe kriteri i parë ishte politik, të çonin nëpër degë të ndryshme nëse ato vendosnin të të çonin në shkollë të lartë. Unë në ato vite u caktova në Hidroteknikë dhe duke e parë se sa e vështirë ishte për një fëmijë që ballafaqohet për herë të parë me këtë fakt, kur ti në fakt ke mbaruar dhe gjimnazin me nota të shkëlqyera, thashë unë dua një universitet, pavarësisht se cila do të jetë dega që unë do të marr. Në fakt, kjo nuk është e rastësishme. Në familjen tonë ka një traditë në lidhje me edukimin dhe kjo traditë lidhet shëndetshëm me stërgjyshin, po edhe përpara tij. Stërgjyshi është një nga firmëtarët e Pavarësisë së Tiranës, e cila më vonë u shndërrua në një telegram dhe iu dërgua Ismail Qemalit në vitin 1912. Më pas gjyshi, domethënë i biri, studioi në shkollën “Harry Fultz”, ka qënë dhe profesor aty dhe më pas ai shkoi me një bursë, të cilën e akordonte shteti shqiptar për shkak të rezultateve të mira në atë kohë, shkon në Angli dhe mbaron shkollën në fushë ne ekonomisë. Kthehet pas universitetit në Shqipëri dhe influencon intelektualët në Tiranë, por edhe qytetin e Tiranës dhe qeverinë e asaj kohe për të bërë gjëra të cilat ishin me një frymë të re dhe nga një shkollë anglo-saksone. E rritur mes gjithë këtyre modeleve të mira, nuk ke si del jashtë kësaj kutie le të themi dhe në njëfarë mënyre ato kanë influencuar edhe jetën që unë kam bërë. Por gjithmonë kam dhe një amanet nga secili prej tyre: “Jepni për profesionin, por jepni më shumë për shoqërinë”.  

Pasi mbaruat universitetin, ju kryet master shkencor për Inxhinieri Hidroteknike pranë të njëjtit universitet dhe pastaj nisët punën si asistent-pedagoge, po pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Masterin e dytë shkencor për Inxhinieri Mjedisi e keni kryer në Francë, nderkohë praktikën e keni bërë pranë shoqërisë më të madhe të ujërave në Bordeaux. Prej asaj kohe, jeni e “armatosur” me gjithë këtë eksperiencë, keni dhënë mësim pranë Universitetit Politeknik. i thonë 30 vjet, një kohë shumë e gjatë duke njohur dhe kaluar breza të tërë studentësh. Si ka qënë ecuria e djemëve dhe vajzave në fushën e Hidroteknikës aty ku ju jepni mësim? 

Në fakt, inxhinieria hidroteknike është një degë e mrekullueshme, sikundër është edhe inxhinieria e mjedisit ku unë jap mësim. Inxhinieria Hidroteknike ka një spektër jashtëzakonisht të gjerë, sikundër e cituat edhe ju në fillim, një inxhinier hidroteknik është i mbushur me njohuri për operimin, mirëmbajtjen, projektimin dhe zbatimin e veprave hidroteknike si furnizimi me ujë, kanalizimet, impiantet e trajtimit të ujit të ndotur urban, hidrocentralet, veprat e ujitjes dhe të kullimit, mbrojtjen bregdetare, mbrojtjen lumore, mbrojtjen portuale. Ka kaq shumë spektër të gjerë sa në fakt në kohën time është quajtur dega më e vështire dhe ndoshta kjo ishte arsyeja pse unë e fitova në atë kohë këtë të drejtë studimi. Unë di t’ju them një gjë, që një inxhinieri hidroteknik për tu bërë inxhinier ndërtimi i duhen vetëm 4 provime. Ndërsa një inxhinieri ndërtimi për tu bërë inxhinier hidroteknik i duhen 16 provime. E keqja është se ne nuk kemi folur për natyrën dhe ngjyrat që kanë degët edhe cfarë spektri të jep ty mundësia për tu punësuar më tutje, pasi të hap shumë dritare informacioni ku ti mund të punësohesh. Ndërkohë që një hidroteknik apo një inxhinier mjedisi e ka mundësinë si firzamonikë, e ka shumë të gjerë dhe të madhe. Kur unë kam kryer studimet, ne ishim 2 vajza dhe 30 djem, ndërsa kur unë kam shkuar në Francë ky raport ishte 50 me 50. Vitet e fundit ky raport ka ndryshuar në 4 me 1, pra 4 goca me 1 djalë. Sot kemi shumë vajza inxhiniere dhe unë jam shumë e lumtur për këtë, sepse diversiteti sjell padyshim ndryshimin e madh, por njëkohësisht është edhe një ndihmë që u jepet djemve, të cilët në një moment të caktuar të kohës së tyre nuk kanë mundësi të bëjnë atë që bëjnë vajzat në fushën e inxhinierisë. Vajzat janë të punësuara edhe në fushën e zbatimit, që duket si e vështirë, dhe aty madje ka edhe shumë vajza, të cilat kanë spikatur, janë promovuar dhe sot madje janë duke bërë vepra të tjera jashtë Shqipërisë. 

