19.5 C
Tirana
08 / 08 / 2025

Flota Luftarake Detare 1945-15 gusht-1992/ 80 vjetori i ditës simbolike të FLD (Pjesa e parë)

Nga Zamir Mati

15 gusht 1945, Durrës

Një ditë e veçantë në historinë shekullore të detarisë është edhe 15 gushti 1945. Kjo ditë e shënuar sivjet është 80 vjetori i krijimit të Flotës Luftarake Detare 1945-15 gusht-1992. Kështu quhet një nga flotat më të arrira në historinë e detarisë e cila i trashëgoi anije, katra silurues, nëndetëse detare, katër flotilje, uzinë e kantjer, shkolla detarie, detarë dhe oficerë detar Forcave Detare e cila ka ngritur flamurin e saj në vitin 1992 dhe është anëtare forcave të NATOs në shërbim të Atdheut e demokracisë.

Historia e detarisë iliro – shqiptare në shekuj është e mbushur me ngjarje e fakte historike… Këto fakte e ngjarje dëshmohen qysh nga lashtësia prej shkrimtarëve të lashtë ku hapsira detare e deteve Adriatik e Jon është një hapsirë detare e mbushur me ngjarje e beteja.

Është e mbushur me të dhëna historike ku vlerësohet tradita detare luftarake dhe mjeshtëria e detarisë si nga më të zhvilluara në pellgun e mesdheut.

Është lufta e Trojës ku morrën pjesë me anijet e tyre luftëtarë detarë nga fiset “barbare” dhe të Dodonës dimërkeqe që pak më vonë ne i njohim si trevat e fiseve ilire të prirur nga udhëheqës të shquar si Guneu dhe Kufi, të cilët morrën pjesë me nga njëzet e dy anije ashtu si përmenden prinjësit në poemën e Homerit për mikëpritjen dhe furnizimin e përcjelljen nga perebejtë, këtij populli me tradita detare ose thesprotëve të udhëhequr nga Fedoni kësaj popullsie epirote-çame të cilët përcollën Odisesë për në itakë në Atdheun e tij.

«Lufta e Trojës», vizatim, Zamir MATI

punim për projektin Albtroy të studiuesit Georges LEKA

«Odisea». vizatim Zamir MATI

punim për projektin Albtroy të studiuesit Georges LEKA

– Luftëtarët që morën pjesë në luftën e Trojës mbërritën atje me anijet e tyre, e midis asaj flote lufte të paparë deri at’herë, morën pjesë edhe prinjësit e fiseve nga trevat “barbare” dhe të Dodonës dimërkeqe të cilat ne e njohim pak me vonë si Iliria.

Janë të njohura anijet liburne të cilat ishin të manovrushme, të holla dhe që lundronin njësoj nga bashi dhe kiçi derisa mjeshtrat e fisit ilir të dorësve filluan të vendosnin timonin e të manovronin lehtas. Liburnët me anijet e tyre transportuan në anën tjetër të Ngushticës së Otrantos fiset ilire të mesapëve, japigëve, daunëve e peuketëve. Kështu tregon në formë legjende Plini në “Histori të natyrës”, “…ku nëntë të rinj dhe po aq virgjëresha të ardhura nga iliria, lindën 12 popuj…”

-Odisea tek mbreti i thesprotëve Fedoni, vizatim Zamir MATI

Ka një mori dëshmish arkeologjike mbi zhvillimin e detarisë në hapsirën detare të Adriatikut dhe Jonit ose të deteve verilindor të Mesdheut në shekuj duke filluar nga lashtësia.

Kjo hapsirë është e veçantë sepse këtu më shumë se në hapsira të tjera detare është zhvilluar detaria ose mjetet dhe mënyrat e lundrimit në dete e ndryshme nga ajo e zhvilluar prej mijra vjeçarëve në lumejt Nil, Tigër e Eufrat… duhet dalluar shkencërisht dhe historikisht me dëshmi arkeologjike të shumta ndryshimi i këtyre karaktereve të mjeteve lundrimore dhe teknologjike.

