Ju ftojmë në Festivalin Letrar Ndërkombëtar të të Rinjve “Tirana Gate 2022”, i cili këtë vit do të zhurmojë nga Fqinjët, të afërt e të largët.
Në datat 5-7 tetor 2022, Tirana do të kthehet në një vendngjarje të rëndësishme për librin europian, në një qytet magjik – me vende, zakone, tradita, besime fetare, të vërteta personale, por gjithashtu me larminë e brezave të ndryshëm që bashkëjetojnë në një Atdhe letrar.
Ky Festival është një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Mirëpresim sivjet autorë të mirënjohur të Ballkanit si, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria dhe autorë nga Turqia, që në labirinthin e një paraleleje mes historisë personale dhe asaj kombëtare do të na rrëfejnë histori shtetesh dhe qytetesh, histori qytetërimesh dhe jetësh individuale. Gjithashtu pjesë e Festivalit do të jenë autorë europianë si nga Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Rumania, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar Çmimi Europian i Letërsisë (EUPL), ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj.
Do të udhëtojmë edhe sivjet në një hapësirë letrare ku kryefjalë do të jetë Zëri, nga Unë te Tjetri.
Nëpërmjet së kaluarës flasim për të sotmen dhe për të nesërmen. Vetëm atëherë letërsia ka vlerë. Madje, edhe kur zbulojmë si ka ndikuar te ne ndryshimi duke na bërë këta që jemi sot, ku për fat, pak gjëra që kanë lidhje me shpirtëroren kanë ndryshuar gjatë rrjedhës së shekujve. Festivali e kthen Tiranën në një portë të hapur mikpritëse bujtëse idesh, vizioni dhe emocioni, jo vetëm për autorët, por edhe për të gjithë pasionantët e rinj që bëhen pjesë e këtij aktiviteti ndërkombëtar, që ka meritën, jo thjesht të një festivali, por të një atmosfere artistike me të gjitha moshat.
Të gjithë me një mision për të transportuar kultura, histori, qytetërime, marrëdhënie njerëzore.
Tirana e meriton Festivalin për të provuar se Shqipëria përmes letërsisë e ka tashmë zërin e vet europian.
Ky festival ka si temë kryesore “Fqinjët”, ata afër dhe ata larg, me panelet e diskutimit mes shkrimtarëve europianë dhe Ballkanit Perëndimor. Në tridhjetë vite ky rajon po përballet me histori të ngjashme, shkëputjen nga regjimet totalitare dhe histori arratie e dëbimi.
Milena Selimi, drejtore artistike e festivalit: “Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij ku mund të lëvizim pa lejekalimi, ku në vend që të kundërshtojmë mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakord. Prej këtu lind nevoja që të flasësh me Tjetrin. Të njohësh Tjetrin, do të thotë të fillosh t’a respektosh. Të respektosh do të thotë të tolerosh. Të tolerosh do të thotë të bashkëjetosh. Bashkëjetesa është një element kulture. Kapërcimi i kufijve gjeografikë, midis disiplinave dhe diskutimeve, bëhet i mundur vetëm nëse ai apo ajo që udhëton ia del të zhvendosë kufijtë e brendshëm. “Po udhëtoj brenda vetes” thotë Julia Kristeva, filozofja e shquar bullgare. Vetëm në këto kushte idetë ngrihen mbi dëshpërimin dhe ta kuptosh këtë nuk është e pamundur. Do të flasim për Ballkanin Perëndimor duke diskutuar: A e përcakton e kaluara të ardhmen? Njëherësh në panele të ndryshme autorët pjesëmarrës do të përballin krijimtaritë për tema të tjera të rëndësishme si Vendlindja vs refuzimi kulturor, apo Meta(for)a në kohën e “qenve” Mes “Dëshiroj” dhe “Duhet”, një hapësirë për paraqitjen e mendimeve të papërpunuara, për shkrimet e pakapshme, të papajtueshme me askënd dhe asgjë, për rrëfimin e zhveshur nga “Dëshiroj” dhe ‘Duhet”, ku shfaqen veç mendimet dhe ndjenjat. Për letërsinë që trondit e revolton ‘turmën’. Tema të tjera do të jenë: Gjuha- Atdhe brenda Atdheut, në një diskutim sesi gjuha mund të vendosë kufij të caktuar, që mbeten më shumë imagjinarë, pasi autorët sot largohen nga vendi i gjuhës së fëmijërisë së tyre. Madzirov, “Gur i zhvendosur”, rikthim i fuqisë, hapësirës dhe paqes. Selmani, poeti në kërkim të gjysmës së humbur, Babait dhe poetja Halili, që ‘procesin e reflektimit e të shkrimit e sheh si zbulesë të po asaj kujtese që veçse është brenda nesh por e kemi harruar”, do të flasim edhe për tema si “Harresa si proces i ripërtëritjes / Kujtesa si pasqyrë e ndërgjegjes”, etj.