Po raporti në karrierë si qëndron, nga ajo që ju keni në eksperiencë në këto vite? 

Edhe kjo është një pyetje shumë e bukur. Në vitin ’92, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit mbyllet plotësisht shkolla pas-universitare dhe është hapur në vitin 2007. Ndërkohë që në universitetet e tjera, kujtoj Fakultetin e Ekonomisë, pedagogët shpreheshin “këta i nxjerrin me lopatë ata që janë disertantë, doktorantë, profesorë”. Në fakt, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe sidomos Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, ishte shumë fanatik për të nxjerrë numra. Dhe ne në fakt jetojmë ende me të njëjtat vepra hidroteknike dhe kjo falë asaj armate të atyre inxhinierëve, atyre kolosëve, të cilët sot pushojnë të heshtur, por janë ata arsyeja që ne gëzojmë të mirat që kemi sot. Në këtë kontekst do të thoja që fakulteti jonë ka qënë më i kursyer, por njëkohësisht na e bëri ne shumë të vështirë jetën, ne profesorëve të rinj, sepse u desh që ne të studionim jashtë, të konvertonim këto diploma që morëm jashtë me provime shtesë që jepnim në Shqipëri, për degë të cilat nuk njiheshin fare në Shqipëri. Me shumë përpjekje, kujtoj që ne ishim 3 profesorë, 2 ishin djem dhe unë isha e vetmja femër. Unë kam lënë vajzën 4 muajshe në Shqipëri dhe e kam takuar pas 1 viti e gjysëm. Kaq e madhe ishte etja për të bërë shkolla dhe për të hapur perspektiva të reja në Shqipëri. Me kthimin nga Franca, bashkë me disa profesorë, ne kemi hapur për herë të parë Departamentin e Inxhinierisë së Mjedisit, i cili është departament unikal i aprovuar në atë kohë me vendim të Këshillit të Ministrave, sepse kuptohej që perspektiva do të ishte fjala ‘mjedis’. E vërteta është që për shumë vite fjala ‘mjedis’ nuk është kuptuar mire, por sot jemi fatlum, sepse të gjithë e kuptojmë cfarë do të thotë ‘mjedis’. Tani ka ardhur një moment tjetër në fakt, ku ne duhet të kuptojmë një për një elementët e mjedisit dhe ne jemi këtu sot.

Krahas kësaj eksperience në fushën akademike, keni edhe një eksperiencë ne fushën e politikëbërjes. Jeni bashkëautore e strategjive që lidhen me reformat në fushën e ujit në Shqipëri, ku mund të vecojmë “Reformën në furnizimin me ujë dhe kanalizime në Shqipëri”. Dhe ndërkohë prej 10 vjetësh keni drejtuar programin e ujërave të qeverisë gjermane nëpërmjet GIZ, që ka mbështetur Shqipërinë. Ndërkohë prej vitit 2000 e deri më sot mbështesni vullnetarisht Shoqatën e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë. Duket qartë që keni pasion edhe nga mënyra si flisni, si komunikoni, për fushën ku jeni eksperte. Na e shpjeguat deri tani pse është kaq e rëndësishme, kështu  që ajo cfarë unë do doja të dija, meqë jeni eksperte dhe keni eksperiencë edhe në Ballkan për situatën e ujit, ndoshta mund të na jepni një vështrim në makro si është kjo situatë në Ballkan edhe në botë.