Mjetet lundruese në këta lumej në mijra vjet janë ndërtuar e konstruktuar nga kallamat, dhe tufat e bimëve të orizoreve dhe palmave. Po të shohim me kujdes siluetat e këtyre mjeteve lundruese lumore janë të përshtatura vetëm për lundrim lumor dhe jo për lundrim në dete. Ato kishin fuqi mbajtëse por jo peshkim për të përballuar valët dhe të jenë të ekuilibruar në hapsirën detare. Ky është një ndryshim i jashtëzakonshëm midis këtyre dy tipave të mjeteve të lundrimit Anijet e hapsirave detare janë të ndërtuara të forta prej druri dhe konstruksioni i tyre i përshtashëm për forcat e valëve detare. Ç’ ka kam nënvizuar ndoshta do të ishte një rrugë e kërkimit shkencor e historik për të argumentuar më mirë traditën detare iliro shqiptare dhe në këtë drejtim edhe rishikim të historisë përsa i përket legjendës së fenikasve, e cila fillon historinë e tij pikërisht në një gadishull të vogël të bregdetit dhe ku zhvillohet historia e tij duke filluar në mijëvjeçarin e dytë para erës së re dhe me objekte të pakta arkeologjike të njohur tashmë nga shekulli i 13 para erës së re. Ndërmjet tyre sarkofagu i Ahimerit me relievin e gdhëndur i cili paraqet gjëmën, një traditë e veçantë e veriut tonë të lashtë që na vjen nga kohët homerike. Është tepër domethënës mos influenca e kulturës mijravjeçare të civilizimit persik apo egjypian e veçanërisht në fushën lundrimore.

Në librat dhe enciklopeditë për “Phenikasit” autorët kanë dy hipoteza për prejardhjen e fenikasve dhe është tepër sinjifikative lidhja e këtij “populli të kuq” me lundrimin detar dhe jo e kundërta nëpërmjet mjeteve dhe traditave mijra vjeçare të lundrimit lumor i zhvilluar rreth lumejve Tigër, Eufrat e Nil. Kjo hipotezë si dhe shpërndarje nga legjenda e shkronjave të alfabetit mendoj se duhet parë nga një kënd tjetër dhe e gjitha kjo kulturë e lidhur me detin dhe lundrimin mund ta quajmë kultura ose civilizimi i alfabeteve, duket e çuditëshme por ka një të vërtetë se në gjithë brigjet e Detit Mesdhe janë gjetur alfabete me 22 shkronja dhe pothuaj të gjithë janë të njëllojtë. Kjo do të shmangte në trajtimin e historisë së shkrimit shumë tendeca nacionaliste të cilat i kanë ngatërruar dhe vështirësuar studimet historike drejtë të vërtetës.

Në hapsirën detare të pellgut të Mesdheut ndërthuren legjendat e lashta me vende e qëndra arkeologjike të lashtësisë të cilat së fundëmi kanë nxjerrë në dritë vendbanime si i Linit, 8500 vjeçar, nga më të vjetrit ngulmime të ndërtuara mbi palafite dhe ku janë gjetur e zbuluar edhe mjete lundruese të këtyre kohëve.

Është vizatimi i gdhëndur në bronx i një anijeje në objektet e gjetura të tumulave të kulturës së Glasinacit ku banonte fisi ilir i Autarijatëve.

-Vizatimi i gdhëndur në bronx i një anijeje në objektet e gjetura të tumulave të kulturës së Glasinacit ku banonte fisi ilir i Autarijatëve.

-Janë qeramikat me vizatimet e gdhendura të anijeve liburne të gjetura në Novlara afër Pissaro, qeramika të shekullit të VI para erës së re në bregun perëndimor të Detit Adriatik.

