Kur Bela i tregoi familjes për degën që kish zgjedhur për Universitet, iu desh t’ia shpjegonte dy herë. Vajza që mendon se makinat janë shpikja më gjeniale e njerëzimit, por që parapëlqen biçikletën për hir të mjedisit, ka një pasion të madh për kulturën e kodburimit të hapur. Në këtë intervistë ajo ndan me ne rrugëtimin e saj dhe eksperiencën e të qenit pjesë e Hackerspace-it të parë në Shqipëri – Openlabs.
Bela ka mbaruar studimet në Inxhinieri Mekatronike në vitin 2018 dhe e përkufizon veten një entuziaste të teknologjive me kodburim të hapur. Aktualisht Bela punon për Coko Foundation, që është një kompani që në bazën e saj ka punën dhe promovimin e teknologjive me kodburim të hapur. Çfarë do të thotë të jesh një entuziaste e open source ose teknologjive me kodburim të hapur? Ju jeni anëtare e Open Lab Albania prej dy vitesh, mund të na tregoni shkurtimisht dhe për këtë iniciativë, çfarë është?
Të jesh entuziast i open source do të thotë të jesh i interesuar në teknologjinë me kodburim të hapur. Këto programe janë sic thotë dhe emri, me kodburim të hapur, kodi është i lirë dhe mund të aksesohet nga cdokush, qoftë për ta përmirësuar, qoftë edhe vetëm për ta parë, për ta ndarë me të tjerët. Open Lab’s Albania është një organizatë jo-fitimrurëse në Shqipëri që promovon pikërisht programet me open source, përvec të tjerave. Gjithashtu Open Lab’s promovon dhe Open Data, Online Privacy e të tjera të tilla.
A do të thotë që të jesh pjesë e Open Lab duhet patjetër të kesh studiuar një nga shkencat e informatikës ose inxhinieritë e ndryshme, apo cdokush mund të jetë anëtar?
Në Open Lab dhe në projektet Open-source ka shumë mënyra se si një njeri jo programues mund të kontribuojë. Për shembull, kemi shpesh evente për lokalizimin e një projekti, e quajmë lokalizim, por është thjesht përkthimi i një projekti në gjuhën shqipe në rastin tonë. Mund të kontribuosh edhe thjesht duke e përdorur një program open source dhe kështu ti gjen gjëra që nuk shkojnë, bugs që ti i raporton dhe janë shumë të rëndësishme që më vonë njerëzit të mund ti përmirësojnë. Gjithashtu mjafton edhe thjesht tu flasësh njerzve, të bësh tutoriale ose thjesht tu mësosh të tjerëve atë që di për një program open source. Anëtarësia në OpenLab është një proces pak më administrativ, çdokush mund të aplikojë të jetë pjesë si anëtar i OpenLab, mjafton që të ketë kontribuar në 3 muajt e fundit në një nga projektet ose të jetë aktiv, por çdokush është i mirëpritur qoftë edhe për një kafe për të bashkëbiseduar apo të pyesi se si mund të kontribuojë dhe ne do ti ofrojmë të gjitha ato që dijmë.
Mund të na tregosh një projekt në OpenLab pjesë e të cilit ti ke qënë dhe mënyrën se si ai i ka shërbyer komunitetit të përdoruesve në Shqipëri?
Mendoj që projektet që janë shumë specifike, domethënë që përdoruesit marrin menjëherë janë online privacy, edhe unë duke shkuar në OpenLab zbulova për passëord managers. Në fillim unë nuk kam qënë anëtare, por kam kontribuar në përkthimin e NextCloud, kemi pasur shumë projekte per LibraOffice dhe NextCloud dhe tani kemi arritur që Bashkia e Tiranës të përdori LibraOffice dhe NextCloud.
Cfarë është LibreOffice dhe NextCloud?
LibreOffice është alternativa e Microsoft Office por me kodburim të hapur, ndërsa NextCloud është alternativa me burim të hapur i Google Drive, domethënë është një Cloud online, por me kodin e tillë që çdokush mund ta përmirësojë.
Domethënë është një hapësirë online ku ruhen informacione, dokumente.
Është një cloud që mund edhe ta instalosh në kompjuterin tënd edhe të ruash.