Shqipëria nuk ndryshon shumë nga Ballkani dhe Ballkani nuk ndryshon shumë nga Shqipëria, në aspektin e të marrit për të mirëqënë që ne kemi ujëra të bollshëm. Dhe në fakt të marrit për të mirëqënë që ne kemi ujëra të bollshëm, është si të mendosh se ajo është dicka që të përket ty gjithmonë. Nuk e mendon që ajo është një pasuri, e cila ka nevojë të kurohet, të moderohet, të ruhet, të duhet edhe të perdoret me nikoqirllëk. Më kujtohet një shprehje e një inxhinieri të vjetër që thoshte “Vlera e ujit kuptohet atëherë kur të mungon uji”. Dhe ne në fakt jemi kaq fatlum sa këtë pjesën nuk e kuptojmë dot mirë. Mund të mos mungojë uji pë shkak të mungesës së burimit ujor, por mund të mungojë uji për shkak të ndotjes së burimit ujor. Kështu që ne duhet të jemi padyshim shumë kërkues ndaj kësaj pasurie kombëtare, që unë besoj se bën dhe ekonominë bazë të këtij vendi. Ky vend nuk ka më shumë ç’të shesë sesa turizmin, dhe cdo turizëm do ujë. Më thuaj sa ujë përdor të të them se çfarë turizmi përdor. Shqipëria ka burime ujore të mrekullueshme. Rrjeti hidrografik yni është gati 2 herë më shumë sesa ç’kemi neve vet kufirin administrativ si vend. Ne marrim ujëra nga vendet kufitare, ato vijnë dhe rrijnë tek ne për njëfarë kohe dhe pastaj shkarkojnë në det. Jemi shkarkuesit më të mëdhenj të ujit për frymë popullsie në të gjithë Europën. Kjo ndodh sepse ne jemi të pjerrët, duke pasur parasysh Alpet dhe zonën fushore. Shqipëria i ka të treja këto relieve, e cila të jep mundësinë që të bësh maksimumin dhe të mos ta shkarkosh këtë ujë te nëna natyrë, por ta shfrytëzosh të gjithë elementët e tjerë të cilët kanë nevojë që të shfrytëzohen. Ne kemi 478 km bregdet, ne kemi 23% të burimeve të ujërave nëntokësorë, 21% e të cilave janë të përtëritshme dhe këto janë të dedikuara për ujë të pijshëm. Kjo do të thotë se uji për pirjen nuk do të mungojë për Shqipërinë. Ajo që ne duhet të kuptojmë është që për ta pirë atë ujë ne nuk shkojmë në burim, por e marrim këtë nëpërmjet shërbimit të Ujësjellës Kanalizimeve, të cilët përmes tubacionit na ofrojnë shërbim, që kur ta hapim rubinetin ta kemi ujin shumë të mirë. Prandaj e gjithë shoqëria duhet të kujdeset që këto vepra hidroteknike të jenë të paprekshme, sepse që të marrim atë cilësi që është në burim duhet të jemi koshient për të mos i prekur dhe mos i rënduar këto sisteme. Për hir të së vërtetës, vitet e fundit mund të them se ka pasur dhe vandalizëm duke ndërhyrë në ato segmente të sistemit të furnizimit me ujë, të cilat janë me ligj të paprekshme dhe kush i prek merr gjobë apo burgim, në bazë te kodit penal. Por kjo nuk ndodh asnjëherë në Shqipëri.

Në fakt jam shumë kurioze për këtë pjesë, sepse ju po thoshit që jemi shumë të pasur në burime ujore, por jo të gjithë kanë ujë të pijshëm në rubinetet e tyre. Çfarë nuk funksionon në këtë skemë, përveç këtyre që ndërtojnë mbi këto vepra që sduhet ndërtuar? 