-Tabletë qeramike gjetur në qytetin bregdetar Novlara afër qytetit Pissaro në Adriatikun perëndimor, shekulli i VI-të – shekulli i V-të para erës së re.Dallohet anija LIBURNE dhe një ndeshje detare midis tyre

-Tabletë qeramike me vizatimin e gdhëndur me një anije liburne. Gjetur në Novlara, bregu perëndimorë i detit Adriatik

Është beteja detare për zotërimin e Kerkyrës në vitin -664 para erës së re midis phaenikasve shtatëlartë ose gjigandë siç i përmend Omeri dhe korinthasve siç shkruan Straboni që pushtuan Kerkyrën e ku u ndeshën me liburnët të cilët ishin phaenecianët të cilët kishin ardhur nga iliria.

Të njëjtën betejë detare përshkruan edhe Tukididi kur vërteton origjinën e phanecianëve në luftën midis korinthasve dhe kerkyrasve liburnë.

-…Tukididi vërteton origjinën e “phanecianëve” të cilët kishin ardhur nga ILIRIA…

“Liburnët” vizatim Z. MATI

Po kështu në kohën e lashtë Hekateu shkruan në portulatin e tij për Apolloninë dhe ku tregon për Luftën e Poleponezit dhe beteja detare e Sivotës së Epirit për Epidamusin (Durrësin) në vitin -433 para erës së re ndërmjet kerkyrasve dhe Korinthit dhe ndërhyrjes së flotës së athinasve në ndihmë të kerkyrasve dhe të flotës spartane për korinthasit.

Straboni shkruan : …se bregdeti ilirik ishte shumë i pasur me limane ndërsa i italisë ishte i shkretë…

Aleksandër Mollosi zbarkon me flotën e tij me kuaj në itali dhe zhvilloi fushatë luftarake në vitet -334, -331 para erës së re.

Diodori i Siçilisë shkruan “…se në Lisus ndodhet një kantier detar ku mund të lejonte të ndërtoheshin 200 anije njëherësh…” ashtu si dhe “…adrianët kishin kantier detar në liqenin e Shkodrës dhe i nxirrnin anijet në det nëpërmjet lumit Buna…”

Në vitin -277 kartagjenasit me flotë dëshironin të zbarkonin në Epir dhe kështu të zotëronin krejt Mesdheun. Në atë periudhë historike Kartagjena ishte superfuqia e kohës e cila rrethonte krejt italinë për ta sunduar atë. Kartagjenasit me flotën e tyre nuk arritën të pushtonin bregdetin e Epirit dhe flota e kartagjenasve pësoi humbje dhe u tërhoq në Siçili të italisë. Në vitin -280 para erës së re Flota Luftarake e Pirros së epirit zbarkoi me luftëtarët e saj , me kuaj, e 19 elefantë në brigjet e italisë. Fushata e tij u zhvillua në vitet -280, -275 para erës së re. Pirro i përzuri nga italia e jugut me ndihmën e mesapëve, japigëve, etj kartagjenasit deri në ekstremin jugëperëndimor në qytetin e vogël Lilibea dhe kur mendonte të hidhej në Afrikë, legjionet romake po avanconin drejtë jugut , kështu Pirro i shqetësuar për tu mbrojtur e forcuar u kthye.

-Kartagjenasit tentojnë të zbarkojnë në Epir dhe zmbrapsen nga epirotët.

Vizatim Zamir MATI

Historia shqiptare duhet të vlerësoi këtë ndeshje, zmbrapsje dhe mundje të kartagjenasve , fuqia më e madhe e kohës, jo vetëm me veprime ushtarake por edhe me flotë luftarake.

Pikërisht të gjitha këto dëshmojnë për një traditë luftarake detare e për të cilën pa dyshim historianët, arkeologët, kërkuesit, studiuesit do të nxjerrin më në pah këto ndeshje luftarake e beteja historike të epiriotëve dhe prinjësit të tyre Pirros kundra superfuqisë së kohës Kartagjenës.

