Ashtu siç ishte paralajmëruar, Partia Socialiste ka mbledhur këtë të martë, më 7 prill grupin parlamentar. Mbledhja e nisur prej orës 9:30, e drejtuar nga kryeministri dhe kryetari i kësaj force politike Edi Rama, ka zgjatur për afro 1 orë e 30 minuta.
Në këtë mbledhje dy ishin porositë kryesore të kryeministrit Rama, që vijnë në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”: Komunikimi me bazën dhe ai publik!
Rama ka kërkuar nga deputetët që të jenë më të pranishëm në zonat e tyre elektorale për të dëgjuar nga afër problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve, por edhe për t’i qëndruar sa më pranë bazës. Ai gjithashtu i ka lajmëruar deputetët e tij se dhe vetë do zhvillojë së shpejti takime në qytete të tjera të vendit.
Kjo mbledhje, e cila vjen fill pas mbledhjes së zgjeruar mes deputetëve dhe ministrave, ishte një mbledhje rutinë që grupi parlamentar e zhvillon çdo fillim jave për të diskutuar mbi axhendën parlamentare. Të enjten priten të diskutohen në Kuvend një sërë projektligjesh të lidhura me procesin e integrimit.
Ndërkohë sjellim ndërmend se më herët pati një tjetër mbledhje të funksionarëve të lartë të PS-së. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi kishte mbledhur në një takim në selinë rozë kryebashkiakët e PS-së në vend. Edhe ky takim vjen në kuadër të turit “Punët për Shqipërinë” dhe kishte në fokus rienergjizimin dhe procesin zgjedhor në forumet drejtuese.
- Dy porosi! Rama edhe vetë në terren! Çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit të PS - 07/04/2026
- Ëndrra 32-përqindëshe për një parti të re… - 07/04/2026
- Dy Epirotë dhe Olimpiada - 07/04/2026