Me thënë të vërtetën, kujtojnë të gjithë se Shqipëria është bërë në një ditë. Meqënëse jam 5 vjet studente në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe 30 vite si profesoreshë, kujtoj në vitet e mia të rinisë, kur ne ndalonim në qytetin e Kavajës, kujtoj disa djem të vegjël që vraponin dhe të shërbenin më gotë. Pra, uji ishte në një fuçi dhe shërbehej me gotë. Flasim për një qytet që në distancë nuk është më shumë se 40 km nga Tirana. Shqipëria deri ne vitin ’92 ka qënë me 50% të sistemeve që i mbulonin me furnizimin me ujë dhe mund të them pa hezitim që vetëm 30% ka pasur sistem kanalizimesh. Ndërsa për të bërë vepra teknike të kësaj natyre, mos të harrojmë se kanë disa faza: kanë një fazë projektimi, kanë një fazë të përgatitjes së terrenit, kanë një fazë të zbatimit, kanë një fazë tjetër të provës që bëhet për to dhe pastaj të vendosen në punë. 

Çfarë është e keqja siç e shikoj unë këtë pikturë sot? Është që qeveritë kanë qenë pothuajse 4 vjeçare, ose edhe 8 vjeçare dhe ne na duhet pothuajse 8 vjet për të përgatitur dhe më pas të shohim rezultatin. Mirëpo në Shqipëri njëra qeveri nuk respekton qeverinë tjetër, gjithmonë mendohet se fillohet nga kilometri zero. Ka një rritje në fakt natyrale të shtetit dhe ato janë elementet që na kanë bërë që sot Shqipërinë ta kemi me 82% me sistem uji në rubinetat e tyre. Natyrisht me mangësira, me orare, kjo është një çështje tjetër dhe është një çështje për të cilën duhet të punojmë akoma me komunitetin, sepse ka zona ku ka ujë 24 orë por njerëzit nuk i heqin rezervuarët, sepse mendojnë se kjo punë nuk është e vlefshme dhe nuk do të ndodhë në Shqipëri. Për sa i përket sistemit të kanalizimeve, vetëm 54% e Shqipërisë sot ka sistem kanalizimesh dhe pjesa tjetër nuk ka, që do të thotë se plejada që po vjen do të jetë vetëm drejt këtyre investimeve të mëdha. Nga zero impiante të trajtimit të ujit të ndotur urban, sot kemi 13 impiante. Në kohën kur ne kemi ndërtuar në vitin 2005 për herë të parë në Shqipëri një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura, në Gjermani festohej 200 vjetori i impiantit të Berlinit. Shqipëria do të pajiset më 113 impiante trajtimi për ti shërbyer të gjithë vendit, kështu që punë ka sa të duash në këtë fushë dhe kjo fushë nuk mbaron asnjëherë, jo vetëm në investime, por edhe në atë që quhet mirëmbajtje dhe operim. Më kujtohet një mik imi inxhinier në Angli, i cili thotë “Jam marrë gjithë jetën me mbledhjen e ujit”. Është në fakt një nocion teknik, por uji nuk humbet, uji shpërdorohet, ose uji nuk paguhet. Në këtë aspekt, ne kemi shumë punë për të bërë të gjithë sëbashku derisa ta kuptojmë që ky nuk është ‘i imi’ ose ‘i joti’, ky është ‘i joni’. Edhe ky është i perspektivës, është i brezit që do të na vijë, dhe duhet që jo vetëm ta ruajmë sot, po edhe të mendojmë për brezat që do të vijnë. 

Ju ndërkohë keni patur edhe një aktivitet akademik përpos dhënies së mësimit, goxha të gjerë. Jeni bashkëautore e 33 botimeve, artikujve dhe librave. Keni bërë 31 prezantime në konferenca, simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare. Keni organizuar 13 konferenca të mëdha në lidhje me ujin në Shqipëri dhe keni marrë ndërkohë vlerësime si kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare. Krahas këtyre punoni, vullnetarizoni, si arrini t’i bëni gjithë këto gjëra? 