-Anijet e Pirros së Epirit transportojnë 19 elefantë drejt Italisë. Vizatim Zamir MATI

Nuk është e lehtë të shkruash për traditat detare iliro shqiptare pa u ndalur në flotat e Teutës, Gentit, admiralit Dhimitër Fari … betejat e tyre…

-Mbreterësha ilire TEUTA, skulpturë monumentale e bankës së qytetit të Durrësit e kthyer në simbol për mbarësi të detarëve të këtij qyteti

Ashtu si ngjarjet në hapsirën detare të deteve Jon e Adriatik në kohën e kryqëzatave kur Ngushtica e Otrantos kalohej dhe anijet me kryqëtarë mbrinin në bregdetin e Shqipërisë dhe portet pritëse ishin Durrësi, Vlora… Janë anijet e një flote të Gjergj Kastriotit Skënderbeut të cilat nga Kepi i Rodonit, porti dhe ku ngrihej kalaja me kishën e dekoruar nga piktura murale e me shqiponjën dykrenore simbolin e shënjtë të Lekës së Madh e Pirros së Epirit, niseshin anijet të kalonin detin Adriatik mbushur me luftëtarë e kalorës në ndihmë të mbretit të Napolit të italisë, të Europës. Imagjinoni punën dhe manovrat për imbarkimim e 3000 luftëtarëve e kolorësve të cilat kërkojnë një rregull, një organizim në imbarkimin grupe, grupe, një kujdes të jashtëzakonshëm e mjeshtëri në mbarëvajtjen imbarkimit dhe lundrimit shumë orësh drejt bregut tjetër të Adriatikut.

-Kalimi në kalanë e Rodonit «Drejtë Europës» fragment, vaj Z. MATI piktor i merituar

Shteti modern Shqiptar 28 nëntor 1912 – 1992 … dhe flotat e tij…

Ismail Qemali mbërriti në Durrës (ky qytet ishte nga më veriperëndimorët e imperatorisë otomane dhe në kufijt e vendeve europiane) me jahtin austro-hungarez ku u ngrit flamuri kuq e zi.

-17 nëntor 1912 ismail Qemali niset nga Trieste drejtë portit të Durrësit me anijen austrohungareze « Brün »

Pavarësia u shpall më 28 nëntor 1912 prej 40 delegatëve, përfaqësues nga të gjitha trevat ku banohej prej shqiptarëve, Kosova, Çamëria. Me të gjitha vështirësitë Qeveria e përkohshme e Vlorës i kërkoi fuqive të mëdha anije luftarake për të mbrojtur bregdetin. Austro-hungaria dhe italia nuk i u përgjigjën kërkesës së qeverisë së ismail Qemalit edhe pse kjo kërkesë vinte edhe nga presioni i vazhdueshëm i flotave të tjera e veçanërisht të flotës greke anijet e të cilës bllokuan gjirin e Vlorës dhe arritën të këpusnin edhe kabllin telegrafik që e lidhte Qeverinë e përkohshme me italinë e kështu me Europën. Po ashtu anijet greke tentonin të zbarkonin, të furnizonin me armë e të destabilozinon situatën e komplikuar politike në bregdetin shqiptar.

-Foto përpara hotelit Europa në Shkodër me oficerët e marinës së”Këshillit të Admiralëve”

-Anija shkollë «Hertha» e flotës imperiale gjermane 1872-1919 (Kaiseriche Marine)

Në këtë anije admirali i ardhshëm Karl Denitz ka shërbyer si leitnant kadet dhe nga ndalesa në portin e Ulqinit ruhet kjo foto me dy fëmijë shqiptarë.

