10.5 C
Tirana
14 / 10 / 2025

Gara për kreun e ri të SPAK, Ambasada e SHBA: Integriteti i procesit i rëndësishëm për vijimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit 

Nga 18 dhjetori, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), do të drejtohet nga një tjetër prokuror pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit. Në garë janë Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi. 

Zgjedhja e kryeprokurorit të SPAK është dhe në vëmendjen e ndërkombëtarëve lidhur me bashkëpunimet e ngushta mbi operacionet për goditjen e një sërë grupesh kriminale me aktivitet të shtrirë janë kontinentit të Europës. 

Ekskluzivisht për ‘Studio Live’ me Ermal Qorin në Report TV, ka reaguar Ambasada Amerikane në Tiranë duke vendosur rëndësinë në integritetin e përzgjedhjes së drejtuesit të ri me qëllim vijimin e bashkëpunimit të ngushtë mes palëve. Në përfundim të reagimit, Ambasada Amerikane thekson se procesi i përzgjedhjes po monitorohet nga afër. 

“Partneriteti ynë me SPAK ndihmon Shqipërinë të dobësojë operacionet e organizatave kriminale ndërkombëtare, aktivitetet e të cilave dëmtojnë qytetarët amerikanë. Integriteti i procesit të përzgjedhjes për Kryeprokurorin e ri të Posaçëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Ne po ndjekim nga afër procesin e përzgjedhjes.” 

Altin Dumani është zgjedhur në krye të SPAK më 18 dhjetor 2022 dhe është prokurori i dytë që ka drejtuar SPAK që nga themelimi i Strukturës së Posaçme, pas Arben Krajës. Mandati i kryeprokurorit është 3-vjeçar dhe pa të drejtë rikandidimi. 

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x