Festivali i sivjetëm do të solidarizohet me Ukrainën, në një seksion të dedikuar Ukrainë – Stop War, duke sjellë disa autorë përmes krijimtarisë së tyre. Poema dhe ditaret e luftës për Ukrainën do të komunikojnë me publikun. Letërsia si akt rezistence – Letërsia si shpëtim nga lufta. Mirëpresim autorët nga Ukraina, Halyna Kruk dhe Oleksandr Mykhed që do të përshëndesin nga Ukraina me video mesazhe, ndërsa poeti, përkthyesi dhe eksperti i Ballkanit, Andriy Lyubka, pas një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë, (shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë) do të jetë pjesëmarrës në festival. Së bashku me kolëgët Lako, Madzirov, Çoku dhe Dushi do të lexojnë në hapësirën e leximit Ukraine- STOP WAR.
Festivali ka një program të ngjeshur, që jep mundësinë e ndjekjes së autorit të dashur, shqiptar, apo fqinj. Kemi një përparësi, pasi disa nga autorët pjesëmarrës janë të përkthyer në shqip dhe lexuesi, nëse nuk i ka njohur, do të ketë një arsye më shumë për ti njohur dhe zbuluar përmes festivalit. Kemi në shqip Madzirov, Velikic, Bajac, Kalpuzos, Reka Man-Varhegy, Jančar, Terziyski, Ayfun Tunc, etj, përkthyer mjeshtërisht nga punëtorët e palodhur të hapësirës ballkanike, Ben Andoni, Nikollë Berisha, Kristo Pulla, Maniela Sota, Milena Selimi, që bëjnë të mundur atë Trans (Port) , apo rruga e mundimshme drejt Tjetrit. Nga një gjuhë në tjetrën. Nga një kulturë në tjetrën.
Festivali do të mbahet në sallën UNESCO- Muzeu Historik Kombëtar në datat 5,6,7 tetor 2022, në oraret 10:00-14:00 dhe 16;30-17:30. E veçantë do të jetë gjuha e festivalit, ku secili autor do të flasë, diskutojë dhe lexojë në gjuhën e tij, pra do të dëgjojmë shqip, turqisht, greqisht, bullgarisht, maqedonisht, serbisht, sllovenisht, ukrainisht, rumanisht, anglisht.
Autori më i ri i festivalit është 26-vjeçari Azem Deliu dhe autori më në moshë : Drago Jančar, 73 vjeçar. Më pëlqen që grupmosha të ndryshme do të arrijnë të diskutojnë, debatojnë, dakordësojnë, ose tejkalojnë kufijtë në një tokë të bukur siç premton Letërsia.
Autorët pjesëmarrës, fitues të EUPL: Drago Jančar , Tom Kuka, Kalin Terziyski, Reka Man-Varhegy si dhe autorët e përvojës dhe çmimeve ndërkombëtare : Dragan Velikićaj (Serbi), Vladislav Bajac (Serbi), Nikola Madzirov (Maqedonia e Veriut), Gjoko Zdraveski (Maqedonia e Veriut), Sebnem Isiguzel (Turqi) , Ervina Halili (Kosovë), Janis Kalpuzos (Greqi), Azem Deliu (Kosovë), Mimoza Hysa, Besnik Mustafaj, Rita Petro, Ylljet Aliçka, Ayfer Tunc (Turqi), Arbër Selmani (Kosovë), Ag Apolloni (Kosovë), Andreas Dushi, Alban Tufa, Brajan Sukaj, Erina Çoku, Diana Çuli, Stefan Çapaliku, Ivana
Trajanovska (Maqedonia e Veriut), Anna Kove, Telemak Koça (diaspora Greqi), Eris Rusi, Vera Bekteshi, Natasha Lako, Lulzim Haziri (Maqedonia e Veriut), Namik Dokle, Odise Kote.
Përkthyesit pjesëmarrës: Ben Andoni, Kristo Pulla, Nikollë Berisha, Milena Selimi, Maniela Sota, Blerta Hysa, Erin Gjatolli, Senem Cehver (turqi).


- “Nga Londra në Hagë: Një Shekull Gjyqesh mbi të Drejtën e Shqiptarëve për Liri” - 10/02/2026
- Salianji nuk i ‘bindet’ sërish Doktorit, merr pjesë në protestën e PD-së (VIDEO) - 10/02/2026
- Antikorrupsioni i një opozite me Berishën në krye, Ahmetajn aleat dhe deputetë të flakurit nga drejtësia - 10/02/2026