-Kryqëzori «Breslau» i cili morri pjesë në forcat e fuqive të mëdha për të detyruar Malin e Zi të tërhiqet nga qyteti i Shkodrës, oficer i këtij kryqëzori ishte edhe admirali i ardhshëm Denitz. Ky kryqëzor më vonë i kaloi marinës turke dhe morri emrin «Midilli»

Janë flotat e fuqive të mëdha të cilat erdhën në gjiun e Drinit në vitin 1913-1914 dhe kështu i bënë presion Malit të Zi i cili kishte rrethuar qytetin e Shkodrës. Komanda e 5 fuqive të mëdha ngriti selinë e saj në Hotel “Europa” të qytetit dhe mori emrin “Këshilli i Admiraliatit” një godinë simbol i ndihmës europiane për mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë së Shqipërisë së vogël dhe të dobët mbas pavarësisë të vitit 1912. Është më se domëthënëse që kjo godinë, Hotel “Europa” të kthehet në një muze të kësaj ngjarje historike e lidhur me traditën detare dhe lidhjet e saj me historinë europiane. Është një koleksion i pasur fotosh të trupave detare të fuqive të mëdha dhe personaliteteve të detarisë të realizuara prej fotografit Marubi, ashtu siç është edhe fotoja e admiralit të famshëm të nëndetseve Karl Denitz në kohën e lundrimit të tij në Ulqin si kadet dhe oficer detar i ardhshëm me dy malësorë të vegjël. Interesi jo vetëm ndaj traditave detare por edhe lidhjes së kësaj tradite me Europën do ti ipte vlerë të veçantë një muzeu për detarinë në qytetin mijëvjeçar të Shkodrës… në të njëjtën godinë me emrin simbolik të vitit 1913-1914 «Hotel EUROPË», «Këshilli i Admiralëve».

-Princ Wilhelm VIDI

-7 Mars 1914, mbërrin në Durrës princ WilhelmVIDI.

Jahti “Taurus” me flamurin e mbretit Wihlem Wid u nis nga Trieste dhe shoqërohej nga anijet luftarake të fuqive të mëdha

«Bruix», dy kryqëzorët e lehtë «Goucester» i flotës mbretërore angleze,

«Quarta» i marinës mbretërore Italiane dhe anija e flotës perandorake ruse «Askold» të cilat në ujrat detare shqiptare ngritën në dyrekët e tyre flamurin e kuq me zhgabën e zezë dykrenare si një garanci dhe tregues i mbështetjes prej tyre të shpalljes të Mbretërisë së Shqipërisë me Princ Wilhelm Widin në krye.

Qeveria e Princ Widit morri me qira anijen “Hercegovina” 664 tonë prodhuar në Suedi dhe e armatosi me një top malor. Kjo anije kreu misione luftarake duke goditur me top në bregdetin e Kavajës trupat rebele të cilat sulmonin qytetin e Durrësi dhe qeverinë e Princit Widit.

Anija «Taurus»

-Kryqëzorët e fuqive të mëdha që shoqëruan jahtin e Princ Vidit drejë Durrësit

Anija “Hercegovina” shërbeu kështu në mbrojtje të shtetit shqiptar prej trupave rebele.

Të njëjtën kërkesë patën edhe qeveritë e dala nga Kongresi i Lushnjes në vitin 1920 ndaj fuqive të mëdha për të patur anije luftarake në mbrojtje të bregdetit.

Një kërkesë e cila vinte nga ngjarjet dhe historitë detare të zhvilluara në shekuj në hapsirën detare të deteve Adriatik dhe Jon ku interesat e shteteve dhe flotave të shumta luftarake kërkonin sundimin dhe kontrollin e kësaj hapsire detare, një portë hyrëse për Europën qëndrore. Kontrolli mbi Ngushticën e Otrantos ishte një privilegj për atë që do ta kishte dhe shfrytëzonte.