Ne flasim për open source apo për teknologjinë me kodburim të hapur, por zakonisht mes komuniteteve jo të ekspertëve, ekziston një lloj perceptimi dhe një lloj shqetësimi që teknologjitë open source apo zgjidhjet mund të keqpërdoren nga njerëz. Për shembull mund të krijojnë imazhe false, video apo foto.Përdorimi i deepfake-ve psh nëpërmjet teknologjisë GAN, ka edhe një lloj keqpërdorimi të mjeteve online edhe ndaj vajzave të reja apo grave, mund të jenë shqetësuese pikërisht për vajzat edhe për gratë. Çfarë mund të bëjnë ato për tu mbrojtur nga këto lloj teknologjish?
Po, është e vërtet që ekziston një ‘mit’ që teknologjitë open source nuk janë të sigurta, por në fakt mund të themi që është një komunitet i tërë që mund të shikojë një kod edhe dëshiron ta përmirësojë. Dhe sigurisht këta njërëz duan të shfaqin pjesën më të mirë të punës së tyre. Pastaj çdo program, qoftë open source apo jo, mund të keqpërdoret nga njerëz që nuk kanë qëllime të mira. E vetmja gjë që duhet te dimë, është që çdo foto që ne publikojmë, çdo video, çdo mesazh, nëqoftëse është në internet, edhe sikur ta fshijmë, nuk fshihet asnjëherë, ai është diku në një server dhe thjesht duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm për atë që publikojmë.
Domethënë edhe upload-i apo ngarkimi online por edhe dërgimi tek njeri tjetri?
Po, do të thotë që ai është në internet dhe duhet të jesh i kujdesshëm.
Pavarësisht besimit që mund të kemi te njerëzit që ja dërgojmë, ata njerëz mund të hackohen përshembull smartphone, telefonate apo e-mailet e tyre,kështu që gjithmonë duhet ta konsiderojmë mirë.
Po, ose edhe thjesht serverat mund të hackohen, mund të mos ketë lidhje me personin.
Ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se të OpenLab bëhet një punë shumë e mirë për të ndërgjegjësuar për këto gjëra dhe për privatësinë. Unë të paktën kam mësuar të jem më e kujdesshme për sa i përket prezencave online. Nëqoftëse kthehemi te profili yt i studimeve, ju keni studiuar Inxhinieri Mekatronike që do të na e shpjegoni pak më vonë se cfarë do të thotë si fushë studimi. Ju keni punuar në Institutin Shqiptar të Transporteve, që do të thotë që keni një lidhje me transportin apo me makinat. Çfarë keni bërë praktikisht në këtë vend pune dhe disa fjalë për fushën tuaj të studimit që të jemi më të qartë?
Po, Mekatronika ishte një fjalë shumë e vështirë kur mu desh t’ja shpjegoja familjes, sepse nuk e kuptonin nëqoftëse është mekanikë apo elektronikë, në fakt është bashkim i këtyre dy fjalëve. Çdo gjë që dikur ishte vetëm mekanike, tani ka një sistem elektronik të vendosur në të, dhe kështu Inxhinieria Mekatronike përfshin shumë degë të inxhinierive. Është një kombinim i mekanikës, elektronikës, informatikës edhe gjen një përdorim shumë të madh në fushën e transportit, por jo vetëm. Kryesisht një nga gjërat me të cilën më pëlqen më shumë të shpjegoj mekatronikën është që një nëndegë e Mekatronikës është Robotika, sepse aty i ke të ndërlidhura të gjitha, mekanikën mund ta shohësh, edhe pjesën eletronike të qarqeve. Pastaj lidhja me makinat, unë i konsideroj mjetet e transportit si gjenialiteti më i madh i mendjes njerëzore. Me duket shumë e paparë sesi njerëzit krijuan makinën, anijen, aeroplanin. Është një shprehje që më pëlqen shumë, e personit që ka krijuar kompaninë Ford, që thotë “Nëse unë do t’i pyesja njerëzit çfarë donin, ata do më thonin kuaj më të shpejtë”, nuk do të kishin thënë makina, sepse thjesht nuk mund ta konceptonin. Megjithatë mjeti im i preferuar i transportit është biçikleta. Për mjedisin, zgjedh biçikletën para makinave.
