Nga Avni Selmani
Në fillim, kur u shfaq si lëvizje, ajo dukej si një ide e mirë dhe e nevojshme. Një frymë që synonte të bashkonte njerëzit me bindje fetare të ndryshme. Shumë e panë si një nismë që do të zgjonte vetëdijen kombëtare dhe do të kthente vëmendjen te vlerat që na bashkojnë si popull. Duke qenë se shqiptarëve, gjatë historisë, nga pushtimet e ndryshme u janë imponuar shumë gjëra, sidomos besimet fetare, kjo lëvizje u pa si një rast i mirë për ata që e kishin brengë këtë çështje, që me kohë ta përmirësojnë dhe ta kuptojnë më drejt atë që historia ua kishte imponuar. Që në fillim, ajo mori edhe shumë hapësirë mediale, u zhvilluan debate dhe u pa si një zë i ri që do të sillte frymë ndryshe në shoqëri.
Por me kalimin e kohës, ajo që dukej si një ide e qetë e bashkimit filloi të humbë qëllimin. Në debatet e ndryshme televizive, në rrjetet sociale dhe në hapësirat e saj, në vend të debatit dhe respektit, filluan të shfaqeshin fyerje, etiketime e përbuzje. Njerëzit që mendonin ndryshe u quajtën tradhtarë, ndërsa komunitetet e tjera fetare u paraqitën si kundërshtarë e tradhtarë, duke u etiketuar me fjalë fyese e abuzuese. Filluan të mbjellin urrejtje.
Në këtë mënyrë, një lëvizje që duhej të sillte mirëkuptim, u kthye pa e kuptuar në të njëjtën sjellje që dikur e kundërshtonte. Sepse kur një ide e mirë fillon të ushqehet me urrejtje, ajo humb vlerën e vet dhe shndërrohet në të kundërtën e asaj që synonte.
Ne nuk mund ta luftojmë ekstremizmin fetar me një ekstremizëm tjetër. Shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë natyrë urrejtjen fetare. Ne kemi ditur të jemi të ndryshëm në besim, por të bashkuar në shqiptari. Të ruash identitetin tënd nuk do të thotë të përbuzësh tjetrin, por të respektosh kufijtë e dinjitetit njerëzor.
Ky është një shembull që tregon se tek shqiptarët nuk ka vend asgjë që ka për qëllim ndarje, në çfarëdo forme qoftë ajo. Gjatë historisë ka pasur përpjekje të ndryshme për përçarje ose për ndarje, por asnjëra nuk e ka arritur kurrë qëllimin. Sepse në thelb, shqiptari mund të debatojë, të mos pajtohet dhe të ndryshojë rrugë, por kurrë nuk e ndan shpirtin kombëtar. Një nismë që nisi me qëllime të mira, por humbi rrugën mes fjalëve të ashpra dhe ndarjeve që s’i kanë hije shqiptarëve, mbetet kujtesë se çdo ide, për ta ruajtur vlerën, duhet të mbështetet në mirëkuptim dhe maturi. Shqiptarët gjithmonë kanë ditur ta ruajnë përbashkësinë, edhe kur rrugët janë ndarë. Kjo është forca që i ka mbajtur gjallë gjatë gjithë historisë.