Është Republika Shqiptare që në vitin 1925 dhe 1926 me president Ahmet Zogun e cila nënshkroi marrëveshje të fshehtë ushtarake me italinë fashiste. Kjo marrëveshje i ipte të drejtën Flotës Luftarake Mbretërore italiane të mbronte bregdetin shqiptar dhe njëkohësisht të bazohej në ishullin e Sazanit dhe portet e Shqipërisë. Kështu që Flota Mbretërore e Luftës Fashiste Italiane kishte funksion luftarak në mbrojtje të Shqipërisë. Republika Shqiptare me qeverinë e saj miratoi në datën 25 dhjetor 1925 me një shkresë, një vendim

 për nxjerrjen e një fondi për blerjen nga italia fashiste të dy dragaminave të vjetra gjermane tip FM1, 193 tonëshe me numurat M16, M23, (Gjermanisë së mundur mbas luftës së parë nuk i lejohej nga traktati i Wersajës prodhimi dhe tregëtia e armëve ushtarake) dragaminat e vjetra gjermane tip FM1 u rishitën pas një riparimi në kantjeret italiane si anije për shërbim civil, shërbim doganorë. Për këtë transaksion është folur për afera koruptive prej zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare të kohës dhe përfitimit prej italisë fashiste e cila kishte nevojë për devizë të mbështetur në flori. Dy dragaminat e vjetra gjermane mbërritën në Durrës disa muaj më vonë dhe u bregëzuan në gjirin e Currilave, ndërsa Komanda e Marinës u krijua 4 qershor 1928, dy vjet më vonë se dita symbol, 25 dhjetori 1925, e zgjedhur nga Forcat Detare dhe mbërritja mbas disa muajsh e dragaminave të vjetra gjermane dhe ngritja e komandës së Marinës Shqiptare.

Sipas marrëveshjes së fshehtë ushtarake të vitit 1925,1926 me Mbretërinë italiane në drejtimin dhe organizimin e Marinës Shqiptare u vendosën oficerë detarë fashist italianë; kapitenët e rangut të tretë Giuseppe Prelli dhe Silvio Montanarella kapiten i rangut të dytë Mario Salvestroni dhe kapiten i rangut të tretë Eugenio Taddei.

Për funksionin e saj doganor dhe ndalimit të kontrabandës Marinës Shqiptare i u shtuan edhe 4 motovedeta tip amerikane „Elko“ me skaf prej druri dhe të prodhuara në kantjeret italiane. Këto motovedeta në origjinë silurhedhëse ishin të pa armatosura dhe kështu pa funksionin luftarak. Ato do të shërbenin për doganën dhe ndalimin e kontrabandës. Në ekuipazh kishte një oficer finance dhe funksioni i këtyre motovedetave varrej edhe nga Ministria e Financave dhe Ministria e Brëndëshme.

Edhe pse me miratim dhe emrim të Presidentit të Republikës Ahmet Zogu nëpërmjet një shkrese të Kryesisë së Republikës Shqiptare datë 16.VI.1926 e cila i drejtohej Ministrisë së Brëndëshme dhe asaj të Financave „pëlqente emnimin“ si kapiten të porteve Durrës, Shkodër, Vlorë, oficerët detar shqiptar Idriz Dermani, Luigj Deda, Faslli Shaqiri drejtuesit fashist italianë i hoqën oficerët detar shqiptar nga drejtimi i kapitenerive të porteve dhe i zëvendësuan me italian ndërsa nuk i pranuan edhe 5 oficerët detarë të cilët kishin mbaruar akademinë e marinës në Greqi.

Me një shkresë të datës 20 shtator 1933 dhe në mungesë të fondeve për riparimin e dy dragaminave të vjetra të cilat kishin dalë jashtë përdorimit dhe riparimit të motovedetave „Elko“ urdhërohej pezullimi i „Marinës Mbretërore“, lirimi i efektivit brënda datës 30 shtator 1933 dhe çarmatimit të tyre e të dilnin në tokë në Durrës brënda datës 30 nëntor 1933 dhe që për nevojat e porteve të kishte vetëm një grup prej 10 detarësh dhe 8 oficerë e nënoficerë. Kjo togë do ti bashkohej Batalionit të IV të Rojes Bregdetare dhe për mbarëvajtjen e saj sipas një urdhërese caktoheshin edhe pagesat për gradat njësoj si ato ushtarake.

Me ligjin ”Ligjin organik të Ushtrisë dhe Gjandërmarisë u krijua në letër dhe Fuqia Ajrore dhe Detare strukturë që nuk u zbatua e realizua asnjëherë, deri në 7 prill 1939.