Im atë thoshte “Puno 10 vjet për punën dhe puna do të punojë për ty” dhe e vërteta është që unë kam një privilegj shumë të madh të jem profesoreshë, të punoj me një brez të ri, i cili të frymëzon përditë. Brezi i ri është një brez i mrekullueshëm, një brez i cili në fakt prek shumë elementë, të cilët ne nuk i kishim deri dje në dorë. Unë kujtoj kur neve vazhdonim shkollën, ne kishim dy makina llogaritësë, njëra ishte e imja dhe tjetra ishte e dikujt tjetër dhe mua mund të më binte në orën 2 të natës për ta marrë atë, sepse ne e shpërndanim tek të gjithë grupi me qëllim që të bënim detyrat e shtëpisë. Sot kur shoh këtë brez të mrekullueshëm mundet vetëm që ne të jemi të zotë të bëjmë një brumë të mirë, sepse perspektiva që këtë brez e pret, është e jashtëzakonshme. Ne do të hyjmë në familjen e madhe europiane dhe na pret një punë e jashtëzakonshme. Shqipëria ka 33 kapituj për t’ju përgjigjur integrimit në Bashkimin Europian. Integrimi nuk janë ato fjalët politike që dëgjojmë shpesh, por është një punë kolosale që duhet ta bëjmë nga më i madhi tek më i vogli. Unë shfrytëzoj këtë platformë që ju keni për të bërë thirrje kapitullin 27. Ky kapitull është ai ku unë e shoh veten time, është një kapitull që flet për ndryshimet klimatike dhe mjedisin dhe ai ka 10 fusha. Një ndër fushat është fusha e ujërave dhe vetëm kapitulli 27, ka 73 direktiva. Një ndër direktivat do të kërkojë 60% të investimit, sikur të 73 direktivat të zbatoheshin në një kohë, dhe kjo është direktiva e impianteve të ujërave të ndotur urban, gjë të cilët akoma dhe  vendet anëtare nuk e kanë plotesuar. Kështu që ne duhet patjetër të kthejmë kokën, të përdorim sa më shumë median që të bëhen promotorë se si ne të shtyhemi drejt integrimit të Bashkimit Europian. Integrimi nuk është një fjalë goje, negociatat janë jashtëzakonisht të vështira, për të përgatitur negociatat duhet të jemi negociatorë të fortë. Gjë që nuk fitohet vetëm nëpërmjet fjalëve apo show-t, por fitohet vetëm nëpërmjet punës. Kështu që unë besoj se ne kemi punë boll për të bërë, kemi një brez të mrekullueshëm, që ka absolutisht të gjithë arsenalin e mundshëm në mënyrë që këtë proces ta shkurtojë në kohë dhe ta sjellë të gatshëm për këtë vend, i cili e meriton, sepse ka vërtet mrekullira për të dhënë dhe për të ndarë me të gjitha vendet anëtare të BE. 

Ju njohëm nga ana akademike, ana profesionale, pasioni juaj për fushën tuaj dhe mbi të gjitha më bëhet qejfi që ju kemi sot jo vetëm si eksperte por jeni një promovuese shumë e mirë e fushës. Cfarë ndodh në kohën tuaj të lirë, cilat janë pasionet tuaja përtej punës suaj të përditëshme?

Unë kam një privilegj të madh që çdo ditë kam ose një e-mail, ose një mesazh, ose një kërkesë nga një prej ish-studentëve ose nga dikush që punon këtu apo jashtë vendit për dicka, e cila më ngacmon për të parë një gjë të re, me qëllim që ti ndihmoj ata në rast se duhet ti ndihmoj, ose për të këmbyer mes tyre kur ata të japin në forcë dhe energji shumë të madhe dhe ti gjen goxha fuqi. Nga ana tjetër, t’ju them një sekret të vogël, kam studiuar për 8 vjet violinë. Në shkollën e muzikës në ato vite ishte shumë e vështirë të regjistroheshe dhe më kujtohet mamaja ime që shkon në lagje dhe thotë dua të regjistroj vajzën në shkollën e muzikës. Ato i thonë që është e pamundur dhe ajo i përgjigjet ‘Po sikur kjo të bëhet talent?’. Në ato kohë të agjitacionit dhe propagandës, ishte e pamundur që unë të vazhdoja. Megjithatë u regjistrova në shkollën e muzikës dhe kam studiuar për 8 vitë violinë, piano dhe teori muzike. Kjo nuk ndodhi dhe fare rastësisht, sepse halla ishte mësuese pianoje, një nga vajza e hallës ka qënë studente violine dhe vajza tjetër e hallës mësuese në teorinë e muzikës. Kështu që dashur pa dashur muzika ishte një komponent i tillë. Gjyshja ime e cila ishte stambolleshë, kur u martua me gjyshin la Stambollin, por la dhe mandolinën. Një kombinim i muzikës me profesionin është një kombinim i shkëlqyer, sepse të bën të mendosh që ato gjëra që i ke të vështira në fakt në violinë ti do ta përsërisje nga 10 herë. Një pasazh do ta bëje 1 orë, derisa ta bëje mirë. Kjo të kalit vullnetin dhe kjo ndoshta është edhe baza me të cilën unë pata mundësinë që të dilja me rezultate shumë të mira si në gjimnaz, ashtu edhe në universitet. Në fakt më ka kalitur dhe një shpirt artisti, që dashje padashje ta bën vetëm vegla muzikore. Njëkohësisht, me modesti mund të them që unë ushtrohem 1 orë cdo ditë në palestër. Këtë nuk e toleroj asnjëherë që mos ta bëj. Bëj të gjitha përpjekjet e mia që axhenda ime të jetë e tillë që ora 18.30-19.30 të më gjejë në palestër. 