Po në Institut cfarë bëhet praktikisht?
Në Institut kam qënë përgjegjëse për update-imin e planit të transportit. Është një punë jo shumë inxhinierike, ndoshta nuk mund ta shohësh, megjithëse ne përdorim një aplikacion të quajtur TransCAD, por ka të bëjë me grumbullimin e të dhënave, analizimin e të dhënave etj.
Ndërkohë përmendët Ford-in dhe vet keni bërë stazhin pranë Ford si inxhiniere jeni marr ndër të tjera, me diagnostikimin e plotë të makinave duke përdorur Ford VCM 2. Do të na e shpjegoni si funksionin kjo gjë dhe si jeni ndjerë në kërë rol? Ne kur flasim për makina gjithmonë asociohen me meshkujt, asnjëherë më vajzat. Edhe tek zgjedhja e llojit të makinës, thonë që makinat automatike janë për femrat që është shumë e gabuar si qasje. Si jeni ndjerë në këtë vend dhe si ishin kolegët aty?
Eksperienca e praktikës ishte e shkurtër, vetëm një muaj, por ishte shumë e bukur, shumë interesante. Për mua më zbuloi një botë krejt tjetër. Kolegët ishin të gjithë meshkuj dhe djali që na mësonte ishte shumë i sjellshëm dhe ishtë përgjegjës për diagnositifikim e makinës. Aparati Ford VCM 2 ishte një aparat, të cilin e lidh me kompjuterin edhe ai të tregon çdo gjë që nuk shkon te makina. Pastaj është puna e inxhinierit apo mekanikut për të kuptuar se përse ky indikator nuk tregon atë që duhet të tregojë.
Ke pasur mundësinë që të merresh me trajtimin e këtyre diagonstikave që bënte aparati?
Jo, gjatë praktikës thjesht u morëm me pjesën e programit. Le të themi që kisha pak frikë në fakt, duke qënë se nuk e përdorja makinën dhe ishte shumë vite më parë, por ishte eksperiencë shumë e bukur.
Ndërkohë ti je një vajzë e re, ke shumë vite që punon dh ke një eksperiencë shumë të pasur. Të rinjve kemi qejf që tu bëjmë pyetje në lidhje me atë që bën në kohën e lirë, cilat janë pasionet tua, cfarë lloj muzike dëgjon, a e ndjek jetën kulturore të Tiranës? Duke u lidhur edhe me pjesën e pasionit tënd për open source dhe për privatësinë, cfarë lloj rrjetesh sociale përdor dhe cfarë lloj apps për komunikim përdor?
Koha ime e lirë është thjesht miqtë e mi dhe njerzit që dua. Nëse iki në kinema apo bëj diçka, është sepse jam me njerzit që dua. Për sa i përket aplikacioneve që përdor është Telegram dhe Signal. Telegram është një aplikacion që e përdorim edhe në OpenLab, ndërsa Signal është i njohur kryesisht për sigurinë. Nuk jam në rrjetet sociale. Po përpiqem shumë të bëj një detox nga jeta online, por prapë është shumë e vështirë, sepse do përdorësh browser, do kërkosh në internet.
Po muzika, jeta kulturore? Çfarë bëjnë inxhinierat 26 vjeçarë në Tiranë sot?
Përvec një pjese shumë të madhe të kohës së lirë që unë e kaloj në OpenLabs ose çfarë mund të bëj në OpenLabs, ndonjë projekt që mund të sjell. Mendoj se nuk jam shumë e lidhur pas muzikës, por i dëgjoj të gjitha nuk e kam problem.
Po projekti i fundit që keni bërë me OpenLabs, nëse nuk gabohem, keni qënë në Kosovë?