Është jo historike dhe e pavërtete këmbëngulja për të emëruar „luftarake“ „Marinën Shqiptare“ dhe „Marinën Mbretërore Shqiptare“ kur këtë emërtim dhe funksion „luftarak“ i a ndalonin marrëveshjet e fshehta ushtarake me italinë fashiste të vitit 1925-1926 dhe kur këto marrëveshje i lejonin vetëm funksionin civil doganar e të ndalimit të kontrabandës. Duhet theksuar se oficerët detar fashistë italianë gjoja ishin e bënin plane për organizimin e Marinës por në realitet planet e tyre ishin fantaziste si gjoja projekti për kryqëzorin me ekuipazh 300 oficerë dhe detarë, apo jahti „Ilirija“ që nuk i u dorëzua asnjëherë Mbretit Zog edhe pse i ishte „dhuruar“ atij prej Musolinit.

Nga muaji nëntor 1933 nuk kishte më anije dhe kështu as marinë.

„Marina Shqiptare“ dhe „Marina Mbretërore Shqiptare“ ashjëherë nuk u organiziua megjithë titujt e dhënë „Kapitenëve Organizator“ për oficerët detarë fashist italianë, përveç punës së tyre të vazhdueshme në vite për përgatitjen e pushtimit deri kur italia fashiste kreu sulmin e pushtimit të Shqipërisë.

Është në nderin e detarisë shqiptare që nënoficeri detar Mujo Ulqinaku Hero i Popullit ra në mbrojtje të Atdheut në ditën e zezë tē 7 prillit 1939.

Nga 7 prilli 1939 deri në muajin shtator 1943 në bregdetin shqiptar ishte flota e pushtimit fashist dhe në flamurët e saj të sinjalizimit u shtua flamuri i mëkëmbësit të mbreti të italisë.

Ndërsa me pushtim nazist gjerman ishte flota e saj e bazuar në bregdetin dalmat e cila kryente edhe detyrat e saj në bregdetin shqiptar. Me tërheqjen e tyre nga Shqipëria ata vetëmbytën motovedata dhe anije e gjithashtu hodhën në erë portet.

FLAMURI Shqipërisë 1939 – 1943

FLAMURI Shqipërisë 1943 – 1944

Flamuri i Flotës së Gjermanisë naziste. 1943-1944

Flamuri i mëkëmbësit të Mbretit të Italisë në Shqipëri

Flota Luftarake Detare 1945-15 gusht-1992

-29 Nëntor 1944 dita e çlirimit të SHQIPËRISË

Më 29 nëntor 1944 u çlirua Shqipëria.

Komandues të korpoarmatës së parë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Hysni Kapo dhe Haki Toska thërrasin ish oficerin detar, partizanin,

-Kartela e kapitenit të parë të marinës Abdi Mati

ish komandant në disa formacione partizane Abdi Mati dhe e dërgojnë në Komandën e Shtabit të Përgjithshëm, në dtët e para të dhjetorit 1944, sipas kërkesës së shefit të shtabit gjeneral-major Spiro Moisiu.

Abdi Mati merr menjëherë detyrën ti bashkohet „Misionit MEDRI“ i Komandës Aleate të Mesdheut i cili kishte detyrë të hapjeve dhe pastrimit prej minave të hyrje daljeve të porteve shqiptare. Ky mision qëndroi në Shqipëri gjatë muajve dhjetor 1944, janar, shkurt 1945 duke krijuar gjatë kontrollit dhe çminimit kanale lundrimi të sigurtë, ndërmjet tyre Kanalin në Ngushticën e Korfuzit.

Njëkohësisht Abdi MATI morri detyrë të parqiste gjëndjen dhe mundësitë e ngritjes dhe zhvillimit të marinës.

                            

-Dhjetor 1944 – Shkurt 1945. Kapiten i parë i marinës shqiptare Abdi MATI i angazhuar në misionet MEDRI për çminimin e rrugëve detare, hyrëse e dalëse të porteve shqiptare me oficerë anglez dhe amerikanë.