Mendoj se është një kombinim shumë i mirë. Jemi në fund të bisedës sonë dhe duke iu kthyer asaj që kemi biseduar më sipër, impiantet që priten të ndërtohen në Shqipëri, hapja e negociatave dhe gjithë puna përgatitore për negociatat. Të gjitha këto janë mundësi për të rinjtë, për gjithë njerzit e fushës dhe janë gjithashtu një mundësi shumë e mirë për inxhinieret shqiptare. Pse duhet të zgjedhin vajzat shqiptare Inxhinierinë Hidroteknike ose Inxhinierinë e Mjedisit, me profil ujin dhe energjinë? 

Ne kemi një vend më shumë ujëra, ne kemi një vend më shumë ndërtime, kështu që Hidroteknika është një disiplinë që nxjerr padyshim inxhinierë të cilët i duhen vendit dhe hyjnë tek lista e prioriteteve që ky vend ka. Shqipëria ka 450 hidrocentrale, të cilat sot janë në punë, përvec atyre hidrocentraleve lapidar mund ti quajmë, që ne sot furnizohemi me energji elektrike dhe na mbajnë deri në atë kuotën që pastaj na duhet të blejmë jashtë shtetit, ne kemi dhe 250 hidrocentrale të tjerë, të cilët do të ndërtohen. Unë ju thashë pak më përpara që 54% e Shqipërisë është e mbuluar me sistem kanalizimesh dhe ne na pret gjysma tjetër e Shqipërisë për ta mbuluar e për të shkuar në çdo cep me sistem kanalizimesh. Është një plan shumë i bukur deri në vitin 2050 se cilat do të jenë ndërtimet, cilat do të jenë zonat drejt të cilave do të shkojnë këto investime. Ne kemi privilegjin të ndërtojmë dhe 113 impiante të trajtimit të ujit të ndotur urban. Ne duhet të bëjmë një bujqësi shumë më moderne nga cfarë është bërë në atë kohë. Në ato vite ka qënë një bujqësi e mrekullueshme, por sot bujqësia duhet të përshtatet me mënyrat e reja sesi bujqit dhe agronomët po punojnë në fakt me metodat e tyre. Nga pikëpamja e fushës së ujit të qarkullimit duhet të vijmë me metoda të reja. Dhe në fakt ka disa studentë që kanë studiuar në disa degë, të cilat janë krejt të reja për Shqipërinë, dhe duhet që patjetër ne të modernizohemi, sepse të paktën 50% e shqiptarëve janë bujq. Ne e kemi tregun kaq të hapur, kaq të uritur, për gjithë këta studentë, të cilët e kanë të garantuar punën e tyre. Nuk do harroj të them në fund fare që kemi një iniciativë të BE-së, është iniciativa më skajore që unë kam dëgjuar dhe lexuar deri më tani, që thotë “Ndotje zero ujë, tokë, ajër deri në vitin 2050”. Më shumë sesa kaq për një të ri/re nuk do të kishte përshkrim. 

Podcastin e plotë me Enkelejda Gjinalin e gjeni këtu.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x