Po, projekti i fundit që kishim bashkë me Space Intex ishim në Kosovë dhe Laboratorium në Bosnjë Hercegovinë, ishte që ti mësonim disa vajzave që vinin nga fusha e arkitekturës, gjeografisë, gjeologjisë, gjeoinformatikës, si të krijonin hartat e tyre. Ishte një projekt shumë i bukur, vajzat u ndanë në grupe dhe krijuan harta për pikat kulturore në Prizren. Ne bëmë edhe një tour në Prizren ku vajzat mund ti shikonin, mund të shtonin informacione. Diversiteti i hartave ishte shumë i bukur, të shikoje se sa të personalizuara ishin dhe se si vajzat kishin shpalosur dhe pjesë nga personaliteti i tyre. Mendoj që ishte një projekt shumë i bukur dhe do kisha dëshirë ta aplikonim në Shqipëri dhe të krijonim një hartë për dicka që akoma nuk është. OpenLabs në fakt ka pasur një projekt me RYCO-n, të quajtur “Preserving Balkans”, ku ndërtesa të vjetra u dokumentuan në harta dhe ky ishte një informacion që nuk ishte më parë dhe është shumë mirë që tani e kemi të dokumentuar. Duke parë mbi të gjitha shpejtësinë dhe shpeshtësinë e shfarosjes e kujtesës arkitektonike të Tiranës, ato vilat e vjetra, të cilat nuk janë më shumica e tyre. Preserving Tirana dhe Preserving Balkans të jep mundësinë që të shohësh. Është një shprehje që thotë “Nuk mund të shkosh në të ardhmen pa njohur të shkuarën” dhe ne kemi një trashëgimi shumë të bukur për sa i përket këtyre ndërtesave.
Bela, ti ke qënë studente ekselente, dhe i je bashkuar Institutit të Transportit për faktin se ke qënë studente ekselente. Tashmë punon për Coko që është një kompani ndërkombëtare, private. Rrugëtimi në këto kohë që ke mbaruar shkollën, një pjesë shumë të madhe e zë OpenLabsd dhe iniciativat për të edukuar dhe për të kulturuar njerit e çfarëdolloj moshe, për të mësuar rreth teknologjisë me kodburim të hapur apo privatësisë online dhe mbrojtjes në fund të fundit të vetes sonë, sepse duke u mbrojtur online arrijmë të mbrohemi dhe fizikisht pastaj. Ke ndonjë plan se çfarë do të bësh në 10 vitet e ardhshme dhe cilat janë objektivat e tua profesionale dhe personale?
Ok, vetëm një korrigjim, Coko Foundation është një organizatë jo fitimprurëse. Mendoj që më kanë pëlqyer gjithmonë organizata jo fitimprurëse, dhe tani ndihem shumë mirë që jam te Coko. Për momentin nuk mendoj dhe nuk do doja të ndryshoja punë, punoj me një ekip shumë të paparë, ndihem shumë mirë, mësoj çdo ditë gjëra të reja. Në 10 vitet e ardhshme, nuk e di. Mendoj se teknologjia, shkenca, gjëra që më interesojnë, kanë kaq shumë mundësi që edhe unë akoma nuk i di edhe thjesht do doja ta eksploroja si të vijnë gjërat. Mendoj se edhe më tremb pak të mendoj pas 10 vitesh, thjesht do doja të vazhdoja me punën që po bëj e të përkushtohesha më shumë të OpenLabs, në punën në Coko dhe mendoj se do isha shumë e përmbushur.
Ndonjë projekt që keni në mendje për të bërë me komunitetin e OpenLabs së afërmi?
Në OpenLabs, konferenca më e madhe quhet OSCAL. Kjo zhvillohet çdo vit dhe mbledhim njerëz nga fusha nga më të ndryshmet, por që besojnë se kodi duhet të jetë i hapur dhe publik për këdo që dëshiron ta përdori. Kështu që OSCAL me siguri do ta organizojmë dhe do mbetemi në kontakt për çdo gjë.
Podcastin e plotë me Bela Toçi e gjeni duke klikuar këtu.
- Erion Braçe kap mat qytetarin me parkim pa leje në Tiranë: Pse ju merr lekët banorëve? (DEBATI ME VIDEO) - 12/08/2025
- Izraeli vret gazetarin e shquar të Al Jazeera-s dhe katër kolegë të tij në Gaza - 11/08/2025
- LOGU I BJESHKEVE/ Malësorja Aurora Lumaj nga Vukli i Kelmendit shpallet “Miss Bjeshka 2025”, kurorëzohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj - 11/08/2025