Në ditët e para të shkurtit Abdi Mati paraqet përpara Komandantit të Përgjithshëm Gjeneral-kolonel Enver Hoxha gjëndjen dhe projektin e ngritjes së Marinës Luftarake Shqiptare.

Kështu mbas kësaj paraqitje dhe porosive të veçanta Abdi Mati caktohet menjëherë Kapiteni i parë i Marinës duke filluar nga data 1 janar 1945 dhe hap „Seksionin e Marinës“ më 12 shkurt 1945.

Seksioni i Marinës filloi punën në datë 12 shkurt 1945 dhe i bëri thirrje menjëherë të gjithë detarëve të cilët ndodheshin në portet e huaja, të ktheheshin në Atdhe me anijet e tyre, thirrje që të gjithë e përkrahën duke u kthyer në portet shqiptare. Patriotizmi i tyre është guri i themelit i ndërtimit të flotës shqiptare, jo vetëm asaj luftarake por edhe flotës shqiptare në përgjithësi. Në këto vite kapiteneritë dhe të gjitha anijet, kantjeri detar i Durrësit me shkallën e lëshimit në ujë vareshin nga Seksioni i Marinës.

-Dokument i gradimit të kapitenit të parë të marinës Abdi MATI nga 1 janar i vitit 1945

-Kapiteni i parë i Marinës Kombëtare Abdi MATI

-Dokumenti i kapitenit të parë të Marinës Kombëtare Shqiptare Abdi MATI, firmosur nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë gjeneral kolonel Enver HOXHA, 1945.

Me urdhër nr. B/1-344 të datës 1.6.1945, të Seksionit të Marinës, firmosur nga shefi i shtatmadhorisë, u transferuan 60 partizanë për të plotësuar efektivat e kapitenerive të porteve.

Seksioni i Marinës për nevoja të tij thirri dhe aktivizoi specialistë të vjetër e midis tyre: Ndoc GJELLUCI, Rudolf BUMÇI, Anastas QENDRO, Avdulla HOXHA, Stefan MALIKO, Osman GOGA, Nazmi MEZINI, Qemal BRAKA, etj.

Seksioni i Marinës mbështetur në urdhërin nr. 82 i Komandës së Përgjithëshme të UNÇL të datës 3 Prill 1945, (për krijimin e kapitenerive dhe zyrave të porteve.

Krijimi i zyrave të porteve në Pogradec, Shëngjin, Patok, Seman, Himarë.

Kapitenaria e portit Durrës, zyrë porti në Patok

Përgjegjës porti Stavri Çika, përgjegjes teknik Gjon Nik Vuksana

Kapitenaria e portit Vlorë, zyrë porti në Seman

Përgjegjës porti Pali Carapuli, përgjegjës teknik Ndoc Gjelluci

Kapitenaria e portit Shkodër, zyrë porti në Shëngjin

Përgjegjës porti Maze Roshi, përgjegjës teknik Pashko Jubani

Kapiteneria e portit Sarandë, zyrë porti në Himarë

Përgjegjës porti Rrako Gjermeni, përgjegjës teknik Mikel Nonaj

Në 9 prill 1945, doli vendimi nr.79 i Seksionit të Marinës për udhëzimet e funksionimit të kapitenerive dhe zyrave të porteve të firmosur nga kapiteni i parë i marinës, Abdi MATI.

Dërgohen në Akademinë Detare të BRSS në Baku, Azerbajxhan detarët e rinj të zgjedhur nga rradhët partizane

Mark PLANI Stavri ÇIKA

Xhemal SHANI Muharrem LLULLOLLI

Azis HASA Piro KOLA

Shaqir KAPEXHIU Mehmet KARASHABANI

Shefqet PINARI Arqile PAPADHIMITRI

-Motobarka “Ylli i Kuq”

(Vijon nesër)

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x